Mendoje me kokë!

Bledi KASMI

Dje Rama serviri një dosje tipike të Sigurimit të Shtetit në dy media të tij për të mbrojtur figurën e hetuesit dhe torturuesit Fatmir Xhafa, të cilin e ka emëruar si ministër të Brendshëm. Në asnjë rresht të shpifjeve të servirura për të mbuluar krimet e Xhafës nuk thuhet se Fatmiri i tij nuk ka qenë një xhelat i diktaturës.
Mënyra se si ka reaguar nuk e shpëton as Xhafën dhe as Ramën. Si Rama dhe Xhafa duhet të përgjigjen në radhë të parë për atë që kanë bërë; përgjatë diktaturës.
Duhet të japin llogari për krimet, torturat, arrestimet dhe burgosjet politike vetëm se disa qytetarë kishin ngritur një dolli për vdekjen e diktatorit. Kjo nuk do të jetë një përgjigje e lehtë e tyre. Do të jetë një përgjigje, të cilën duhet ta mendojnë me kokë.
Havzi Nela mund të mos jetojë, por krimi i Kristaqit nuk mund të mbyllet në muze. Fatmir Xhafa mund të fshehë në jetëshkrimin e tij pesë vitet si hetues në Krujë, por ata që kanë vuajtur torturat e tij i kanë plagët ende të freskëta në memorie. Sot, askush nuk ka më arsye se përse të falë ata që i kanë torturuar dje.
Nëse në fillimet e demokracisë teza bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës kishte si qëllim shpëtimin e vendit nga një luftë civile e mundshme për shkak të urrejtjes së vjetër, sot ajo ka rënë që në momentin kur Rama ka vendosur në krye të Ministrisë së Brendshme një xhelat të diktaturës.
Që në këtë moment, paqja sociale është prishur dhe cilitdo nga shtresa e ish-të përndjekurve i takon të kërkojë drejtësinë e mohuar. Rama dhe Xhafa kanë bërë gjynahe në këtë vend. Ata nuk mund të fshihen më. Njerëzit që kanë torturuar dje janë ngritur dhe janë gati të përballen. Nuk janë të pakët ata.
Është marrë si dobësi e shtresës së ish-të përndjekurve politikë sepse ata nuk kanë reaguar ndaj persekutorëve të djeshëm. Kjo është një e vërtetë e pjesshme. Statistikat që kanë kaluar pa shumë jehonë mediatike nuk tregojnë të njëjtën gjë. Gjatë këtyre viteve janë vrarë të paktën katër hetues të diktaturës nga ata që i torturonin në qeli për krimin e agjitacion propagandës. Një prej këtyre rasteve ka ndodhur vetëm pak vite më parë në Tiranë, ndërsa rastet e tjera janë dy nga Shkodra dhe një tjetër nga Jugu i vendit.
Aranit Çela vërtet është gjallë, por është masakruar nga dajaku që i është dhënë nga bashkëvuajtës të krimeve të diktaturës afër qendrës së Tiranës.
Askush nuk mund të harrojë të djeshmen mizore të këtij vendi dhe aq më pak xhelatët. Ne nuk jemi popull që harrojmë lehtë edhe nëse bie memoria e shtetit dhe kjo është e lashtë sa vetë historia e këtij vendi.
Rama ka rikthyer aparatin e genocidit komunist në krye të Ministrisë së Brendshme dhe kjo është edhe më e rëndë se llogaritë me një palë zgjedhje. Ai ka hapur një vorbull urrejtjeje aq të fortë sa mund ta gremisë aty ku nuk i ka shkuar kurrë ndërmend.

Artikulli paraprakIsh-ambasadori i SHBA: Shqipëria, eksportuesi më i madh i drogës në Europë
Artikulli tjetërFaqja e pare