Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në librin e Ndriçim Kullës

Nga Prof.Dr. Myqerem Tafaj

Nuk është rasti i parë që marr pjesë në promovime të librave të mikut tim Ndriçim Kulla, nuk do të jetë as i fundit, por unë kërkoj mirëkuptimin e Kullës që të them paraprakisht se për mua ky libër përbën një ngjarje të veçantë.
Librin e kam pasur në duar këto ditë. Unë jam përpjekur të lexoj sa më shumë që të mundem nga botimet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Por në librin e Ndriçimit kuptova se sa thellë shkojnë rrënjët e këtyre marrëdhënieve në popujt përkatës, përveç shteteve. Kjo pastaj është reflektuar në marrëdhëniet ndërshtetërore duke i çimentuar ato, për të cilat edhe unë jam dakord me autorin e librit që sjell termin e përdorur për marrëdhëniet amerikano-britanike: special relationship.
Një nga meritat e librit të z. Kulla është se atje gjen të ndriçuara thellë ngjarje dhe fakte për të cilat lexuesi mund të mendojë se i ka pasur të njohura. Kështu mendova dhe unë fillimisht, duke lexuar librin. Çdo gjimnazist i mirë në mësime e di se gjatë Rilindjes sonë Kombëtare kanë pasur një rol të rëndësishëm rilindasit tanë që jetonin dhe punonin në Amerikë. Por duke lexuar librin e z. Kulla mësohet se sa rëndësi ka pasur qendra amerikane e Rilindjes Kombëtare shqiptare, krahas qendrave të tjera jashtë vendit, si ato të Bukureshtit, Italisë së Jugut, Stambollit, Sofjes, Egjiptit.
Ne të gjithë e kemi ditur pak a shumë se në çastet e vështira pas krijimit të shtetit shqiptar ka pasur një ndihmë humanitare amerikane. Ne dimë edhe për ndihmën humanitare amerikane për vendin tonë në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Ne dimë edhe për ndihmën humanitare amerikane në vitet e para pas rënies së komunizmit, për të cilën jemi dëshmitarë vetë. Ne dimë edhe për ndihmën humanitare amerikane në kohën e Luftës së Kosovës kur Shqipëria priti gjysmën e popullsisë shqiptare të Kosovës. Por në librin e z. Kulla jepet një tablo tërësore e kësaj ndihme humanitare në të gjitha periudhat, zbulohen përmasat dhe rëndësia e saj për mbijetesën e popullit tonë në çaste shumë të vështira të krizës humanitare.
Si një lexues i apasionuar i librave të zhanrit të tillë, unë pata frikë se mos autori nuk do ta kishte shmangur dot atë defekt që e kanë shumica e librave të tillë, përveç atyre të shkruar nga autorë të mëdhenj. Fjalën e kam për atë defekt që konsiston në shndërrimin e librit në një kronologji të marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme dhe siç e dimë të gjithë kronologjia, sado interesante të jetë, është e mërzitshme për t’u lexuar në qindra faqe. Por autori ka ditur që ta shmangë këtë defekt. Në shumë raste autori e bën jetësor librin, duke i paraqitur lexuesit portrete të këndshme të personave që janë protagonistë të ngjarjeve të rëndësishme në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Gjithashtu, autori ka ditur që takimet e rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe, t’i bëjë jetësore, siç është rasti i takimit Noli-Wilson.
Autori ka ditur të veçojë fragmente nga vepra e njerëzve tanë të mëdhenj me kontribut madhor në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, sidomos të Fan Nolit dhe Faik Konicës, që do të habisin edhe lexuesin e pasionuar të këtyre kolosëve tanë. Sekreti i Kullës është se ai bën një lexim, si të thuash mikroskopik. Unë përmenda këta dy autorë shumë të njohur, por mund të përmend edhe Kristo Dakon, Kostë Çekrezin, Eqrem Vlorën, Sejfi Vllamasin, Imzot Zef Simonin etj., prej të cilëve Kulla, me metodën e tij të leximit mikroskopik, ka ndriçuar fragmente që përmbajnë narrativë të rëndësishme për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, plot fakte, dëshmi dhe detaje interesante.
Më duhet të pohoj se duke lexuar librin kam bërë edhe një listë të vogël të personave, amerikanë dhe shqiptarë, që meritojnë të shpërblehen për kontributin e tyre. Disa në fakt mbajnë dekorata dhe medalje, por duke lexuar këtë libër kam gjetur prova se kontributi i tyre është më i lartë nga sa janë shpërblyer. Sa për të përmendur vetëm disa, fjalën këtu e kam për njerëz si Charles Richard Crane, ky njohës, vizitor dhe bamirës i Shqipërisë, i cili në cilësinë e këshilltarit të Presidentit Wilson ka ndikuar shumë në familjarizimin e tij me çështjen shqiptare. Apo edhe zonja Rose Wilder Lane, kjo “Edith Durham” amerikane e Shqipërisë.
Sa për njerëzit nga pala shqiptare, mendoj se nuk u është vlerësuar me mirënjohje zyrtare kontributi atyre njerëzve të thjeshtë, të cilët me sjelljen e tyre bujare bënë që këta të huaj, disa prej të cilëve shumë të njohur në vendin e tyre, si z. Crane dhe zonja Lane, të magjepseshin nga Shqipëria dhe t’i përkushtoheshin asaj për të gjithë jetën. Emrat e tyre nuk janë të panjohur për ne, ndonëse ata nuk kanë shkruar kurrë për pritjen bujare që iu bënë të huajve, sepse këtë e ndjenin si detyrim, sipas traditës së bujarisë shqiptare. Emrat e këtyre njerëzve që nuk patën ndonjë ambicie për të dalë nga anonimati ne i njohim prej librave që kanë shkruar vetë udhëtarët e shquar amerikanë, si dhe shoqëruesit e tyre të shquar shqiptarë.
Unë librin e z. Kulla do t’ua sugjeroja me vendosmëri që ta lexonin politikanëve tanë, deputetëve, zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme që merren me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, do t’ia sugjeroja ambasadës sonë në SHBA që ta bënte si “bibël” të personelit të saj. Këtë libër unë do t’ua sugjeroja bashkëkombasve të mi, anëtarëve të komunitetit shqiptaro-amerikan, që ta lexojnë vetë dhe ta bëjnë pjesë të bibliotekës familjare që ta lexojnë edhe pasardhësit e tyre. Nuk do të gjejnë libër më të mirë, së paku deri më sot, për të treguar atë se çfarë sinjifikojnë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe rëndësinë e tyre.
Por librin e z. Kulla do t’ua sugjeroja, pse jo, edhe miqve tanë të nderuar, diplomatëve amerikanë në ambasadën e SHBA në Tiranë, si dhe atyre që merren me Shqipërinë në Departamentin e Shtetit. Siç më ka thënë z. Kulla pritet të dalë edhe një botim në anglisht i librit, kështu që libri mund të shkojë lehtësisht edhe në duart e lexuesit joshqiptar.
Kjo është ëndrra e çdo autori që ka shkruar një libër të tillë. Dhe unë mendoj se autori i këtij libri e meriton realizimin e kësaj ëndrre. Presidenti Wdrow Wilson, që ka një vend të veçantë në zemrën e shqiptarëve ka thënë dikur, më lejoni ta citoj fillimisht në anglisht që të mos i cenohet sadopak kuptimi origjinal, ashtu siç ndodh në çdo rast me përkthimet:
“We grow great by dreams. All big men are dreamers. They see things in the soft haze of a spring day or in the red fire of a long winter’s evening. Some of us let these great dreams die, but others nourish and protect them; nurse them through bad days till they bring them to the sunshine and light which comes always to those who sincerely hope that their dreams will come true”.
Ky libër tregon sesi dikur, shqiptarët, një popull i vogël, të cilët akoma nuk e kishin shtetin e tyre, kishin një ëndërr që SHBA, një vend i largët përtej oqeanit, të bëhej aleati dhe mbrojtësi i tyre. Historia e solli që kjo ëndërr të bëhej realitet. Ky realitet tani ka themele të fuqishme, siç tregon ky libër. Themele të pashkatërrueshme që vazhdojnë të fuqizohen sot e kësaj dite, si një proces i pandalshëm.

