Mësuesit dhe prindërit kundërshtojnë urdhërin e Evis Kushit për mësimin online

Për shkak të situatës së pandemisë në vend, javën e kaluar u njoftua se mësimi do të zhvillohet online në disa nga klasat e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme.

E ndërsa për çdo gjë thuhet se ka skenarë dhe strukturat janë të përgatitura, duket se ajo që raportohet në publik është thjesht shoë dhe asgjë më shumë. Komiteti Teknik i Ekspertëve kundër Covid flet për skenarë, Ministria e Arsimit flet po kështu për skenarë, e ndërkohë skenarët duket se janë plane që hartohen në momentet e fundit dhe që nuk konsultohen me askënd.

Ato janë thjesht urdhëra që duhen zbatuar, duke mos lënë hapësira për diskutime apo përmirësime.

Boldnews.al ka marrë denoncime nga mësues dhe prindër lidhur me mënyrën se si do të zhvillohet mësimi online.

Gjithçka bazohet në urdhërin e ministres Evis Kushi, i cili duket se është një variant i hartuar në momentet e fundit, edhe pse ka pasur shumë kohë në dispozicion që ekspertët e Ministrisë së Arsimit të hartonin jo një apo dy, por disa skenarë që mund të ishin diskutuar.

Kështu mësohet se mësimi online për klasat 6-9 në shkollat 9-vjeçare do të zhvillohet përmes platformës akademi.al.

Por ajo që është shqetësuese qoftë për mësuesit ashtu edhe prindërit është orari se kur do të zhvillohet mësimi. Kështu refruar variantit që pritet të aplikohet në shumë prej shkollave 9 vjeçare, të paktën në Tiranë, është orari 17:00-19:45.

Duke u bazuar në javët tek dhe çift, nëxënësit do të jenë të detyruar që në këtë orar të ndjekin mësimin 2 ose 3 ditë në javë, ndërkohë që mësimi në shkollë do të zhvillohet në oraret 12.30-15.30, ku klasat do të ndahen në dy grupe, ndërsa mësimi zhvillohet në mjediset fizike të shkollës.

Shqetësimi që kanë ngritur mësuesit dhe prindërit është pikërisht orari i papërshtatshëm i mësimit online, pasi kjo do të privojë fëmijët nga kurset e mundshme që mund të ndjekin apo aktivitetet janë shkollore.

Boldnews.al ka mësuar se pavarësisht kundërshtive të stafeve pedagogjike dhe prindërve, duket se urdhëri i Ministrisë së Arsimit do të zbatohet, kjo për faktin se nuk ka një tjetër variant, për të cilin mund të diskutohet.

Ajo që kërkohet nga diskutimet mes mësuesve dhe prindërve është që mësimi online të zhvillohet në oraret e shkollës, sikundër të krijohet një hapësirë prej të paktën 1 jave që nxënësit të jenë fizikisht në mjediset e shkollës, kohë e mjaftueshme për të shmangur përhapjen e Covid-19, nëse do të ketë raste.

Por duket se gjithçka është në dorën e Ministrisë së Arsimit, e cila ka përcjellë variantet për javët tek dhe çift, duke ia lënë sërisht përgjegjësinë mësuesve dhe prindërve, pra me pak fjalë qytetarëve.

Ashtu sikundër Ministria e Shëndetësisë çdo ditë kur raporton rastet e reja me Covid-19 ia lë përgjegjësinë qytetarëve lidhur me respektimin e masave, duke hequr nga “shpatullat” çdo lloj përgjegjësie për daljen jashtë kontrollit të situatës së pandemisë, edhe në rastin e mësimit online, përgjegjësia i lihet sërisht qytetarëve, duke mos i dhënë asnjë mundësi zgjedhjeje, diskutimi apo koordinimi.

Variantet e propozuara nga Ministria e Arsimit

Klasat 6 -9 do të zhvillojnë mësimin sipas varianteve si më poshtë:

Varianti A – Java tek

Grupi i parë i çdo klase:
• gjatë dy ditëve të para të javës do të zhvillojë mësim në mjediset fizike të shkollës në orarin 12.30- 15.30 dhe
• gjatë tri ditëve të tjera të javës, do të zhvillojë mësim online në orarin 17.00-19.45

Grupi i dytë i çdo klase
• gjatë dy ditëve të para të javës do të zhvillojë mësim online nga ora 17.00-19.45 dhe
• gjatë tri ditëve të tjera të javës, do të zhvillojë mësim në mjediset fizike të shkollës nga ora 12.30-15.30.

Varianti A – Java çift

Grupi i dytë i çdo klase
• gjatë dy ditëve të para të javës do të zhvillojë mësim në mjediset fizike të shkollës në orarin 12.30- 15.30 dhe
• gjatë tri ditëve të tjera të javës, do të zhvillojë mësim online në orarin 17.00-19.45

Grupi i parë i çdo klase
• gjatë dy ditëve të para të javës do të zhvillojë mësim online në orarin 17.00-19.45dhe
• gjatë tri ditëve të tjera të javës, do të zhvillojë mësim në mjediset fizike të shkollës në orarin 12.30-15.30.

LËNDËT QË JANË ZHVILLUAR ONLINE DERI TANI, DO TË VAZHDOJNË ONLINE NË ORARIN 08.00-10.45

Artikulli paraprakDenoncimi i fortë nga Albkontrolli: Rama, Xhaçka dhe Lleshaj përdorin helikopterët si taksi për fushatë
Artikulli tjetër1 mijë raste aktive me Covid-19 në Vlorë, ja ku janë zbuluar të prekurit në 24 orët e fundit