Më mirë kullat se ajër kemi, tokë nuk kemi

Veliaj prezantoi dje planin e ri urbanistik të Tiranës, i cili do të zbatohet në tre vitet e ardhshme.
Në një takim zhvilluar tek Piramida, zoti Veliaj bashkë me arkitektin Stefano Boeri folën për ndryshimet që do të pësojë Tirana. Veliaj tha se qëllimi i këtij plani është mbushja e Tiranës me kulla të larta, pasi kështu sipas tij do të kursehen sipërfaqet e tokave. “Ajër kemi, por tokë nuk kemi”, tha Veliaj. Sipas tij plani i ri urbanistik i kryeqytetit, i cili është vepër e klientelës së Ramës dhe arkitektit Boer nën akuzë për korrupsion në Itali do të synojë tek kullat e larta nga 10 kate e sipër.
“Ka shumë njerëz që thonë ‘Unë i urrej kullat’, po mirë t’ju bëj një pyetje, nëse ne kemi një hapësirë 500 metra katrorë, është më mirë që dikush ta zërë të gjithë këtë 500 metra katrorë, në pronën e vet private, me të drejtën për ta zhvilluar, me dy kate, pra 1 mijë metra katrorë t’i zhvillojë në këtë 500 metërsh apo mos është më inteligjente që të përdorë vetëm 100 metra katrorë, ta bëjë 10-katësh dhe të gjithë hapësirën tjetër t’ia lërë publikut? Sepse ajër kemi, tokë nuk kemi”, tha Veliaj.
Ata që do të përfitojnë nga ky projekt do të jenë ndërtuesit, të cilët do të ndajnë përqindjet e fitimit me Ramën dhe bedelin e tij në Bashkinë e Tiranës. Ajo çfarë nuk ka thënë as Veliaj dhe as arkitekti Boeri është se sa mund të përballojë qyteti i Tiranës rritjen e frikshme të popullisë në bazë të planit të ri të mbushjes së Tiranës me kulla 10-katëshe. Aktualisht popullsia e Tiranës është rreth 1 milion banorë, ndërsa me planin e ri urbanistik parashikohet që popullsia të rritet. Plani i ri që parashikon ndërtimin e kullave të larta në të njëjtën kohë nuk mund të përballohet nga infrastruktura rrugore. Kjo do ta bëjë Tiranën një qytet tërësisht të pabanueshëm. Aktualisht mesatarja e makinave për banorë në Tiranë është 1 makinë për 15 banorë dhe ky raport është i papërballueshëm për infrastrukturën aktuale rrugore. Është e kuptueshme se si do të jetë Tirana me planin e ri kur dendësia e popullsisë do të rritet dhe po ashtu edhe numri i përdoruesve të makinave.
Për hir të interesave të babëzizë Tirana do të bëhet një qytet tërësisht i pabanueshëm.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakShqipëria vend me angazhim të ulët social
Artikulli tjetërBerisha: Rama dhe Veliaj vrasin për së dyti Arditin e mjerë!