Ministrja e Financave–bizneseve: Denonconi presionet për kontroll apo gjobëvënie

Ministrja e Financave, znj. Helga Vukaj zhvilloi dje një takim të zgjeruar me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë – Tiranë, Bashkimin e Prodhuesve shqiptarë, si dhe me përfaqësues të shoqatave të tjera të biznesit në vend.
Ministrja Vukaj falënderoi përfaqësuesit e biznesit për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo theksoi se punonjësit e administratës shtetërore janë shërbëtorët tuaj e të ligjit, për të ndihmuar dhe lehtësuar veprimtarinë tuaj.
“Çdo punonjës i administratës fiskale, duke filluar nga ministri e deri te inspektori më i thjeshtë i doganës apo tatimeve, që e konsideron veten ndryshe në raport me ju, nuk është gjë tjetër veçse një abuzues i momentit në detyrë dhe do të jetë pa perspektivë në të ardhmen europiane të institucionit ku punon”.
Zonja Vukaj theksoi se shërbimi me korrektësi dhe përulësi ndaj jush, si motori i zhvillimit të vendit, është dhe do të jetë edhe në vijim obligimi ynë kryesor.
Ajo kërkoi nga përfaqësuesit e biznesit që të denoncojnë çdo rast presioni abuziv nga administrata fiskale, për kontroll apo gjobëvënie. “Presioni ndaj jush për çfarëdolloj arsye, elektorale apo korruptive, është kriminal”, theksoi zonja Vukaj.
Po kështu, zonja Vukaj u kërkoi atyre që të denoncojnë edhe rastet kur ndaj punonjësve të tyre ushtrohet presion për arsye politike dhe elektorale.
Më tej, takimi vijoi me diskutimin e disa prej problemeve më të rëndësishme me të cilat përballet sot komuniteti i biznesit në Shqipëri.
Zv.presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Arben Shkodra, shprehu nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes biznesit dhe qeverisë, siç u shpreh ai, për rritjen e nivelit të konsultimit publik në interes të zhvillimit ekonomik të vendit.
Duke folur në terma konkretë, ministrja e Financave shprehu keqardhjen për kontrollin e gjitha ngarkesave në eksport nga ana e autoriteteve doganore. Ajo theksoi se kjo procedurë nuk është në përputhje me standardet europiane të kontrollit në kufi dhe ka pasoja të konsiderueshme negative në veprimtarinë e biznesit. Por kjo situatë kontrolli në kufi do të vijojë përsa kohë që lufta kundër trafikimit të drogës në vend nuk do të njohë rezultate të tjera.
Zonja Vukaj shprehu bindjen se qeveria që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit, do të përballet me gjithë forcën e ligjit me fenomenin e trafikimit të drogës duke e eliminuar atë dhe do të mundësojë kthimin në standarde evropiane të kontrollit në doganë, bazuar në kritere selektiviteti dhe analize risku.
Përfaqësuesit e biznesin njohën ministren Vukaj me një sërë çështjesh të tjera konkrete që lidhen me veprimtarinë e tyre të përditshme. Ata theksuan domosdoshmërinë e marrjes së mendimit të prodhuesve shqiptarë nga ana e qeverisë përpara se ekzekutivi të propozojë iniciativat ligjore që lidhen me biznesin.
Po kështu, ata shprehën shqetësimin për nivelin e dobët dhe aspak profesional të një pjese të administratës fiskale.

Artikulli paraprakPioli në stolin e Fiorentinës
Artikulli tjetërBB shfryn rritjen ekonomike: Është më e ulët nga sa thotë qeveria