Me De Bor Interi do shkojë larg

Në intervistën e djeshme që dha për mikrofonat e “Rai”-it, gjatë emisionit “Radio Anch’io – Lo Sport”, Havier Zaneti ruajti profil të ulët, por nuk hezitoi të deklaronte se ekipi i tij i zemrës do të luftojë që në këtë sezon për objektiva të mëdhenj. Zëvendëspresidenti shigjetoi edhe Juven, duke pohuar se nuk është një shembull për Interin. Ai i befasoi drejtuesit e emisionit kur tha se kishte nisur që të kuptohej me drejtuesit kinezë: “Me ngadalë po mësoj edhe atë gjuhë”.
-Në shoqëri ambienti është mjaft pozitiv, pasi pronarët duan që të investojnë.
Po, kjo është diçka e mirë. “Suning” është një grup i fortë dhe serioz, që ka ardhur me qëllim që të qëndrojë gjatë. Të gjithë jemi gati të bëjmë të mundur që Interi të shkojë larg.
-Interi është një kantier interesant, pasi De Bur po punon mirë. Edhe kundër Bolonjës, zikaltrit luajtën mirë taktikisht.
Frenku po punon shumë mirë. Vështirësitë e fillimsezonit ishin normale, sepse ai nuk e njihte kampionatin italian. Po punon shumë dhe shpresoj që të ngjitemi në vendet e para.
-Milito tha se ju mund të emëroheshit president. A do t’ju pëlqente?
E falënderoj Diegon. Në këtë moment, unë po ndjek rrugën time dhe jam i kënaqur për mundësinë që më është dhënë. E falënderoj Erik Tohirin dhe shoqërinë e re për besimin që më kanë dhënë, pasi tani ndihem edhe më i përfshirë në klub.
-De Buri ka nisur që të njihet më mirë me ekipin. A do t’i jepni mundësinë që të kërkojë lojtarë të tjerë në dimër?
Sigurisht që po. Ne me Frenkun flasim shpesh për merkaton dhe do të vlerësojmë pikat ku duhet që të ndërhyjmë. Duam që t’i plotësojmë çdo dëshirë.
-Deri më tani, Interi vetëm një ndeshje në shtatë të luajtura ka shmangur disavantazhin. Si mendoni, është një koincidencë apo ka një motiv?
Kemi ende shumë punë për të bërë, por në secilën prej ndeshjeve që përmendët Interi ka zhvilluar lojë të mirë. Fakti që kemi pësuar gol të parët, na ka motivuar edhe më shumë.
-A është ky ekip në planin taktik njëra prej skuadrave më të forta që ka pasur Interi që prej largimit të Murinjos?
Kjo është e vërtetë, pasi tani kemi afruar lojtarë si Kandreva, Banega dhe Zhoao Mario, të cilët kanë rritur shumë kualitetin e skuadrës. Këta djem kanë shumë për të dhënë. Shpresoj që të mjaftojë që të arrijmë objektiva të mëdhenj.
-Si e konsideroni Ligën e Europës?
Duhet ta nderojmë, sepse është një kompeticion europian. Të enjten do të kemi mundësi që të harrojmë paraqitjen e bërë në takimin e parë.
-A luani më futboll me miqtë?
Po, falë Toldos dhe “Inter Forever” grumbullohemi për të luajtur.
-A mund të na tregoni diçka më shumë rreth planeve që kanë kinezët për Interin?
Punojmë që të rrisim ekipin. Po mendojmë për projektin e stadiumit dhe të një strukture të re për ekipet zinxhirë.
-E ardhmja e futbollit italian është gjithmonë e më shumë e lidhur me Kinën.
Me shumë mundësi, po. Unë mund të flas për Interin, e cila ka gjetur një partner serioz, i cili e di mirë historinë e klubit. Ata duan që edhe në të ardhmen skuadra të rikthehet e të luftojë për trofe të mëdhenj.
-A jeni interesuar për kinezë që duan Milanin?
Jo, edhe pse ne kurrë nuk kemi pyetur për ata. Nuk e dimë të ardhmen e Milanit dhe them se është e drejtë kjo sjellje, pasi është diçka që nuk na përket.
-A është De Bur një trajner menaxher, që i pëlqen ta bëjë vetë merkaton?
De Bur është pjesë e një grupi pune. Ai, si të gjithë të tjerët, thotë të vetën dhe vetëm më pas vendoset se çfarë është më e mirë për klubin.
-E mbyllim me Juven, a është një pikë referimi për Interin?
Jo, jemi dy shoqëri krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Secila ka bërë rrugëtimin e vet dhe ka historinë e vet. Ne do të mundohemi që të arrijmë suksesin me kapacitetin tonë.

Artikulli paraprak“Do ta hedh Guardiolën në gjyq”
Artikulli tjetërTotti 40 vjeç, Roma feston me kapitenin