Ministria e Financave injoron kërkesat e bizneseve

Kërkesat e biznesit nuk janë marrë parasysh nga qeveria për ndryshimet që janë bërë në dy struktura të rëndësishme për këtë komunitet. Kështu referuar tashmë ligjit për procedurat tatimore, ku flitet për Avokatin e Tatimpaguesit dhe Komisionin e Apelimit, edhe pse i janë kërkuar mendime biznesit, kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Financave.
Sipas burimeve nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës, kërkesat e paraqitura vitin e kaluar konsistonin në: “Varësia e Avokatit të Tatimpaguesit nuk mund të jetë nga Ministria e Financave, ku janë edhe Tatimet edhe Doganat (zbatuesit e ligjeve fiskale), pasi ai është në mbrojtje dhe interes të sipërmarrjes (tatimpaguesit) dhe si i tillë do të gjente veten pranë sipërmarrjes në Ligjin nr. 9640, si dhe përgjigjej, emërohej apo më shumë, tek ministri që drejton Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”.
Por ky  propozim nuk u mor parasysh, pasi duke iu referuar ndryshimeve ligjore që kanë hyrë në fuqi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se struktura organike, mbi bazën e së cilës Avokati i Tatimpaguesit, duke filluar nga data 1 janar 2017, është pjesë përbërëse e Ministrisë së Financave.
“Çdo tatimpagues që do të kërkojë shërbimin e Avokatit të Tatimpaguesit, duhet t’i drejtohet, Drejtorisë së Avokatit të Tatimpaguesit, në adresën Ministria e Financave”.
Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë gjithashtu se Avokati i Tatimpaguesit i raporton me shkrim, periodikisht, një herë në tre muaj, ose sa herë që ai e kërkon, ministrit të Financave.
Në të njëjtën kohë, ky raport i dërgohet edhe drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Gjithashtu një tjetër kërkesë e biznesit ishte pjesëmarrja e Avokatit të Tatimpaguesve në Komisionin e Apelimit, për gjobat mbi 20 milionë lekë.
Por sipas ligjit në fuqi, pjesë e këtij komisioni do të jetë Avokatura e Shtetit, që sipas përfaqësuesve të biznesit, është jashtë çdo logjike.

Artikulli paraprakVota kundër SHBA në NATO, si do të reagojë Uashingtoni?
Artikulli tjetërQeveria dështoi, mijëra qytetarë të papunë po i drejtohen azilit