Memushaj rinovon deri në 2020

Pescara “blindon” Ledian Memushajn. Mesfushori vlonjat ka rinovuar kontratën që e lidh me klubin deri në vitin 2020, duke i garantuar besnikëri në këtë mënyrë fanellës bardhekaltër. Pescara nga ana e saj ka nxituar për ta larguar mesfushorin vlonjat nga sirenat e merkatos që në fakt nuk kanë munguar, duke qenë se gjatë kësaj vere është folur edhe për një ofertë prej 4 milionë eurosh nga ana e Bolognas, që ka qenë skuadra më e interesuar për 29-vjeçarin. Natyrisht që edhe paraqitjet e shkëlqyera të Ledian Memushajt me Shqipërinë në Euro 2016, ku madje vlonjati u votua në formacionin ideal të ndeshjeve në grupe nga France Football, përkrah emrave si Ramsey apo Perisic, kanë bërë që interesi për të të rritet, ndaj Pescara, duke patur në krahun e saj edhe vullnetin e vlonjatit që disa herë është shprehur se nuk do të largohet nga skuadra që këtë sezon do të luajë në Serinë A, ka nxituar për të lidhur kapitenin me një marrëveshje më afatgjatë.
Kontrata e mëparshme e Memushajt në fakt skadonte në 2019 dhe si afat kohor marrëveshja mes futbollistit shqiptar dhe klubit është zgjatur vetëm me një vit, por siç ndodh në të tilla raste sipas të gjitha gjasave Pescara duhet të ketë përmirësuar dhe anën financiare për sa i përket pagës së Memushajt për të shpërblyer në këtë mënyrë futbollistin që disa herë trajneri Massimo Odo e ka cilësuar si thelbësor për skuadrën e tij.

Artikulli paraprakElezaj për dy sezone te Peruggia
Artikulli tjetërAbrashi: Europiani, eksperiencë unike