Mesi, gati rinovimi deri në vitin 2022

Lionel Mesi do të rinovojë dhe firma në kontratën e re me Barcelonën është thjesht një formalitet. Në kampin katalan janë të sigurt se ylli argjentinas do të qëndrojë në “Camp Nou” deri në vitin 2022. Negociatat mes palëve janë në rrugë të mbarë dhe për të arritur marrëveshjen e re mungojnë vetëm disa detaje. Fakti që Barcelona dhe Lionel Mesi do të vazhdojnë bashkëpunimin u konfirmua edhe nga zv/presidenti i klubit “blaugrana”, Jordi Mestre. Edhe pse u shpreh se nuk mund të japë një datë konkrete, drejtuesi i lart i Barçës pohoi se shpreson që në ditët në vijim të hidhet firma në kontratë.
Marrëveshja aktuale e 5 herë fituesit të “Topit të Artë” përfundon në vitin 2018 dhe ajo do të rinovohet deri në vitin 2022, kur Mesi të jetë 35 vjeç. Kur flitet për atë që cilësohet ndoshta si lojtari më i mirë në histori, shifrat e kontratës janë të jashtëzakonshme: bëhet fjalë për pagesë 30 deri në 35 milionë euro në sezon.
Në pritje të rinovimit, “Pleshti” ka vendosur një rekord. Me dy golat e shënuar fundjavën e kaluar, në fitoren 4-1 përballë Villarrealit, Mesi regjistroi sezonin e pestë radhazi ku shënon 50 gola ose më tepër. Ai u bë gjithashtu lojtari i parë në historinë e kampionatit spanjoll që arrin kuotën e 100 ndeshjeve ku ka shënuar dy gola.

Artikulli paraprakMbappe nuk dorëzohet!
Artikulli tjetërHamburgu barazon me Mainz, fiton Frieburgu