Masakrohet Parku Kombëtar i Dajtit, leje për gurore në zonën e mbrojtur

Nga investigim.al

Parku Kombëtar i Dajtit, i shpallur me vendim qeverie që në vitin 2006, si zonë e mbrojtur, po shkatërrohet çdo ditë nga gurore të licencuara në mënyrë të paligjshme që po zhveshin shpatet e malit nga gjelbërimi. Në këtë skandal është e përfshirë edhe vetë Ministria e Mjedisit dhe Agjencia në varësi të saj, të cilat kanë dhënë lejet për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit në Parkun e Dajtit. Ndërkohë që edhe më i thellë bëhet skandali, kur gjithçka po ndodh rreth 3-4 kilometra nga shtëpia e Kryeministrit Edi Rama. Sapo kalon Qafën e Priskës, eskavatorë dhe buldozierë punojnë me qetësi dhe pa ndërprerje për të nxjerrë copëza të mëdha guri gëlqeror nga Mali i Dajtit.
Pamjet e siguruara nga investigim.al pranë zonës së Liqenit të Bovillës tregojnë kompani që kanë zhveshur malin nga të dyja anët e rrugës. Në këtë zonë, shihen kamionë “fantazëm” që lëvizin pa targa, shpërthime me lëndë plasëse, pluhur që ngrihet kudo. Duket si një biznes që nuk kontrollohet nga askush dhe ku ligji nuk ka fuqi ose vullnet për të ndërhyrë. Edhe nëpërmjet aplikacionit “Google Maps” dallohet lehtësisht që Mali i Dajtit është rrjepur në disa pjesë të tij, për të cilën aktivistët mjedisor shprehen se përbën një nga masakrat ekologjike që vijon pa ndërprerje edhe pse pranë shtëpisë së kreut të qeverisë.
Investigim.al kërkoi informacion zyrtar nga Ministria e Mjedisit, nëse kishte dijeni për aktivitetin e guroreve në Parkun Kombëtar të Dajtit, ku nuk mund të jepet asnjë leje mjedisore. “Nuk ka asnjë subjekt që ushtron veprimtari të tilla në Parkun Kombëtar të Dajtit”, shprehet Julian Beqiri, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).
Por të dhënat e siguruar nga investigim.al kundërshtojnë përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe institucionin e varësisë AKM, pasi për të paktën 2 kompani janë lëshuar leje mjedisore. Më konkretisht është dhënë leja mjedisore subjektit “LIVELADA”, e cila ushtron aktivitetin e gurthyerjes në fshatin Shkallë. Kjo kompani e ka marrë lejen mjedisore më 16 gusht të vitit 2013, në ikje të qeverisë “Berisha”, ndërkohë që sipas kërkesës duhet të prodhohej mbi 50 000 metra kub gur gëlqeror. Në dokumentet që disponon investigim.al, skandali thellohet edhe më tej, pasi kompania “LIVELADA” e ka marrë lejen mjedisore në vitin 2013, pavarësisht se ajo rezultonte e çregjistruar për ushtrimin e aktivitetit minerar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) në vitin 2011.
Madje jo vetëm kaq, por në lejen mjedisore të firmosur nga drejtori i AKM, Julian Beqiri, pohon se subjekti “Mexhi shpk” po ushtron aktivitetin në zonën e mbrojtur “Parku Kombëtar Dajt”, por e këshillon kompaninë që të ruaj biodiversitetin. Kjo këshillë duket si një hile për të legjitimuar pikërisht shkatërrimin e natyrës, pasi nxjerrja dhe përpunimi i gurit gëlqeror kryhet me anë të shpërthimeve, prerjes së vegjetacionit, hapjes së rrugëve të hyrjes, duke asgjësuar çdo pasuri biologjike natyrore.
“Këto leje duhet të jenë dhënë nga injoranca apo padituria. Kjo është një vepër penale, sepse nuk mundet të jepet një leje mjedisore brenda një parku të mbrojtur. Duhet guxim i madh”, shprehet për investigim.al ambientalisti Sazan Guri. Ndërsa kompania tjetër, po në shkelje të ligjit, por me lidhje të forta politike, ka arritur të marrë leje mjedisore në muajin mars të vitit 2015.  Bëhet fjalë për kompaninë “Mexhi shpk”, e cila e ka shtyrë lejen mjedisore deri në vitin 2017, vit ky që përkon edhe me afatin e mbarimit të shfrytëzimit 10-vjeçar të lejes minerare. Ky aktivitet është ligjëruar nga AKM dhe nënshkruar nga drejtori Julian Beqiri dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, për të nxjerrë gurin gëlqeror në qendër të Parkut Kombëtar të Dajtit, në zonën e quajtur Zall.
Përveç 2 kompanive që janë të licencuara për të ushtruar aktivitet të paligjshëm, nga një vëzhgim i investigim.al rezultojnë se brenda Parkut Kombëtar të Dajtit janë të paktën edhe 9 kompani të tjera, të cilat kryejnë “karrierë të gurit”. Kompanitë informale të guroreve prej kohësh po zhveshin nga pyjet dhe gjelbërimi disa zona në Malin e Dajtit, duke nisur që nga Priska e Madhe, Bovilla, Brar, Linzë, Lanabregas, Shkallë, Pëllumbas etj.
Sipas një dokumenti të siguruar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), deri para 1 viti në Malin e Dajtit ushtronin aktivitetin e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit gëlqeror plot 13 kompani. Burime konfidenciale bëjnë me dije për investigim.al se, pjesa më e madhe e këtyre kompanive kanë vijuar aktivitetin edhe pas heqjes së licencave nga Ministria e Energjitikës dhe Industrisë. Investigim.al insistoi të kërkonte një shpjegim nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë se përse nuk inspekton kompanitë e nxjerrjes së gurit në Malin e Dajtit, por kjo e fundit e hedh “topin” nga Ministria e Mjedisit. “Në dijeninë tonë nuk ka subjekte që ushtrojnë aktivitet të palicencuar. Ne jemi institucion kontrollues, vlerësues, monitorues i subjekteve që ushtrojnë aktivitet minerar të licencuar. Është Ministria e Mjedisit dhe Prefektura e Qarkut Tiranë që bëjnë bllokimin dhe penalizimin e subjekteve të palicencuara në këtë fushë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë (MEI).
Por pavarësisht përpjekjes për të hequr përgjegjësinë nga vetja, kjo ministri ka një institucion varësie që kryen inspektime në subjekte private dhe publike, vendase dhe të huaja që kryejnë veprimtari minerare në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për Repartin e Inspektim-Shpëtim Miniera (RISHM), i cili përbëhet nga inspektor që kryejnë në terren verifikimin për aktivitete të paligjshme në fushën minerare.

