Mbi 18 mijë biznese nuk paguajnë detyrimet

 

Numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet tatimore, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka ardhur në rënie. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku shihet qartë se numri i bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet nga fundi i vitit të kaluar deri në muajin qershor, kur është dhe përditësimi i fundit nga kjo administratë, janë ulur me numër të konsiderueshëm biznesesh.
Sipas shifrave zyrtare nga kjo drejtori, lista e bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet tatimore në mesin e dhjetorit ishte 19 834, nga 13 778 biznese që ishin në fund të vitit 2015. Referuar këtyre statistikave, kësaj “liste të zezë” vetëm gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti i janë hequr 1344 subjekte. Evidentimi i tatimpaguesve të cilët janë subjekt i Mbledhjes së Borxhit Tatimor tashmë është një proces që kryhet automatikisht me vënien në funksionim të sistemit të ri elektronik.
Sipas argumentimit të Tatimeve, në uljen e këtij numri ka ndikuar ndryshimi i sjelljes së kësaj administrate me sipërmarrjen, dhe e dyta, krijimi i lehtësive me anë të marrëveshjeve të posaçme për pagesat e detyrimeve me këste. Por të njëjtat burime bëjnë me dije se për pak kohë ky numër do të vazhdojë të bjerë, pasi me hyrjen në fuqi të ligjit të faljes, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve “borxhlie” do të fshihen nga sistemi informatik i tatimeve.
Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar.

Artikulli paraprakEkspertët parashikojnë rënie të euros dhe dollarit
Artikulli tjetërBMI: Ekonomia shqiptare me rreziqe të larta