Më në fund kemi një Komision Hetimor

Asnjë komision hetimor nuk ka bërë, deri më sot, atë që po bën Komisioni Hetimor i inceneratorëve. Jemi mësuar me maksimën e Churchill se nëse doni të mos e zgjidhni një çështje, ngrini një komision. I tillë ka qenë fati i pothuajse të gjitha komisioneve hetimore të ngritura në Kuvendin e Shqipërisë. Të përdorura kryesisht për propagandë, mbledhjet e këtyre komisioneve nuk kanë nxjerrë asgjë që të ketë lënë gjurmë në zhvillimet politike të vendit.

Megjithë vështirësitë, strategjitë e rezistencës dhe teknologjitë e zhurmës nga ana e përfaqësuesve socialistë, ky komision deri tani ia ka dalë të prodhojë fakte, lajme dhe proces rigoroz. Nga pikëpamja komunikative, mbledhjet e tij të transmetuara drejtpërdrejt janë një shkollë dimërore e edukimit dhe informimit të publikut me praktikat e një prej instrumentave më të mbipërdorur nga qeveria Rama: PPP-të apo konçesionet. Sot, mijëra shqiptarë e njohin më mirë skemën e korrupsionit që deri tani u ka kushtuar taksave të qytetarëve rreth 90 milion euro.

Dëshmitë e paraqitura në mbledhjet e këtij komisioni kanë nxjerrë në dritë fakte tronditëse të zhdukjes së këtyre shumave dhe politikanët e grupet përgjegjëse për kryerjen e këtyre akteve korruptive. Disa politikanë të lartë janë arrestuar, marrë nën hetim apo pyetur në SPAK, jo nga dëshira e madhe e SPAK apo guximi për të hetuar korrupsionin e lartë, por nga pamundësia për të ndalur fuqinë e fakteve dhe presionin e një opinioni publik të informuar më mirë mbi këtë dosje.

Disa nga faktet që shqiptarët mësuan nga puna e këtij komisioni deri tani:
• Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, dhe e gjithë qeveria Rama ishin vënë në dijeni nga Agjensia e Prokurimit Publik që në nëntor të vitit 2014 se procedura e inceneratorit të Elbasanit ishte e paligjshme.
• Kompanive konçesionare Zoto-Mërtiri u janë dhënë 20 milion euro paradhënie për djegien e mbetjeve deri në vitin 2019, edhe pse inceneratorët nuk kanë ekzistuar, pra mbetjet nuk janë djegur.
• Qeveria Rama ka paguar për ndërtimin e 3 inceneratorëve …. milion euro. Paratë janë shpenzuar me objekt ndërtimin e inceneratorëve por inceneratorët nuk ekzistojnë.
• Në vend që t’i përdorte për ndërtimin e inceneratorëve, Klodian Zoto ka paguar veten për konsulencë (nuk dihet për çfarë ekspertize të rrallë) me shumën 23 milion euro. Pra, paratë publike të paguara për ndërtimin e inceneratorëve kanë përfunduar në xhepat e Zotos për shërbime këshillimi.
• Bashkia e Fierit e drejtuar nga Armando Subashi, në vend që të zgjidhte një truall në pronësi të shtetit për ndërtimin e inceneratorit, zgjodhi një truall privat të cilit ia dyfishoi çmimin duke e çuar në 460 milion lekë.
• Me vendimin për të licensuar vetëm një operator për administrimin e dherave nga ndërtimi, Bashkia e Tiranës kishte krijuar një monopol;
• Me pagesën e tarifës së incenerimit kur nuk ekziston inceneratori ajo i ka shkaktuar buxhetit një dëm miliona euro dhe ka kryer një akt korrupsioni të mirëfilltë;
• Me marrjen e atributeve të qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Veliaj ka kryer korrupsion dhe abuzim.
• Etj

Në këtë komision u provua, gjithashtu, kompliciteti i gjithë qeverisë socialiste me fakte siç u provua edhe me avokatinë pasionante dhe të dëshpëruar që u bëhej dëshmitarëve nga anëtarët socialist të komisionit. Përpjekjet pa pushim për ta bllokuar dhe prishur procesin janë dëshmi e alarmit që po shkakton zbardhja për publikun e aferës 430 milion euro.

Nga 430 milion euro të planifikuara për t’u përpirë me këtë skemë mafioze, Komisioni Hetimor i drejtuar nga nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku ka shansin të bëhet shkak për shpëtimin e rreth 340 milion eurove nga buxheti. Njëkohësisht, nxjerrja në dritë e fakteve të veprimtarisë korruptive të ministrave, deputeteve dhe kryebashkiakëve të regjimit, është shndërruar në një presion pozitiv për SPAK për t’i hetuar dhe zbardhur plotësisht këto skema të shkrirjes së shtetit më mafian.

A do ta dëshmojë SPAK pavarësinë nga regjimi i Ramës? Institucioni më i përkrahur nga SHBA dhe BE për luftën ndaj korrupsionit është përpara provës së zjarrit. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Prandaj, çdo vonesë e SPAK në këtë drejtim është dështim i drejtësisë. Por kësaj here, askush nuk mund të thotë se Partia Demokratike nuk ia doli dhe se presioni ndërkombëtar nuk funksionon. Kur kushtet minimale për të bërë opozicion u sigurokan, opozita nuk dështoka. Dhe komisioni nuk qenka një strategji për të mbyllur një çështje, por qenka edhe një instrument efektiv për ta zbërthyer për publikun.

E fundit, jo për nga rëndësia, ngulmimi i Partisë Demokratike për ta çuar në fund aferën e inceneratorëve u shpërblye, ndërsa akuzat për komplicitetin e PD në këtë mega-aferë korrupsioni u zhbënë. Ndërkaq, qetësia dhe maturia e drejtimit të komisionit nga Jorida Tabaku provoi se PD-së nuk i mungojnë politikanët e mirë dhe punëtorë por politika i ka kufijtë e saj dhe nuk mund të testohet duke e vënë përballë mafias, bandave dhe oligarkëve të parasë.

Artikulli paraprakInceneratorët/ PD: Ahmetaj dhe Gjiknuri kanë udhëtuar disa herë jashtë vendit me Mërtirin e Zoton
Artikulli tjetërShtrenjtimi i energjisë fillon të japë pasoja te bizneset