Mashtrimi i Ramës me pakënaqësinë ndaj qeverisë së tij

Silvi BARDHI

Edi Rama vazhdon të luajë rolin e spikerit me promter, në leximin e teksteve të gjetura gati dhe të transmetimit të fjalës me tendencën e të dukurit sportiv, moskokëçarës dhe aktrues. Një rol që ai di ta luajë bukur, me shpikjen e re të monologut të çdo të diele pasdite, në zyrën e ngrohtë, në kolltukun e rehatshëm.
Këmbanat që shoqërojnë siglën e metodës së re të propagandës, trokitjet e akrepave simbol i paralajmërimit të një lajmi jo të mirë, nuk kanë asgjë të përbashkët me optimizmin që kërkon të imponojë kryeministri. Nuk ka asgjë optimiste, kur reagimi i komentuesve është kundrapesha më e fortë që i bëhet delirit. “Nuk kemi bukë të hamë”, “Si do i festojmë festat?”, “Lëri reklamat, na gjej punë”, “Hë dole edhe sot?”, “Kthyet luftën e klasave”, “Zoti Kryeministër nuk kemi nevojë të na recitosh”, “Realiteti nuk është ashtu si e sheh”. Ne të moshës 59 vjeç pse na i hoqe kartat e shëndetit, duke na hequr nga sistemi, nuk kemi lekë të bëjmë analiza”.
Në monologun e fundit, Edi Rama foli për arsimin. Me të njëjtin ritëm mbrojtës e kokëfortë ndaj skandaleve në arsim. Mjafton të kthehemi pak në kohë. Prindërit ishin të parët që denoncuan dhjetëra skandale në tekstet shkollore të nxënësve të shkollave fillore, 15-vjeçarëve, për të cilët Rama mburrej.
Në tekstet shkollore të Rilindjes u mësohej fëmijëve 7-8 vjeç të klasës së dytë, që të tresnin shkumësin në ujë. “Po, po! Treteni shkumësin në ujë, pijeni dhe do ju rritet temperatura!”, thuhej në tekst. Një tjetër rast skandaloz, por që për Ramën dhe Nikollën është krenari, ishte përshkrimi i jetës së të një alkoolizuari i cili i kërkonte para familjes, por pas problemeve me policinë ai përfundoi në burg, fëmijët i la jetimë dhe këta të fundit krijuan urrejtje për të atin.
Një tjetër tekst skandaloz, për të cilën Rama dhe Nikolla janë krenarë, duke krijuar një “revolucion” në arsim, e duke parë më në fund dritën në tunel. “Ti dukesh si një princ i vërtetë, por ti je fare toç. Dhe pas kësaj, ata nuk u martuan”. Tek “Probabilitetet & Statistika e zbatuar”, studentët duhet të zgjedhin nëse duhet të vdesin para apo pas motrave të tyre. “Nëqoftëse ju zgjidhni i pari, sa është probabiliteti që ju nuk do të vdisni, po qe se motra juaj dihet se nuk do të vdesë?” Turp! Studentëve të mjekësisë u mësohet ende se sistemi radiologjik është ngritur nën kujdesin e Partisë. Tek epidemiologjia, thuhet se fëmijët duhet t’i ekspozohen më shumë muzikës së Bujar Qamilit, sepse u rrit inteligjencën. Muzika e tij është vërtetë për t’u admiruar, por në këtë rast kemi të bëjmë me një skandal pedagogjik.
Në një libër të fizikës, gjatë një problemi duhet të llogaritet frekuenca e zërit të studentit, kur djallin i cili rri pezull në humnerë. Të përcaktohet rrahja e zemrës së studentit, kur djalli i kalon përballë. Përveç se skandaloze, rastet e publikuara nga studentë, nxënës dhe prindër, nuk përfundojnë me kaq. Media ka raportuar tekstin e Hyrjes në Informatikë, për vitin e parë të degës së Informatikës, me përkthime nga Google Translate.
Gabimet ortografike, shenjave të pikësimit, sintaksës janë raportuar mjaft të shpeshta në tekstet e rilindjes në arsim. Ku mund ta gjejë krenarinë kryeministri pas këtyre fakteve, të cilat kanë bërë të reagojnë mësues e pedagogë, pavarësisht presionit për vendin e punës? Nëse kjo është mënyra e edukimit të gjeneratës tjetër, atëherë je në misionin e gabuar zoti kryeministër, aq më tepër të mënyrës së shpëlarjes së memories dhe logjikës së një populli. Të mos qenit i kënaqur as me qeverinë e as me veten, nuk të purifikon as si lider, as si vizionar. Është thjesht një kamuflim që i bëhet dështimit si pretendent për ndryshimin famëkeq të sistemit në Shqipëri. Përulësia nuk është veti e jotja, por një metodë e diktuar, e cila po aktrohet keq!

Artikulli paraprakVetëm bëni sikur…
Artikulli tjetërRonaldo mund të vishet zikaltër