Messi paguan gjobën

Messi driblon edhe burgun. Ylli argjentinas i shpëton dënimit me heqjen e lirisë, pasi dënimi me 21 muaj burgim që mori pasi u gjykua si fajtor për mashtrim fiskal në qershorin e 2016 i është konvertuar në një gjobë financiare prej 432 mijë eurosh, me Messin që tani mund ta bëjë gjumin e qetë pasi nuk rrezikon të shkojë pas hekurave. Prokuroria spanjolle ka vendosur që kampioni i Barcelonës të paguajë gjobën financiare si masë ndëshkimore, e cila zëvendëson dënimin me burgim që iu dha nga gjykata e Barcelonës.
Një vit më parë, Messi u dënua për evazion fiskal gjatë viteve 2007, 2008 dhe 2009 për një total prej 4.1 milionë eurosh, pasi nuk kishte deklaruar të ardhurat prej 10.1 milionë eurosh nga të drejtat e imazhit. Në fakt Messi vetë do të paguajë 252 mijë euro, pasi 180 mijë euro do të paguhen si gjobë nga i ati i Messit, Jorge Horacio, i cili po ashtu me këtë masë eviton dënimin e mëparshëm prej 15 muajsh burgim. Një fund mesa duket i lumtur ky për familjen Messi.

Artikulli paraprakRaporti i OKB, 2017: Shqipëria, nyja e krimit e drogës për Europën
Artikulli tjetërEnzo Perez drejt largimit nga Valencia