Autori për librin

Këto ditë në mjediset e Hotel Tirana, në prani të shumë personaliteteve të botës akademike, si dhe miq e dashamirës të librit, u promovua libri më i ri i publicistit dhe kulturologut Ndriçim Kulla, “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, një historik gjithpërfshirës”, botim i shtëpisë botuese “Plejad”. Themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kanë nisur të ndërtohen që para krijimit të shtetit shqiptar, madje që para se SHBA të niste të merrej aktivisht me çështjet evropiane, ndau me të pranishmit përshtypjet e veta të para, autori Kulla. Ato nisën si marrëdhënie njerëzore dhe u shndërruan në marrëdhënie shtetërore, por shqiptarët, megjithëse janë proamerikanë të bindur, në pjesën më të madhe të tyre nuk i njohin veçse në vija të përgjithshme të mirat e mëdha që Amerika na ka bërë ne, dhe për të cilat i detyrohemi këtij vendi të madh. Deri më sot nuk ka një libër që t’i përmbajë ato. “Me këtë libër dua t’u bëj të mundur bashkëkombasve të mi që t’i fitojnë këto njohuri. Por ky nuk është qëllimi kryesor i këtij libri dhe nëse evidentohen këto fakte kjo vjen thjesht nga ecuria e studimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Si studiues i mendimit shqiptar do të isha i lumtur që ky libër të hapte shtegun për të tjerë si ai, nga studiues të tjerë. Shumë janë të shqetësuar se mos nga rezultati për shumëkënd i papritur i këtyre zgjedhjeve, fitorja e Trumpit, do të ketë përmbysje të padëshiruara në politikën amerikane në botë, si dhe në marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Ky është debati i ditës në botë. Ndonëse, unë në këtë libër e kam të kufizuar sferën e marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, jam i detyruar që me këtë rast të shprehem për këtë temë. Bindja ime është se SHBA ka ndërtuar themele të forta institucionale për politikën e saj, kështu që asnjë individ nuk mund t’i lëkundë ato, qoftë edhe nëse zgjidhet president. Megjithatë unë besoj se ndonëse z. Trump duhet të na provojë me vepra nëse do të hyjë në listën e presidentëve të mëdhenj amerikanë, ai nuk është aspak një politikan joserioz, nga i cili bota do të shohë të papritura aq të pakëndshme, sa duan të thonë kundërshtarët e tij”, përfundoi ligjëratën e tij Ndriçim Kulla. Në ceremoninë e tij e morën fjalën personalitete të shquara të jetës akademike. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ndau me të pranishmit përshtypjen e tij për librin dhe theksoi se pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot, ndërsa profesorët Përparim Kabo, Gjergj Sinani dhe Ksenofon Kristafi propozuan që libri të bëhej pjesë e kurrikulave shkollore, si dhe të përkthehej në anglisht.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërAsnjë investitor potencial në Shqipëri në tre vitet e fundit