Përplasjet mes Ministrisë së Mjedisit dhe AKBN-së

Sipas ekspertit të Mjedisit, Klodian Aliu, është e dukshme se mes institucioneve ka një mungesë koordinimi. “As Ministria e Mjedisit dhe as MEI nuk marrin përgjegjësitë që u ngarkon ligji në lidhje me disiplinimin e aktiviteteve minerare në Parkun Kombëtar të Dajtit. Për vite me radhë është diskutuar për largimin e aktiviteteve minerare nga Parku, por në vend që të reduktoheshin ato janë shtuar. Vonesat e zgjidhjes së këtij problemi i shtojnë dëmet dhe pasojat negative në Parkun e Dajtit, biodiversiteti, i të cilit ruhet nga shumë Konventa Ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti ynë”, shprehet Aliu për investigim.al. Po ashtu, sipas ekspertit, ka një mungesë transparence të publikimit të statusit ligjor të kompanive që kryejnë nxjerrjen dhe përpunimin e gurit dhe përgjegjësive ligjore për kompanitë që janë çregjistruar apo hequr lejet minerare.
Një tjetër shqetësim që nxjerrin ekspertët mjedisor është edhe mungesa e një plani menaxhimi për zonat e mbrojtura. “Sot e kësaj dite nuk është miratuar ende një plan menaxhimi për Parkun e Dajtit, detyrim ligjor i Ministrisë së Mjedisit që duhej të ishte përmbushur të paktën që në vitin 2006, kohë kur sipërfaqja e Parkut është zgjeruar për herë të fundit. Mungesa e një plani menaxhimi për Parkun Kombëtar të Dajtit krijon premisa e terren për aktivitete të dëmshme në Park dhe në përputhje me qëllimin e krijimit dhe ruajtjes së tij”, thekson Klodian Aliu.
Çdo projekt minerar i miratuar nga AKBN ka në përbërje pjesën e menaxhimit të mbetjeve dhe rehabilitimit të mjedisit. Ky proces konsiston në ripyllëzimin dhe rivitalizimin e zonës pas gërryerjes masive dhe zhveshjes së Malit të Dajtit nga gjelbërimi. “Kompanitë duhet të mbjellin 3-fishin e sipërfaqes së gjelbërt në momentin që ato mbyllin aktivitetin. Nëse kanë krijuar gropë, atëherë kjo zonë duhet të kthehet sipas standardeve europiane në rezervuar uji. Një tjetër problematikë është edhe sistemimi i sterileve ose e thënë ndryshe mbetjeve të gurit”, shprehet për investigim.al, ambientalisti Sazan Guri.
Ndërsa eksperti Klodian Aliu shton se, Ministria e Mjedisit nuk ka rol të plotë për ruajtjen e natyrës, pasi nuk ka legjitimitet në vlerësimin e planeve të rehabilitimit që miraton AKBN. “Gjithashtu në këtë institucion mungojnë standardet sektoriale që vendosin kritere për ruajtjen e biodiversitetit në nivel habiteti dhe lloji”, thotë Aliu. Ai sqaron më tej se, deri në vitin 2011 miratimi i planeve të rehabilitimit kanë qenë kompetencë e Ministrisë së Mjedisit, por më pas kjo kompetencë i ka kaluar AKBN, pavarësisht se kjo e fundit nuk ka funksion ruajtjen e mjedisit dhe nuk ka struktura apo kapacitete teknike. “Për pasojë, planet e rehabilitimit hartohen në mënyrë fiktive dhe janë të pazbatueshme”, thekson Aliu.

