Mbi 1 miliard euro për 4 vjet

Pesha e agjentëve të futbollistëve në tregun ndërkombëtar është rritur ndjeshëm dhe për këtë, nuk ka asnjë dyshim, sepse shifrat flasin qartë. Tashmë ata janë bërë pjesë integrale e futbollit dhe një realitet i pamohueshëm nga askush. Influenca në rritje e disa prej emrave më të lakuar të kësaj fushe është bërë shkak që shpesh herë mes tyre dhe klubeve të rëndësishme kontinentale të regjistrohen edhe përplasje të ashpra. FIFA publikon një studim serioz të “Trasfer Matching System”, kompani që monitoron transferimet e lojtarëve.
Sipas raportit, në 4 vitet e fundit, agjentët kanë prekur kufirin maksimal të fitimeve, rreth 1 miliard euro dhe kjo vetëm falë punës së tyre si ndërmjetës. Shifra të çmendura, por gjithmonë në rritje, pasi 2016-ta ishte për ta një vit i artë. Vetëm gjatë 11 muajve të fundit, fitimet e tyre janë rritur me 34% krahasuar me një vit më parë. Është Europa që kontrollon pjesën më të madhe të parave, pasi plot 98% e të ardhurave për agjentët janë siguruar pikërisht në kontinentin e vjetër.
Studimi nis që prej vitit 2013, kur u shpenzuan 218 milionë vetëm për agjentët dhe më pas rritja ka qenë progresive me kulmin në vitin 2016, kur janë shpenzuar 368 milionë euro vetëm për komisionet e agjentëve. Të dhënat tregojnë se, klubet që po pasurojnë më shumë agjentët janë ato angleze dhe italiane me 58% të të ardhurave, ndërsa më pas, por me një diferencë të madhe ndjekin Gjermania, Portugalia, Spanja dhe Franca.
Ata që arkëtojnë më shumë janë padyshim agjentët yje të kësaj fushe dhe në Europë numërohen me shumicë, ndërsa gjatë 4 viteve të fundit, operacionet e ndërmjetësimit janë saktësisht 10.875. Në jo pak raste, i njëjti agjent ka përfaqësuar disa lojtarë. Një biznes i vërtetë për njerëzit jashtë fushës së blertë, por që në futbll po bëhen përherë e më të fuqishëm falë vendimeve që marrin.

Artikulli paraprakZbulohet e ardhmja e Schweinsteiger
Artikulli tjetërA mund Europa ta mbrojë veten?