Maskat terror në Vlorë, grabiten tre karburante

Tre karburante janë grabitur nga maskat nën kërcënimin e armëve në Vlorë. Sipas burimeve, dy grabitje me armë kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa një tjetër ka ndodhur të dielën. Burime nga policia thanë se, ngjarja e parë ka ndodhur në lagjen “Isa Boletini” në Vlorë, ku persona ende të paidentifikuar kanë grabitur me armë një pikë karburanti. Ata i kanë marrë rojes një shumë prej 180 mijë lekësh dhe më pas janë larguar.
Ndërkohë, dy grabitje të tjera kanë ndodhur brenda 1 ore mëngjesin e djeshëm, ku në të dyja ngjarjet kanë qenë dy persona të maskuar dhe me armë, që u kanë marrë lekët e xhiros ditore punonjësve të karburanteve. Kështu në orën 02:30 minuta të mëngjesit në rrugën “Transballkanike”, dy persona të maskuar dhe me armë në dorë kanë grabitur një karburant. Burime nga policia u shprehen se, grabitësit i kanë marrë rojes shumën prej 150 mijë lekësh dhe më pas janë larguar.
Por pa kaluar 1 orë nga grabitja e parë, ka ndodhur edhe grabitja e dytë. Po dy persona me maska dhe të armatosur kanë grabitur një karburant, ku kanë marrë një shumë prej 80 mijë lekësh. Këtë herë grabitja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, ndërsa për të dyja ngjarjet policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Policia e Vlorës bëri të ditur se ka nisur hetimet e nevojshme dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e grabitësve të maskuar.
Grabitjet me maska janë kthyer në tmerr për biznesmenët, por edhe për qytetarët në të gjitjhë vendin. Të shtunën, maskat grabitën një supermarket nën kërcënimin e armës në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në Allias, ku një person i armatosur dhe i maskuar ka kërcënuar arkëtaren e një supermarketi dhe kanë marrë të gjitha paratë e xhiros ditore. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, grabitësi i maskuar i ka drejtuar armën arkëtares dhe i ka kërkuar paratë e xhiros, të cilat i ka futur në një qese dhe është larguar me shpejtësi.
Shitësja është terrorizuar nga grabitësi i armatosur dhe i ka dhënë të gjitha paratë që ndodheshin në arkë. “Paratë shpejt, paratë”, mësohet se i ka thënë grabitësi shitëses. Në supermarket ka patur edhe disa klientë të tjerë, të cilët janë kërcënuar nga grabitësi se do t’i qëllonte me armë nëse lëvizin.
Para pak ditësh, tre persona të armatosur dhe me maska i grabitën makinën një qytetari në Tiranë. Sipas burimeve, tre persona të armatosur dhe me maska kanë thyer njërin xham të makinës së parkuar poshtë shtëpisë së tenorit Ylber Gjini. Maskat kanë grabitur makinën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur për policinë. Pronari i makinës ka njoftuar menjëherë policinë, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorëve.
Po ashtu, pre e grabitjes nga maskat kanë rënë mjaft biznese dhe pronarë dyqanesh. Persona të maskuar dhe të armatosur grabitën një karburant në zonën e Ibës në Tiranë. Ndërsa para një jave ndodhën dy grabitje në Elbasan. Pronari i banesës tha se falënderon maskat që nuk e vranë. Para pak ditësh, një tjetër grabitje ndodhi në Korçë, ku persona të armatosur u futën në banesën e një biznesmeni dhe arritën të marrin nën kërcënimin e armëve rreth 8 milionë lekë. Edhe në këtë rast, autorët janë ende të lirë.

Artikulli paraprakGjushi sfidon gjykatën, hedh beton në zonën e mbrojtur
Artikulli tjetërDëshmia në Gjykatë: Si më qëlloi me pistoletë Prenga