Dëmi i guroreve në Parkun Kombëtar të Dajtit është kolosal

Burime konfidenciale brenda MEI bëjnë me dije për investigim.al se, asnjë prej 13 kompanive të licencuara deri para 1 viti për shfrytëzimin e guroreve në Parkun e Mbrojtur të Dajtit, nuk ka kryer rehabilitimin e zonës. Dëmi i guroreve në Parkun Kombëtar të Dajtit është kolosal. Makineritë e rënda që gërryejnë skarpatet kanë arritur të fregmentojnë habitatet dhe të largojnë faunën në Parkun Kombëtar. Një pjesë e mirë e guroreve veprojnë me plasje të fuqishme me eksploziv, duke tronditur ujin nëntokësor dhe shkaktuar një ndotje mbytëse për shkak të pluhurit që ngrihet.
Për ekspertët mjedisor, lejet e dhëna pa vlerësim të saktë të ndikimit në mjedis dhe me raporte formale që vlejnë vetëm për procedurë, nuk garantojnë ruajtjen e mjedisit. Edhe pse Ministria e Energjisë dhe Industrisë nëpërmjet ligjit i kërkon kompanive garanci financiare për rehabilitimin e mjedisit, këto fonde nuk mjaftojnë, por edhe aq sa janë nuk përdoren për qëllimin e tyre.
Një tjetër shqetësim krijohet edhe për banorët e zonës, si dhe për investimet turistike. Guroret kanë përfituar lejet nga AKBN dhe Ministria e Mjedisit pa kryer asnjë konsultim paraprak me publikun dhe përfshirjen e këtij të fundit në vendimmarrje. Shpërthimet me eksploziv, bluarja e gurit dhe transporti me mjete të rënda në disa raste kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke vënë në rrezik edhe jetën e komunitetit që jetojnë pranë tyre.
Gjithashtu lejet e dhëna për shfrytëzim guror ndër vite nga AKBN bien ndesh me statusin e mbrojtjes si Park Kombëtar të Kategorisë II dhe si atraksioni më i vizituar turistik në vend. Pas përfundimit të aktivitetit të guroreve, këto zona konsiderohen të vdekura, pa interes turistik dhe synohen si vende për depozitimin e mbetjeve. Kjo tashmë ka ndodhur me zonën e ish-gurores së vjetër midis fshatit Linzë dhe Surrel, ku janë depozituar sasi të mëdha mbetjesh ndërtimore. Krahas mbetjeve ndërtimore, Parkut të Dajtit i janë shtuar edhe ato minerare. Kompanitë që bëjnë përpunimin dhe nxjerrjen e gurit duhet të kenë impiant për asgjësimin e sterileve (mbetjeve të gurit). Por realiteti pasqyron një tjetër abuzim me natyrën, pasi të gjitha kompanitë përdorin përrenjtë për të shkarkuar inertet e përpunimit të gurit.

Artikulli paraprakKonspiracion me manipulimet
Artikulli tjetërOrganizata kriminale përmbyset me protesta