Milani në krizë, shkarkon Montelën dhe emëron Gatuzon

Milani shkarkon zyrtarisht nga detyra trajnerin Vincenzo Montella. Pas barazimit 0-0 ndaj Torinos në “San Siro” drejtuesve kuqezinj u është sosur durimi, me Fassonen e Mirabellin që kanë marrë vendimin për të larguar nga pankina “aeroplanin”. Montella paguan kështu për rezultatet e dobëta që ka regjistruar Milani në këtë fillim sezoni.
Pavarësisht se në merkato u shpenzuan më shumë se 200 milionë euro, kuqezinjtë i kanë bërë një nisje shumë të keqe kampionatit teksa pas 14 javëve të para kanë plot 18 pikë më pak se Napoli kryesues dhe 16 më pak se rivalët e urryer të Interit. Zona Champions tashmë ngjason me një mision të pamundur për Milanin që do të riniset nga Genaro Gattuso. Ish-mesfushori, i cili për momentin drejton skuadrën e të rinjëve të Milanit do të emërohet shumë shpejt në krye të stolit të kuqezinjëve, me objektivin për të përmirësuar skuadrën në lojë dhe rezultate.
Ai nuk ka përmendur emra të përveçëm, por lajmin e shkarkimit të trajnerit të Milanit, Montella, e ka përjetuar në mënyrën e tij, çka duket edhe në “tweet” plot helm që ka publikuar në rrjetet sociale. Se kujt i drejtohet ai, është më se e qartë: “Zoti mund të vonojë, por kurrë nuk harron”. Carlos Bacca, në profilin e tij zyrtar, dërgon një mesazh plot helm për ish-teknikun e tij. Kolumbiani, tani pjesë e Villarreal, u shkarkua në verë nga Milani, sepse klubi kuqezi preferoi të afronte në merkato André Silva dhe Kaliniç.
Marrëdhënia midis Baca dhe Montella nuk ka qenë kurrë idilike dhe sulmuesi, me këtë “cicërimë”, tregon se është i lumtur për shkarkimin e Montella. Ndërkohë, vetë ky i fundit ka reaguar me një status në Instagram për largimin nga stoli drejtues i Milanit: “Largimi nga Milani më dhemb shumë. Unë u përpoqa të jepja gjithçka në këtë klub dhe është i drejtë ky vendim. Unë dua të falënderoj lojtarët, tifozët për momentet e bukura që kemi ndarë së bashku, duke shpresuar që Milani të kthehet në krye. Dështova qartë, por unë do të vazhdoj t’i mbështes këto ngjyra”.

Artikulli paraprakShifra zyrtare e BE: Qeveria bleu votat e 21% të shqiptarëve ose 140 mijë vota
Artikulli tjetërEkonomisti Zef Preçi: Si politika është vënë në shërbim të oligarkisë