Mesazhi i Drejtorit të Policisë për kreun e bandës së Tahirit, Moisi Habilaj

Dyshimet janë se Jaeld Çela, ish-drejtor i policisë së Vlorës i dërgoi një mesazh urimi Moisi Habilajt. Kjo është zbuluar nga përgjimet e telefonit të Çelajt që ende nuk janë bërë publike. Por avokati i tij Petrit Ismailaj deklaroi para gazetarëve se “janë duke u transkriptuar përgjimet telefonike te Jealdit dhe grupit Habilaj për të parë implikimin e tij lidhur me akuzat. Klienti im nuk mund te implikohet per nje sms urimi”. Avokati i tij deklaroi sot në seancën e Krimeve të Rënda, se cështja ndaj klientit të tij është paragjykuar. Seanca u shty pasi në gjykatë nuk kanë ardhur të gjitha aktet për dosjen. Prokurori Dritan Premci kërkoi sot zgjatjen me 3 muaj të afateve të hetimit. Mësohet se aktualisht po verifikohen përgjimet për dy vjet nga 2015 në 2017. Jaeld Çela është një nga të akuzuarit e dosjes Habilaj. Ai u arratis bashkë me disa ish drejtues të tjerë të policisë së Vlorës, në dosjen që heton edhe ish Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ekstradimi i tij nga Shqipëria në Itali përfshiu vendin në një valë debatesh pasi konsiderohej si person kyç për të ndihmuar hetimet e nisura nga Krimet e Rënda për Saimir Tahirin. Tashmë Nezar Seiti ka dëshmuar në Prokurorinë e Katanias. Seiti ka dhënë shpjegime dhe hollësira në organin e akuzës së Katanias, dëshmi që do t’i vihet në dispozicion edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në një letërporosi të Krimeve të Rënda drejtuar autoriteteve italiane në muajin shkurt, ku kërkohej ndihmë për hetimin e çelur ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, theksohej fakti se gjatë qëndrimit në paraburgim në vendin tonë, Seiti ka refuzuar të japë shpjegime rreth çështjes. Ndaj në këtë letër porosi u kërkua që të pyetej nga autoritetet e drejtësisë atje për llogari të hetimit që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit. Nezar Seiti që konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të Moisi Habilajt, (i arrestuar ne Itali) u arrestua në Babicë të Vlorës më 19 tetor të vitit të kaluar gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan rreth 4 ton kanabis. Përgjatë katër muajve që qëndroi në paraburgim, Nezar Seiti e kyçi gojën për hetuesit shqiptarë, ndërsa nuk dihet nëse do të veprojë njësoj përpara prokurorëve në Itali.

Artikulli paraprakKryebashkiakët e kasaphanës urbane dhe të krimit, nga Veliaj tek Dako e Qazimi të paprekshëm
Artikulli tjetërRaporti i BB: Reforma e Ramës në energji goditi të varfërit