Mbappe tek Real Madridi

Kylian Mbappe ka zgjedhur Realin e Madridin. Sipas të përditshmes sportive madrilene, “Marca”, Kylian Mbappe është i gatshëm të transferohet në Real Madrid gjatë verës. Talenti francez ka shkëlqyer me Monaco gjatë këtij sezoni në Ligue 1 dhe Ligën e Kampionëve. Ai ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave të mëdha evropiane, por e ardhmja e sulmuesit të ri francez pritet të jetë në “Santiago Bernabeu”.
Falë paraqitjeve të tij, sulmuesi i Monacos ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha europiane, siç janë Man. United, PSG dhe padiskutim jashtë kësaj gare nuk mund të qëndronte ekipi i Zinedine Zidane, i cili e ka kthyer në objektivin numër një transferimin e Mbappe në “Santiago Bernabeu”. Reali i Madridit nuk ka ndërmend të presë gjatë në realizimin e dëshirës, pasi rivaliteti është i madh dhe nisur nga kjo ata kanë nisur bisedimet për të bindur lojtarin dhe menaxherin e tij. “Los Blancos” duket se janë më të favorizuarit nga kjo garë dhe një nga arsyet është se timonieri i anijes merenges është tekniku francez Zidane, bashkëkombas i 18-vjeçarit, i cili e ka kërkuar edhe më herët Mbappe, kur ai ishte ende një talent pak i njohur.
Një arsye tjetër është se, Reali është e vetmja skuadër që ka shfaqur interes konkret. Përgjatë gjithë këtij sezoni drejtuesit madrilenë janë treguar shumë të vëmendshëm në takimet që ka zhvilluar Monaco, pasi në radhët e skuadrës ka edhe elementë të tjerë cilësorë, siç janë Bernardo Silva, Lemar dhe Mendy, por ai që ka spikatur më shumë është Kylian Mbappe, i cili edhe pse në një moshë fare të re, në fushën e lojës tregon se është një futbollist i maturuar. I shpejtë, teknik, golashënues, driblues dhe i fortë fizikisht, të gjitha këto element e bëjnë Mbappe një sulmues kalibri. Ende nuk mund të flitet për shifra konkrete që do të ofrohen në transferimin e 18-vjeçarit, por një gjë është e sigurt shuma do të jetë e konsiderueshme dhe kur vjen fjala tek shpenzimet e mëdha në merkato Reali i Madridit shpesh ka treguar që nuk kursehet.

Artikulli paraprak“Serenissima”, mbyllet një histori korrupsioni dhe krimi ekonomik
Artikulli tjetërMoura “divorc” me PSG