Mavraj në dyshim për Augsburgun

Mërgim Mavraj pritet të mungojë në ndeshjen e fundjavës me Augsburgun, në kuadër të javës së 32-të të Bundesligës. Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare shfaqi probleme muskulare gjatë stërvitjes, duke u detyruar që t’i ndërpresë përgatitjet. Trajneri i Kolnit, Peter Stoger, i pyetur për mundësinë e aktivizimit të 29-vjeçarit në transfertën e radhës, u shpreh me rezerva, duke theksuar se do të vendosë për grumbullimin ose jo të mbrojtësit vetëm në momentin e fundit. Gjatë pjesës së dytë të sezonit Mavraj, edhe pse u kthye nga një dëmtim i rëndë, u shndërrua në pikë kyçe e mbrojtjes, ku fitoi menjëherë një vend titullari.
Cilësitë e Mavrajt i kanë dhënë mundësi trajnerit Stoger që të provojë edhe një mbrojtje me tre, me shqiptarin në qendër. Mavraj konsiderohet gjithashtu një nga pikat më të forta të Shqipërisë në fazën mbrojtëse në finalet e Europianit që do të zhvillohet këtë verë në Francë. Gjatë këtij sezoni 29-vjeçari është aktivizuar në 10 ndeshje të Bundesligës, 9 herë titullar dhe vetëm një rast si zëvendësues. Me kuqezinjtë, Mavraj ka luajtur në 24 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

Artikulli paraprakBeteja e së martës, Trump 5 shtete, Klinton 4
Artikulli tjetërKosova, Bunjaki: Alban Meha është i mirëpritur