Maskat grabisin 10 milionë lekë në banesën e një biznesmeni në Korçë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën e Korçës. Persona të maskuar dhe të armatosur, pasi kanë dhunuar një familje në një fshat të Korçës i kanë marrë kasafortën me 10 milionë lekë. Policia bëri të ditur se, ngjarja ka ndodhur në fshatin Kamenicë të Korçës. Ka qenë 53-vjeçari N.B, ai që bëri denoncimin mëngjesin e djeshëm në Komisariatin e Korçës. Ai ka deklaruar se rreth orës 01:45 në banesën e tij private në fshatin Kamenicë, kanë hyrë dy persona të maskuar dhe me armë. Pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj dy personave që ndodheshin në banesë, kanë vjedhur kasafortën brenda së cilës kishte një sasi lekësh, disa dokumente dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur për policinë.
Kryefamiljari Nizami Bezati tregon se në banesë ndodheshin 2 shokët e djalit, të cilët njoftuan 53-vjeçarin për ngjarjen e rëndë. Bezati rrëfen mes lotësh se 2 grabitësit e maskuar kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë 2 djemtë.
“Kisha fejesën e djalit dje dhe të gjithë ishim në festë. Kishim lënë dy shokë të djemve në banesë për ta ruajtur. Por dy persona kanë hyrë në shtëpi e kanë lidhur djemtë. Njëri ka qenë me kallash dhe tjetri me levë”, thotë i zoti i shtëpisë, Nizami Bezati.
Dyshohet se grabitësit arritën të merrnin në banesë 10 milionë lekë të vjetra, por për Bezatin më e rëndë për të është çnderimi i shtëpisë. “Kanë marrë lekët në kasafortë dhe janë larguar. Nuk më interesojnë lekët, por dhuna ndaj familjes sime. Bëj apel të kapen sa më parë dy grabitësit”, thotë kryefamiljari.
Grabitja në familjen Bezati ka terrorizuar edhe banorët e zonës, të cilët shprehen se ndihen më të frikësuar, pasi mund të jenë ata objektivi i radhës së grabitësve. Ende nuk ka një autor të dyshuar për ngjarjen.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërJulian Sinanaj refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të prokurorëve grekë