Matis: Serbia do njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se është i bindur që administrata e re amerikane do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, posaçërisht për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ai i bëri këto komente pas publikimit të një dokumenti, në të cilin Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, citohet të ketë thënë se prania e forcave të NATO-s mbetet thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon. Gjatë seancës së konfirmimit të tij në senatin amerikan më 12 janar, ai citohet të ketë thënë se para çdo vendimi për shkurtimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, Forca e Sigurisë duhet të marrë mandatin për sigurinë dhe mbrojtjen territoriale.
“Përshëndes qëndrimin e Sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës zotit Mattis për Kosovën, për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe qëndrimet në rajon. E kam theksuar edhe më herët, se edhe nga kontaktet me administratën e re të SHBA-ve dhe Presidentit Trump, Kosova do të vazhdojë të mbetet në fokus të thellë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një politikë të kujdesshme për konsolidimin dhe afirmimin e shtetit tonë, për thellimin e raporteve të posaçme dhe të përjetshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve prandaj këtë qëndrim e përshëndes fuqishëm dhe zotohemi në kryerjen e obligimeve tona kushtetuese, ligjore sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare”, tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Sekretari Mattis ka theksuar se, Kosova është një shembull se çfarë ndodh kur komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, përkushtohet angazhohet për mbrojtjen e vlerave dhe interesave të tij.
Ai i ka vlerësuar si thelbësore përpjekjet e Bashkimit Evropian për zhvillimin ekonomik dhe politik në Kosovë si dhe për qëndrueshmërinë e saj. Bashkimi Evropian ka theksuar ai, tashmë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë, duke ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet dialogut Beograd-Prishtinë. Bisedimet lejojnë të dyja shtetet të përparojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me mirëkuptimin se njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia do të përmbyllet para anëtarësimit.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën me praninë ushtarake dhe civile. Rreth 650 trupa amerikane vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s, ndërsa Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka një bazë ushtarake amerikane.
Roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të saj të Kosovës. Udhëheqës të institucioneve dhe partive politike shfaqin shpresën për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe ato të integrimeve euroatlantike.

Trump firmos për ringritjen e ushtrisë, avionë e anije të reja

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dy urdhra ekzekutivë për forcimin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Njëri prej urdhërave ndalon refugjatët sirianë të hyjnë në SHBA për një periudhë të pacaktuar kohore dhe ngarkon Departamentin e Sigurisë për krijimin dhe përditësimin e një liste me vende problematike.
Presidenti Trump mori pjesë dje në Pentagon në ceremoninë e betimit të Sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis, të cilin e quajti një “njeri të veprimit”.
Duke përshkruar admirimin e tij për njerëzit në uniformë, Presidenti amerikan njoftoi nënshkrimin e dy urdhërave të rinj ekzekutivë që ai tha se do të forcojnë forcat e armatosura të SHBA-së.
“Po nënshkruaj pikë së pari, një urdhër ekzekutiv për fillimin e një rindërtimi të forcave të armatosura, për avionë të rinj, anije të reja, dhe burime mbështetëse për burrat dhe gratë tona me uniformë. Jam shumë krenar për këtë veprim”.
Urdhëri i dytë do të ketë efekte mbi disa vende problematike.
“Së dyti, po vendos masa të reja kontrolli për t’i mbajtur jashtë SHBA-së terroristët radikalë islamikë. Nuk i duam këtu. Duhet të sigurohemi se nuk do të pranojmë në vend rreziqet që ushtarakët tonë luftojnë përtej oqeanit”, tha Presidenti Trump.
Si bazë për këtë vendim, urdhëri citon sulmet e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, të cilat u kryen nga 19 të huaj që patën marrë pa vështirësi viza hyrjeje për në SHBA.
Urdhëri nuk përcakton se cilat janë vendet problematike, por autorizon megjithatë Departamentin e Sigurisë të mbajë në vëmendje vendet që nuk ofrojnë informacion të mjaftueshëm për shtetasit e tyre.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë patën sinjalizuar fillimisht se ndër këto vende do të ishin Irani, Iraku, Siria, Sudani, Libia, Jemeni dhe Somalia, dhe urdhëri përcakton se listës mund t’i shtohen vende të tjera në çdo kohë.
Dy agjensi të OKB-së për refugjatët, UNHCR-ja dhe IOM, deklaruan se shpresojnë që SHBA-ja do të vazhdojë traditën e saj të gjatë dhe rolin udhëheqës në mbrojtje të njerëzve që i largohen konfliktit dhe persekutimit.
“Urdhëri ekzekutiv pezullon gjërat për 4 muaj. Ndërkohë, shpresojmë të bashkëpunojmë me administratën amerikane për t’u siguruar se, ndërsa merren të gjitha masat e duhura të sigurisë, të mundësohet edhe zhvendosja për njerëzit që kanë vërtet nevojë”, tha Leonard Doyle, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, kjo është një mundësi për vende të tjera që të tregohen po aq bujare në mikpritjen e refugjatëve, sa ç’është treguar SHBA-ja. Zoti Doyle thotë se përveç Gjermanisë, vende të tjera të BE-së nuk po pranojnë aktualisht zhvendosje të refugjatëve.

Artikulli paraprakTelefonata, Thaçi-Vuçiç: U pajtuam për dialog
Artikulli tjetërKu po pastrohen paratë e drogës?