Mashtrimi i Veliajt dhe mediave të betonit

Në pjesën më të madhe të muajit gusht, Erion Veliaj ka qenë, si pjesa më e madhe e njerëzve, pushim. Është mëse normale që, pas një viti të ngarkuar me aktivitete, edhe Veliaj të pushojë bashkë me familjen e tij. Por sërish ne e kemi parë të shfaqet çdo ditë në ekranet e televizionit, duke inspektuar rrugë, hapje të ndonjë kanali, riparimi të tubave të ujësjellësit, apo lyerje të ndonjë çerdheje.
Sipas raportimit të Boldnews.al që ka siguruar hyrje-daljet e sistemit TIMS, rezulton se nga data 28 korrik deri më 19 gusht 2017, Veliaj ka qëndruar 15 ditë jashtë Shqipërisë, por nga ana tjetër ai është shfaqur plot 18 herë (në disa raste 2 herë në ditë), duke ndjekur punime të ndryshme në Tiranë. Boldnews.al mëson gjithashtu se Veliaj ka përdorur linjën ajrore Turkish Airlines, linjën e Frankfurtit dhe të Lubjanës për të shijuar ditët e pushimit.
Por pavarësisht kësaj, zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës, ka shpërndarë çdo ditë në këtë hark kohor video të gatshme, ku Veliaj shfaqej herë duke inauguruar ndonjë kënd lojërash dhe herë duke bërë premtime sesi do të zhvillojë kryeqytetin në të ardhmen.
Boldnews.al verifikoi daljet e tij publike në televizionin kombëtar “Top Channel”, duke qenë të sigurt se kronikat mbi aktivitetin ditor të kryebashkiakut të Tiranës nuk do të mungonin aty. Dhe në fakt, bindja rezultoi e vërtetë. Sipas të dhënave të siguruar në sistemin TIMS, Veliaj ka qëndruar jashtë Shqipërisë nga data 28 korrik deri më 3 gusht, duke udhëtuar me linjën e Frankfurtit (Gjermani).
Në këto data, ku Lali Eri nuk ishte në Shqipëri, ai del plot 8 herë në “Top Channel”, në aktivitete dhe përurime të ndryshme. Skenari i filmimeve është i njëjtë, ai shfaqet duke ecur me ndonjë deputet të zonës, takon ndonjë kalimtar të rastit, sheh punimet dhe më pas mban një fjalim monolog me sfond të ndonjë fadrome duke punuar.
Më poshtë datat dhe aktivitetet ku Veliaj ka dalë në Tiranë:

28 korrik 2017 – Në këtë ditë rezulton se Veliaj është nisur me avion, por ai shfaqet në zonën e Shkozës duke paralajmëruar banorët e zonave me kullota që të ruajnë tokën nga zjarret./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=360516

29 korrik 2017 – Veliaj del sërish në mënyrë të “magjishme” në zonën e Kombinatit, për të inauguruar një kënd lojërash për fëmijë me aftësi të kufizuar./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=360579

30 korrik 2017 – Edhe pse ditë e dielë, Lali Eri del dy herë brenda ditës në televizionin kombëtar “Top Channel”. Herën e parë ai improvizon tek Liqeni Artificial, duke prezantuar projektin për rehabilitimin e Amfiteatrit. Ndërsa pak orë më vonë, ai poston një status të gjatë në Facebook, ku bën thirrje për pjesëmarrjen në maratonën e Tiranës, pavarësisht se i pari i kryeqytetit ishte jashtë Shqipërisë./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=360623 /http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=360640

31 korrik 2017 – Veliaj, i cili vazhdon pushimet, prezanton në Tiranë tre projekte të hartuara nga arkitektët e Harvardit. Për ta bërë sa më reale, kryebashkiaku i Tiranës ka mbledhur një grup njerëzish si protagonistë të manipulimit publik./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=360683

1 gusht 2017 – Lali Eri ka përfshirë në mashtrimin e tij publik edhe daljen tek varrezat e Sharrës. Përveç verifikimit në sistemin TIMS, duket që video e servirur nga Bashkia e Tiranës ishte bërë shumë javë më përpara, për shkak të motit të keq dhe ku disa nga protagonistët shfaqen me këmisha me mëngë të gjata. http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=360763

2 gusht 2017 – “Top Channel” transmeton një tjetër kronikë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Edhe pse vijon të jetë jashtë Shqipërisë, ai del në një zonë të Saukut./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=360838

3 gusht 2017 – Në këtë ditë Veliaj do të rikthehej në atdhe, por ai shfaqet mu në zemër të Tiranës, tek Galeria e Arteve (në krah të Hotel Dajtit)./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=360909
Pas rikthimit në Shqipëri, Veliaj qëndron pak ditë për të montuar përnjëherësh disa aktivitete që do të transmetohen në mungesë të tij dhe më pas udhëton sërish. Ai përdor linjën ajrore të Lubjanës në datën 11 gusht deri më 14 gusht 2017, por ndërkohë propaganda kishte mbërthyer televizionin kombëtar “Top Channel”.

