Milan, Bacca drejt largimit, vjen Dzeko

Mund të përfundojë pas vetëm një sezoni aventura e Carlos Baccës te Milani. Sulmuesi kolumbian është vënë në qëndër të vëmendjes nga disa klube kineze. 29-vjeçari duket se nuk është i pashitshëm, madje, gjatë muajit janar në dyert e kuqezinjve erdhi një ofertë që kapte shifrën e 60 milionë eurove, por në fund transferimi nuk u krye. Gjashtë muaj më vonë duket se tratativat mund të rihapen dhe nisur nga kjo administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani është vënë në kërkim të një tjetër qëndërsulmuesi.
Endrra e drejtuesve të Milanit mbetet Zlatan Ibrahimoviç. Tratativat për të risjellë suedezin janë nën regjinë e menaxherit të tij Mino Raiola. Konkurrenca është e madhe për gjigantin suedez, pasi shumë klube me emër janë në ndjekje të tij. Por, nëse nuk arrihet dot te Zlatan, alternativa tjetër është boshnjaku Edin Dzeko. Sulmuesi me formën e tij jo të mirë duket se ka zhgënjyer drejtuesit e skuadrës së Romës, e si pasojë e kësaj transferimi i tij duket i mundshëm, duke parë dhe vlerën e ulët të kartonit  si dhe marrëdhëniet e mira që kanë dy drejtuesit e klubeve më njëri-tjetrin. Kështu pas një viti në radhët e Milanit, Bacca, i cili është dhe autor i 17 golave këtë sezon me fanellën e kuqezinjve mund t’i thotë lamtumirë kuqezinjve, ndërsa vendin e tij në skuadër mund ta marrë Edin Dzeko.

Artikulli paraprakRrezikon 3 vite burg
Artikulli tjetërFrank De Boer largohet nga Ajaksi