Ministri i “samiteve” të Diasporës

Nga Sokol Gjoni

Ministri i “Samiteve” të Diasporës! Ministria e Shtetit për Diasporën që ditën që u prezantua nga kryeministri Rama ngjalli skepticizëm të madh në opinionin publik, pasi nuk ofronte asnjë platformë apo synim konkret, por thjeshtë një butafori për syrin e ndërkombëtarëve dhe një kalkulim ekuilibrist për të përmbushur “orekset” e klaneve në parti. Këtë gjë e dëshmon më së miri dhe emërimi i Pandeli Majkos si ministër i këtij dikasteri, pasi qysh herët, në rrugëtimin e tij politik, Majko ka lejuar të keqpërdoret sa herë ka përplasje dhe konfrontime klanesh në PS, duke u profilizuar si politikan i mospërmbushjes së asgjëje, por thjeshtë një manekin që vetkënaqet me paradigmat e kolltukut. Dikasteri, që ai sot drejton është shëmbëlltyra e një dështimi të pashoq, dhe e një cinizmi në kufijtë e talljes me qytetarët shqiptarë.
As vetë Majko nuk di të thotë se cili është fokusi i kësaj ministrie, pasi që në fillim është konceptuar me objektiva të cunguara dhe me një vizion të mjegullt. Në përpjekjet e tij për të qenë një formatim ministror, Majko i zënë ngushtë me kostumin e dështakut të përhershëm, ka gajasur së qeshur ndjekësit e tij, teksa përmes profilit facebook njofton hapjen e procesit të regjistrimit “on line” për Samitin e II-të të Diasporës. Nëse ky i ashtuajtur “Samit”, do të zhvillohej në kushtet e një ballafaqimi real të objektivave dhe synimeve konkrete, padyshim vëmendjen më të madhe do e merrte bilanci i qeverisjes së ‘rilindjes”, e cila falë politikave të saj detyroi shqiptarët të largohen masivisht gjatë këtyre 6 viteve.
Por para se të shkohet tek Samiti i II-të, Majko le të bëjë konkluzionet e të parit, nëse objektivat e shpalluara u realizuan apo jo, si dhe nëse u përmbushën premtimet e proklamuara me bujë dhe me propagandë të shfrenuar të një viti më parë. Për të gjitha këto dhe një sërë çështjesh që ngrenë pikëpytje të shumta mbi performancën e këtij dikasteri, Pandeliu i “Majkos” duhet t’u kërkoj falje shqiptarëve të diasporës, të cilët më shumë se kurrë sot ndjehen të braktisur nga shteti i tyre dhe të nëpërkëmbur, pasi e tillë është qasja e politikave që ndiqen ndaj mundësive të kthimit të tyre në atdhe.
Ky dikaster me profil PPP (partneritet- publik-privat) është fytyra e dështimit dhe e degradimit total të një qeverisje që erdhi në pushtet në vitin 2013 me megamashtrime të natyrave të ndryshme, por që në të vërtetë rezultoi një krijesë hibride bastardësh dhe injorantësh që kapitalizuan pasuritë e shqiptarëve duke i zhvatur dhe duke i vjedhur pa asnjë kokëçarje, duke sfiduar ligjin dhe shtetin e së drejtës.
Në mesin e këtij hibridizimi, hedh valle dhe gaztori Majko, i cili kapardiset dhe xhezdiset me paratë e taksapaguesve shqiptarë, teksa ka luksin të tallet dhe me organizime samitesh, që në përmbajtje janë xhonglime për të kamufluar dështimin e këtij dikasteri. Shqiptarët kanë ikur nga vendi i tyre, pikërisht prej politikanëve të soj-sorrollopit të Pandit, ndaj dhe farsa e organizimit të samiteve është tallëse dhe ngacmuese duke provokuar sfidën që ata kanë zgjedhur në kërkim të një jetë.

Artikulli paraprakSi humbi Rama 3 miliardë euro financime kineze, ose si u katandis në një thelë “Kaposhi i Kuq” i Ramës
Artikulli tjetërKryeministri ynë nuk njeh limite…