IS merr përgjegjësinë për sulmin në zyrat e Save the Children

Zyrtarët afganë kanë thënë, se të paktën dy persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë lënduar në një sulm në zyrat e Agjencisë Ndërkombëtare për Ndihma, Save the Children në Jalalabad.
Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Një sulmues vetëvrasës ka aktivizuar një makinë-bombë jashtë zyrave të organizatës në qytetin lindor, ka thënë zëdhënësi për guvernatorin e Provincës Nangarhar, Attaullah Khogyani.
Më pas një grup i personave të armatosur ka hyrë në ndërtesë dhe ka filluar përleshjen me forcat e sigurisë, ka thënë ai.
Ai ka thënë më vonë se një zyrtar policor, një civil dhe sulmuesi i dytë janë vrarë, duke shtuar se sulmuesi i tretë është duke luftuar ende.
Shefi i Policisë së Nangarhar-it Abdul Rahman Rahimi, i ka thënë Radios “Evropa e Lirë”, se është duke vazhduar operaconi ushtarak për të pastruar zonën nga sulmuesit.
Është raportuar se kanë qenë të paktën tre persona të armatosur.
Në një deklaratë dërguar mediave, zëdhënësi i grupit të talibanëve ka kundërshtuar ndonjë përfshirje të këtij grupi në sulmin e sotëm.
Qeveria e Kabulit e mbështetur nga Perëndimi, është përballur me talibanët dhe grupe të tjera militante nga tërheqja e shumicës së trupave të NATO-s më 2014.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Save the Children, është thënë se grupi është “i dëshpëruar”, pas lajmeve për sulmin duke shtuar se “shqetësimi ynë primar është për sigurinë e stafit tonë”.

Artikulli paraprakBasha: Më 27 janar shqiptarët do t’i thonë Ramës se koha e tij ka mbaruar
Artikulli tjetërKryeministri japonez do të jetë i pranishëm në Lojërat Olimpike Dimërore