Marrëveshja, kush prek votën do luajë me kokën

Pas 90 ditësh qëndrese historike, Partia Demokratike dhe aleatët e saj fituan betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Me përfundimin e negociatave mes kreut të PD, Lulzim Basha dhe kryeministrit Rama, Partia Demokratike bëri transparente pikat e marrëveshjes së arritur mes palëve.
Sipas marrëveshjes, e cila nis konkretisht me zgjedhjet është përcaktuar se zgjedhjet e reja do të zhvillohen më 25 qershor.
Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe garancitë e votës së lirë është dakordësuar e drejta e opozitës për patur akses në projektin e adresave dhe çështjet e lidhura me zgjedhjet. Nga ana tjetër, opozita ia ka dalë që përmes kësaj marrëveshjeje të përcaktojë pezullimin e çdo iniciative për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor, ndërsa është vendosur mbështetja ndërkombëtare për forcimin e monitorimit të listës së zgjedhësve. Është vendosur që në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare të zhvillohen edhe zgjedhjet për kryetar Bashkie në Kavajë.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është caktimi i gjashtë ministrave teknikë, të cilat kanë të bëjnë me ministritë më të rëndësishme që kanë lidhje direkte me zgjedhjet, siç janë Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, e Shëndetësisë, Mirëqenies Sociale, Financave dhe Drejtësisë. Gjithashtu, nën drejtim të ri, me emrat e propozuar nga opozita do të kalojë OSHEE, ALUIZNI, Hipotekat, Burgjet dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor e Rural. Nën propozimin e opozitës kalojnë gjithashtu emërimet për kreun e ri të KQZ, si dhe atë të Avokatit të Popullit.
Nga marrëveshja ka marrë dritë jeshile edhe votimi i organeve të vettingut, si dhe një sërë pikash të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet mes të cilave edhe ndryshimi i Kodit Penal për shitblerjen e votës.
Dekriminalizimi, largimi dhe parandalimi i personave me rekorde kriminale nga mbajtja e posteve publike është gjithashtu pjesë e rëndësishme e marrëveshjes Basha-Rama.
Me fillimin e legjislaturës së re, palët angazhohen në realizimin e Reformës Kushtetuese dhe asaj Zgjedhore. Marrëveshja parashikon futjen e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit, votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese. Reformimi tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike është gjithashtu pjesë mbi të cilat të dyja palët janë dakordësuar.
Përmes kësaj marrëveshjeje, palët konfirmojnë angazhimin e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Palët në këtë marrëveshje shprehin mirënjohjen dhe falënderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian për kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe në mënyrë të veçantë, për zgjidhjen e situatës politike për zgjedhjet e vitit 2017.
Palët konfirmojnë vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës.
Angazhimi i palëve për zgjedhje me standarde demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe përparimit të vendit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë”, thuhet në marrëveshjen e publikuar dje nga PD.

Zgjedhjet

Presidenti i Republikës dekreton datën e re të zgjedhjeve më 25 qershor 2017.
Regjistrimi i menjëhershem i partive politike të opozitës. Regjistrimi i listave shumemërore të partive politike të opozitës brenda datës 26 maj 2017.
Listat e zgjedhësve.
Përfshirja në listat e zgjedhësve e zgjedhësve të rinj që votojnë në datën e re të zgjedhjeve.
Dhënia e aksesit opozitës në informacionin e mbledhur nga projekti i adresave dhe çështje të tjera të lidhura me zgjedhësit, nëpërmjet auditeve të KQZ-së.
Mbështetje KQZ-së për përgatitjen e materialeve zgjedhore.
Plotësimi i komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit.
Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kavajës, do të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithshme.
Pezullimi i çdo iniciative për kontrata të përkohshme në nivel qendror dhe vendor.
Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit të listës së zgjedhësve.
Mbështetje ndërkombëtare për KQZ, për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.

Qeveria

Zv.kryeministër, teknik
Ministri i Brendshëm, teknik
Ministri i Arsimit, teknik
Ministri i Shëndetësisë, teknik
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, teknik
Ministri i Financave, teknik
Ministri i Drejtësisë, teknik
Drejtori i OSHEE
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t
Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural
Kandidaturat e mësipërme do të jenë propozim i opozitës.

Masat e ashpra në ligj për blerjen e votës

Votimi i dekreteve për anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave. Ndryshim i Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
Përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media. Votimi i anëtarëve të Këshillit të Ministrave, anëtarëve të organeve të vettingut dhe i legjislacionit të parashikuar në këtë marrëveshje, do të kryhet në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit.

Organet e pavarura

Kryetari i KQZ, propozim i opozitës.
Avokati i Popullit, propozim i opozitës.

Reformat

Reforma Kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re).
Reforma Zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re).
Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese.
Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike.

Masa të tjera

Dekriminalizimi. Largimi dhe parandalimi i personave me rekorde kriminale nga mbajtja e posteve publike.
Partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë mbi listat partiake.
KQZ ekzaminon kandidatët nëpërmjet personelit shtesë me mbështetje ndërkombëtare (të plotësuar në përputhje me Ligjin nr. 138/2015 për garantimin e integritetit të funksionarëve publikë).
Administrata Publike. Marrja e masave për ndalimin e përdorimit në favor të subjekteve zgjedhore të mjeteve, pronave dhe të burimeve njerëzore të administratës publike, si dhe kundër çdo forme presioni ndaj punonjësve të administratës publike në çdo nivel.
Narkotikët. Forcimi i luftës kundër narkotikëve, nëpërmjet pjesëmarrjes së opozitës në Task Forcën kombëtare të luftës kundër narkotikëve.

Artikulli paraprakXavi: Topi i Artë duhet të shkojë për Buffon
Artikulli tjetërInteri nuk tërhiqet