Maskat grabisin kasafortën e kantinës së verës në Durrës

Tre persona të maskuar dhe të armatosur sulmuan mëngjesin e kësaj të hëne një kantinë prodhimi pijesh alkolike në Rrashbull të Durrësit. Sipas policisë, grabitësit goditën dhe lidhën me litar rojen dhe më pas morën një kasafortë. Kur dolën nga ambientet e kantinës, autorët morën edhe mjetin e kantinës, një furgon tip “Benz”.
Disa orë më vonë, ky furgon u gjet i braktisur në rrugën Fushë-Krujë në afërsi të fshatit Derven. Nga të dhënat e deritanishme të policisë njoftohen se, shuma e vjedhur është afro shtatë mijë euro. Monedhat në kasafortë ishin në euro dhe lekë. Në dëshminë e rojes thuhet se, tre persona ishin me trup mesatar, kurse njëri nga ata i vuri armën në kokë. Ata kishin hyrë befasisht dhe sipas rojes e dinin vendin ku ndodhej kasaforta.
Nisur nga rrëfimi i tij, policia dyshon që autorët mund të kenë lidhje me punonjës të kantinës.
Roja gjithashtu ka treguar se, asnjë nga maskat nuk foli me të. Ai i mban mend vetëm fizikisht dhe jo nga zëri apo ndonjë tipar tjetër. Policia po vazhdon marrjen në pyetje të punonjësve të kantinës, por edhe të banorëve të zonës.
Mësohet se verës “Gjergj Kastrioti” i përket familjes së ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Nga ky i fundit nuk ka asnjë prononcim deri tani.

Artikulli paraprakPolicia bashkëpunon për mbjelljen dhe ruajtjen e kanabisit në Dukat
Artikulli tjetërRama shpërblen Plarent Ndrecën për nxjerrjen e tezës së Maturës