Menaxherja e Niko Peleshit në krye të Bordit të Universitetit

Nga Ledia Alolli

PD e Korçëss denoncon aksionin e qeverisë për të marrë me çdo kusht drejtimin e bordit të administrimit të Universitetit “Fan Noli”, nëpërmjet emërimit në krye të këtij bordi, të njerëzve të besuar të zv.kryeministrit Niko Peleshi, të cilët, veç militantizmit amator, nuk kanë asgjë tjetër për t’i ofruar këtij institucioni.
Emërimi i kryetares së bordit të administrimit në mënyrë ekskluzive nga Peleshi, jo vetëm që cenon haptazi autonominë universitare, por vjen ndesh edhe me çdo kriter që ligji përcakton për individët që mund të zgjidhen anëtarë të bordit.
Ndërsa ligji (nr .80. Viti 2015, neni 48) kërkon që anëtarët e bordit të jenë ekspertë të njohur të fushës akademike, ekonomike, menaxheriale apo juridike, Niko Peleshi zgjedh të emërojë në këtë pozicion të rëndësishëm, pikërisht ish-punonjësen e bashkisë, e cila nuk ka bërë asgjë më shumë se sa promocionin e festës së lakrorit apo çdo lloj karnavalizmi tjetër, që prodhonte shefi i saj dje dhe sot.
Ky emërim me prapavijë të pastër politike do t’i mundësojë qeverisë dhe Peleshit, që, në çdo kohë dhe çdo aspekt, të ushtrojë ndikim dhe presion mbi stafin akademik, me të njëjtën filozofi që Peleshi kontrollon dhe emëron nga drejtorët e administratës deri tek rojet dhe pastrueset.
Niko Peleshi, qeveritari, që dëshpërimisht është vite drite larg të qenit i aftë për të kuptuar si funksionon universiteti, me këto emërime ka vetëm një qëllim: të denigrojë autonominë universitare dhe duke e denigruar ta ketë më të lehtë për ta kthyer institucionin ku prodhohen elitat dhe vlerat akademike dhe qytetare, në vasal të interesave të tij të errëta politike dhe jo vetëm.
Kapja politike e institucionit të radhës, përpos strategjisë së Peleshit për të kontrolluar edhe sasinë e ajrit që thithin korçarët reflekton nën dritën e diellit edhe kompleksin e individit, sot në pushtet, ndaj stafit akademik të universitetit, të cilët vite më parë nuk arritën dot të dallonin talentin e tij të pazakonshëm.
Studentët dhe pedagogët e Universitetit “Fan Noli” ashtu si qytetarët e Korçës i njohin Peleshit meritën e padiskutueshme dhe angazhimin, për t’i marrë institucionit ambientet e ish-Shtëpisë së Ushtarakëve dhe më pas, me të njëjtin përkushtim, për ta uzurpuar institucionin, duke emëruar në krye të bordit të administrimit individë të papërshtatshëm në çdo detaj.

Artikulli paraprakBien importet me Kosovën, rriten me Serbinë
Artikulli tjetërNjë avion i rrëmbyer libian ulet në Maltë