11 gusht 2017 – Veliaj po udhëtonte jashtë Shqipërisë, por në të njëjtën kohë, ai inspekton punimet për ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare”. Për ta bërë sa më reale, Lali Eri kishte veshur edhe një uniformë punëtorësh, ndërsa ecte në këmbë mbi stadiumin që po ndërtohej. Pak orë më vonë, Kryebashkiaku i Tiranës, i cili po ndiqte nga jashtë shtetit problematikat e zjarrit, poston në Facebook shpërblim për punonjësit e zjarrëfikëses./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361414 /http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361446

12 gusht 2017 – Mashtrimi i radhës, ishte shfaqja e kryebashkiakut në Shkollën e Baletit, ku pritet të inaugurohet pas pak ditësh. Nevoja e tij për t’u shfaqur çdo ditë në televizion, e ka kthyer në karagjoz kryebashkiakun e Tiranës, i cili për një detyrë funksionale si ajo e mirëmbajtjes së një godine, Veliaj shfaqet 4-5 herë në televizion (prezantimi i projektit, nisja e punimeve, vazhdimi i punimeve, pak ditë para inaugurimit dhe inaugurimi)./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361475

13 gusht 2017 – Në manipulimin e tij, Veliaj shpeshherë përdor personazhe publik, pa dijeninë e tyre. Një rast i tillë është me ambasdorin e Çekisë në Tiranë, ku Veliaj e ka ftuar për një intervistë me rastin e një inaugurimi të një këndi lojërash. Diplomati i huaj ka rënë pre e manipulimit mediatik, pasi nuk e ka ditur që intervista e tij ishte programuar të jepej disa ditë më vonë, madje të dielën, ku Veliaj do të ishte jashtë Shqipërisë./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361534

14 gusht 2017 – Edhe pse ishte në kthim për në Tiranë, Veliaj shfaqet papritur tek Unaza e Re, ku sërish paralajmëron një tjetër inaugurim në ditët e para të shtatorit./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361576

Me t’u rikthyer në Shqipëri, Veliaj qëndron pak orë dhe ai i hipën avionit të linjës së Turkish Airlines dhe udhëton sipas TIMS, nga data 15 gusht deri më 19 gusht. Përgjatë këtyre ditëve, zyra e propagandës në Bashkinë e Tiranës e ka shfaqur Erion Veliajn plot 5 herë në aktivete të ndryshme. “Top Channel” nuk e ka kursyer veten, duke transmetuar kronika të rëndomta, si inspektime të punimeve, nisje të punimeve apo premtime për të ardhmen.

15 gusht 2017 – Veliaj është larguar nga Shqipëria, por ai del përkrah me deputetin Ervin Bushati, i cili edhe ky atë ditë rezulton të jetë me pushime në Jug të Shqipërisë. Të dy inspektuan punimet për rikonstruksionin e Shkollës “Siri Kodra”. /http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361626

16 gusht 2017 – Veliaj prezanton hedhjen e themeleve për ndërtimin e Shkollës “Kosova”./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361694

17 gusht 2017 – Veliaj vijon pushimet jashtë vendit, por në të njëjtën kohë inspekton punimet për ndërtimin e Rrugës “Faik Konica” në Tiranë./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361749

18 gusht 2017 – Veliaj ka fundosur në manipulim mediatik edhe deputetin Rakip Suli, ku të dy shfaqen në Tiranë për zgjerimin e një shkolle 9-vjeçare me 17 klasa të reja./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361824

19 gusht 2017 – Edhe gjatë rikthimit në Shqipëri, Veliaj ka menduar që të fusë ndonjë kasetë tek televizioni “Top Channel”. Ai del tek shkolla “Betim Muço” ku premton se do të jetë gati në muajin shtator./http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=361894
“Top Channel” nuk është i vetmi televizion që transmeton kronikat e parapërgatitura në zyrën e shtypit të Bashkisë së Tiranës. Të gjitha televizionet në Tiranë kanë rënë në kompromis me kryetarin e Bashkisë të gënjejnë për hir të marrëveshjeve që pronarët kanë bërë me Lali Erin.

Artikulli paraprakA mund të rikthehet regjimi i vizave?
Artikulli tjetërBankat, 45.6 milionë euro fitim për 6 muaj