Media belge: Kryeprokurori shqiptar kërkon ndihmë për Balilin, policia nuk e ndalon

Kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla i shoqëruar edhe nga dy vartës të tij kanë zhvilluar një vizitë në Bruksel në datën 8 shkurt dhe me vete kanë pasur edhe disa fotografi. Adriatik Llalla ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin e Belgjikës, Frédéric Van Leeuw, të cilit edhe i ka vënë në dispozicion disa fotografi. Në ato foto dukej “Escobari i Ballkanit” Klemend Balili në jahtin e tij në Sarandë, ndërsa policia shqiptare nuk ka vënë energji të plota për ta arrestuar njeriun që ka trafikuar drogë në Belgjikë, shkruan në një artikull të ditës së sotme gazeta belge, “Le Dernière Heure”. Sipas gazetës belge, kryeprokurori i Shqipërisë ka kërkuar ndihmë në Bruksel për arrestimin e Klemend Balilit, për faktin se dy bashkëpunëtorët kryesorë të tij janë arrestuar në muajin qershor të vitit 2016 në këtë vend. Gazeta i ka kushtuar një faqe të plotë Balilit, duke shpjeguar se Shqipëria është kthyer në vendin numër 1 të prodhimit të drogës. Sipas saj, edhe pse qeveria e Edi Ramës betohet se është duke luftuar mbjelljen dhe trafikun e drogës, në fakt duket se Shqipëria nuk e ka seriozisht luftën ndaj saj, por as arrestimin e Klemend Balilit.  Gjithashtu gazeta shkruan se për mos arrestimin e Klemend Balilit ka pasur edhe një përplasje dhe akuza të shumta mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe atij të Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili më pas dha dorëheqjen nga posti. Çështja “Balili” dhe vijimësia e pocesit gjyqësor ndaj deputetit Mark Frroku kanë qenë dy nga temat që janë diskutuar mes Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe homologut të tij belg, Frederic Van Leeuw, në një takim të zhvilluar dy javë më parë në Bruksel. Konkretisht gjatë takimit të zhvilluar në Bruksel me Prokurorin Federal të Belgjikës, Frederic Van Leeuw, kreu i organit shqiptar të akuzës, ka përmendur në takim faktin që, “Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi pak ditë më parë për problematikën me narkotikët, nisur edhe nga një rast konkret, hetimi për të cilin ka nisur pikërisht nga autoritetet e Belgjikës”. Fakti që hetimet ndaj Balilit, kanë nisur fillimisht nga Belgjika dhe jo nga Greqia, siç pohon për herë të parë Llalla, qartësisht le të kuptohet se, Balili ka patur një rol kyç në trafikun me tonelata të kokainës në BE dhe nuk ka qenë thjesht një trafikant hashashi rajonal. Aq sa me të drejtë, ai mund të konsiderohet si “Eskobari i Europës” më shumë se sa i Ballkanit. Llalla është njohur nga Prokurori Federal i Belgjikës me problematikën e kriminalitetit shqiptar në atë vend, kryesisht për grupet që ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme në shfrytëzimin e prostitucionit dhe trafikimit e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Për këto shqetësime, Llalla garantoi se Prokuroria, si edhe institucionet e tjera ligjzbatuese, do të vijojnë shkëmbimin e informacionit me autoritetet belge, si edhe do të intensifikojnë hetimet për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive në vendin tonë të shtetasve shqiptarë që janë të përfshirë në grupe kriminale në Belgjikë.

A.Shahini

Artikulli paraprakArabia Saudite do të dërgojë ushtarë në Siri
Artikulli tjetërDrama e Greqisë shtyhet sërish