Maskat terror, grabitje në Tiranë, Laç dhe Vlorë

Vetëm ditën e djeshme u kryen tre grabitje nga persona të armatosur dhe me maska në Tiranë, Laç dhe Vlorë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në një banesë në Paskuqan dhe duke ushtruar dhunë dhe terror ndaj familjarëve kanë arritur të grabisin një shumë parash dhe një makinë që ndodhej në oborrin e shtëpisë. Burime nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:56 minuta të mëngjesit të së shtunës në Paskuqan 2, pranë një karburanti. Sipas policisë, tre persona të armatosur me armë zjarri, kanë hyrë në banesën e qytetarit me inicialet K. P.
Këta persona, kanë kontrolluar banesën dhe kanë vjedhur, tre aparate telefonik, shumën monetare prej 32.000 lekë të reja dhe automjetin tip “Volksvagen”. Rreth orës 03:50, automjeti është gjendur i braktisur tek diga e Liqenit në Paskuqan.
Sipas rrëfimit të çiftit të grabitur, autorët kanë qenë tre persona të maskuar me bluze me kapuç. Për disa minuta, agresorët kanë terrorizuar çiftin e të moshuarve që jetonin me vajzën e tyre të paralizuar. Autorët kanë mundur t’i marrin çiftit, një shumë prej rreth 30 mijë lekësh të reja, një sasi bizhuterishë dhe një veturë “Volksvagen”, të cilën e braktisën pranë rezervuarit të Paskuqanit.
Shkurte Kurbibaj, rrëfeu momentet e tmerrit për Televizionin “Klan”. “Pasi ka rënë dera e ballkonit u ngrit burri, ndezëm dritat këtu brenda, sepse jashtë i mbajmë fikur ngaqë nuk duam të harxhojmë. Ndezëm dritat këtu, pa kaluar 5 minuta ra dera tjetër. Thyen atë derë pastaj erdhën dhe thyen edhe derën tjetër… na kanë kërcënuar me tre pistoleta tek koka”, rrëfen gruaja e moshuar.
Në momentin e grabitjes në banesë ndodheshin vetëm çifti i të moshuarve dhe vajza e tyre e paralizuar. Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, por deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk u arrit të zbulohen dhe arrestohen autorët. Dyshimet e para të policisë janë se autorët mund të jenë banorë të zonës, të cilët njohin çiftin dhe se kanë dijeni mbi faktin se djali i tyre është emigrant në Angli.

Maskat marrin peng rojen dhe grabisin firmën
Një tjetër grabitje ka ndodhur, por këtë herë ngjarja ka ndodhur në Laç. Burime zyrtare nga policia thanë se tre persona të armatosur dhe me maska kanë mbajtur peng fillimisht rojen dhe më pas kanë grabitur firmën. “Në një firmë materiale ndërtimi në pronësi të qytetarit me inicialet M. V., tre persona të maskuar, pasi kanë mbajtur pa e dhunuar fizikisht rojën e objektit, kanë hapur me forcë qepenat dhe kanë vjedhur disa materiale”, thanë burime nga policia. Pas grabitjes të maskuarit janë larguar, ndërsa policia është njoftuar nga roja. Policia tha se është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grabitet me armë një karburant në Vlorë
Tjetër grabitje me armë, këtë herë bëhet fjalë për një karburant që është sulmuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime nga policia thanë se, “në orët e para të ditës së shtunë, konkretisht rreth orës 04:35, në rrugën “Transballkanike”, në një pikë karburanti, 3 persona të maskuar, me thikë dhe mjete të forta, i kanë marrë 300 mijë lekë punonjësit të karburantit, me inicialet B. Xh.”.
Fatmirësisht punonjësi i karburantit nuk ka reaguar, duke shpëtuar i pa plagosur. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet në lidhje me identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj grabitjeje.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetër4 ton drogë në 2 ditë në Itali, vetëm Rama nuk e pranon