Milani, i diskriminuar

Mes “Djallit” dhe xhaketave të zeza duket se “simpatia” nuk është reciproke. Dy net më parë në Firence, drejtuesit e Milanit braktisën stadiumin të nxirë në fytyrë jo për faj të paraqitjes së lojtarëve të tyre, por për shkak të vendimeve të Orsatos. Edhe pse sezoni u duk se nisi mirë në këtë aspekt (në Milan-Torino, kryesori akordoi penallti të drejta për secilën skuadër) me kalimin e javëve nga kampi kuqezi ka gjithmonë e më shumë ankesa kundrejt sektorit të arbitrave.
Gabimet e arbitrave nisën në javën e tretë në takimin Milan-Udineze. Vendësit tentuan që të përmbysin disavantazhin, por u penalizuan nga kryesori, i cili nuk i akordoi një penallti. Honda harkoi topin në zonë dhe Baka u frenua me faull nga Anxhela. Kontakti mes dy lojtarëve nuk u pa prej arbitrit që vazhdoi lojën. Milani nuk shënoi dot dhe nuk shmangu humbjen.
Pak ditë më vonë, Milani udhëtoi drejt Xhenovas për të sfiduar ekipin e Sampdorias. Në atë duel, që u fitua prej kuqezinjve 1-0, kryesori Irrati gaboi gjithçka. Vendësit mund të ankohen për një gol të rregullt që iu anulua, por miqtë protestuan ashpër për penalltinë që kryesori nuk akordoi pas faullit të rëndë që pësoi Suso.
Në Firence, faulli i Tomoviçit në dëm të Luiz Adrianos ishte i ndëshkueshëm me të kuq. Dënim ky që duhej të shoqërohej me një goditje dënimi në hyrje të zonës. Drejtuesit e Milanit nuk harrojnë që të kuptojnë si Orasto nuk dalloi një faull kaq të pastër.
Deri më tani, arbitrat kanë gabuar në pesë raste kundër Milanit. Raporti mes javëve të luajtura dhe numri i gabimeve të kryera nga xhaketat e zeza kanë acaruar edhe Montelën, i cili ka ftuar sektorin në fjalë të bëjnë më shumë kujdes. Deri më tani, arbitrat u kanë mohuar dy pikë kuqezinjve.
Pavarësisht rasteve të pafundme nga të dyja skuadrat ka përfunduar me rrjeta të paprekura ndeshja më e rëndësishme e javës së 6 të Serisë A, Fiorentina – Milan. Rastin më të pastër për të shënuar e ka pasur Iliçiç në minutën e 22, i cili ka humbur një penallti të fituar nga Borja Valero. Në pjesën e dytë është radha e kuqezinjve që të shpërdorojnë me Bonaventura, Suso dhe Bacca, të cilët nuk arrijnë të godasin siç duhet.

Artikulli paraprakTotti 40 vjeç, Roma feston me kapitenin
Artikulli tjetërAlardajs pranë shkarkimit nga Anglia