Merkel do të formojë qeverinë e re

Angela Merkel më në fund do mund të krijojë qeverinë e re. Do të jetë mandati i saj i fundit e më i vështiri. Tani shtrohet çështja, çfarë do që të jetë Gjermania në të ardhmen, komenton kryeredaktorja e DW-së, Ines Pohl. Pra edhe njëherë punët përfunduan mirë. Me një shumicë të qartë prej 66%, anëtarët e Partisë Socialdemokrate i thanë “Po” një aleance të re qeverisëse me kancelaren, Angela Merkel. Para pashkëve, në fund të marsit duhet të jetë gati qeveria e re. Rruga deri këtu ishte e mundimshme. Dështime të bisedimeve të koalicionit. Politikanë të njohur, si ylli për një kohë të shkurtër i SPD-së, Martin Schulz ngecën në gjysmë të rrugës. Kancelarja e dobësuar, sepse nuk po ia dilte në një botë të re të shumë partive të vogla të krijonte qeverinë. Për Gjermaninë një situatë e re. Që nga themelimi i Republikës Federale në vitin 1949 gjithmonë njëra nga partitë e mëdha kërkonte një partner, nëse nuk arrinte të qeveriste e vetme. Kaq. Edhe në 12 vitet e fundit situata dukej e parashikueshme. Angela Merkel ishte e mbeti kancelare. Gjëra të tjera nuk interesonin aq shumë botës. Me hyrjen në Parlament të Partisë Konservatore të djathtë, AfD mori fund në Gjermani bërja politikë në forma të rehatshme. Partitë e mëdha po bëhen gjithnjë e më të vogla, të voglat më të mëdha. Dhe me këtë po komplikohet gjithnjë e më shumë gjetja e mazhorancave qeverisëse.

Gjermania lufton për identitetin
Kjo situatë e trazuar reflekton atë që po ndodh në Gjermani. Të dyja partitë popullore i kanë zhgënjyer votuesit e tyre tradicionalë kaq shumë, saqë ata tani gjithnjë e më shumë po votojnë radikalisht, në skajin e djathtë si edhe atë të majtë. Ish-partitë e mëdha nuk kanë koncepte politike për të reaguar ndaj frikës së shumë gjermanëve që ndjehen të pasigurtë, të mbingarkuar, që kuptojnë se si u shkrihen para syve rrethanat e njohura e të vetëkuptueshme të jetës. Ato nuk kanë përgjigje për sfidën se si shkojnë me njëri-tjetrin globalizmi, integrimi, identiteti. Edhe në politikën e jashtme nuk dihet qartë, se çfarë roli do të luajë Gjermania në botën e Trump-Xi-Putin dhe se çfarë do të thotë në fund të fundit të marrësh më shumë përgjegjësi në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes. Muajt e fundit të një debati të vështirë mund të jenë zilja e zgjimit, për të cilën Gjermania ka nevojë. Politikanët duhet t’u japin sërish zgjedhësve ndjesinë, se ata dëgjohen. Politika duhet të provojë, se e ka kuptuar, se ka edhe një axhendë të popullsisë, që duhet dëgjuar pa rënë në nacionalizma të vjetra e të rrezikshme. Në këtë pikë koalicioni me bazë të gjerë (CDU/CSU e SPD-shën red.) edhe pse qeveris bashkë duhet të gjejë një rrugë debati brenda aleancës, partnerët duhet të dallohen prej njëri-tjetrit. Vetëm profilet e qarta, të dallueshme do mund të ndalin humbjen e zgjedhësve. Nëse kjo nuk arrihet, të dyja partitë e mëdha në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2012 do të fundosen së bashku. Frika nga duartrokitjet e palës së gabuar, nuk duhet të luajë rol, ashtu si nuk duhet shkuar për peshkim votash në kampin nacional të djathtë të AfD-së.

Zile e fortë zgjimi
Angela Merkel mund ta krijojë tani qeverinë. Rruga deri aty ishte një sinjal i qartë, se duhet luftuar sërish për kursin politik. Me hyrjen e AfD-së në Bundestag është zgjuar një kulturë debati, që të inkurajon. Politikani i Gjelbër, Cem Özdemir ishte njëri prej tyre që mbajti një fjalim të fortë se si duhet vepruar me urrejtjen e përjashtimin. Një fëmijë i emigrantëve turq tregoi, se dashuria dhe krenaria për atdheun Gjermani nuk duhet të jenë patjetër kategori të kohës së vjetër nacionalsocialiste. Por një burim fuqie, që ndihmon për të mbrojtur marrëveshjen e një shoqërie pluraliste e liberale, që karakterizon Gjermaninë. Fjalime të tilla ka pasur kohë që nuk janë dëgjuar. Tani fillon koha e grindjes për argumentin më të mirë, epoka pa alternativa me urdhëresë ka marrë fund. Një fillim i mirë pas një faze të paralizës politike, që ka zgjatur më shumë se pesë muaj të krijimit të qeverisë.

Vlerësime pozitive – AfD kundër
Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil falënderoi bazën e partisë. “Faleminderit për debatin e pasionuar të këtyre javëve. Tani duhet qeverisje e mençur dhe ta rigjenerojmë SPD-në”, u shpreh ai. Zëvendëspresidenti i Bundestagut, Thomas Oppermann i SPD-së e vlerësoi rezultatin. “66% për marrëveshjen e koalicionit. Kjo është shumë më e qartë, se e kisha menduar. Anëtarët tanë nuk e patën të lehtë këtë vendim. Jam krenar për Partinë Socialdemokrate”. Ndërsa kritiku më i madh i koalicionit me CDU/CSU, kreu i të rinjve socialdemokratë, Kevin Kühnert u shpreh i zhgënjyer për rezultatin. “Ne dolëm për të fituar, prandaj tani sigurisht jemi të zhgënjyer, por kritika për koalicionin e madh mbetet”, shkroi ai në Twitter. Vlerësime për votën pro të socialdemokratëve erdhën edhe nga Partia Konservatore, partnerja e koalicionit të ardhshëm. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Kristiandemokrate, Annegret Kramp-Karrenbauer shkroi në Twitter se, “ky është një vendim i mirë për Gjermaninë”. Ajo shprehet e gëzuar për miratimin e gjerë të SPD-së. Edhe politikani i njohur i CDU-së, Volker Bouffier e mirëpriti votën e SPD, duke thënë se, “kjo është një ditë e mirë për njerëzit në vendin tonë dhe të ardhmen e Gjermanisë”. Politikani tjetër kristiandemokrat, Peter Altmeier e vlerëson pozitivisht rezultatin. “Të punojmë tani për Gjermaninë dhe Europën”, shprehet ai. Edhe politikani i Partisë Kristiansociale, Hans Michelbach u shpreh i lehtësuar për rezultatin. “Shumica e anëtarëve socialdemokratë i ka kërkuar qartësisht lidershipit të saj, të marrë përgjegjësi”, tha Michelbach të dielën në Berlin.
Ndërsa partia populiste e djathtë, AfD e quan këtë rezultat një katastrofë për Gjermaninë. “Më së voni në vitin 2021 do të vijë fatura. Deri atëherë ne jemi partia më e fortë opozitare për një politikë të arsyeshme e të qëndrueshme në interes të qytetarëve”, shkruan kjo parti në Twitter.

Artikulli paraprakSHBA, grup i ri pune për krizën e opioideve
Artikulli tjetërAmbasada amerikane në Ankara mbyllet për publikun