Mafia e lojërave të fatit bllokon Kuvendin

Mafia e lojërave të fatit ka arritur që të bllokojë ligjin, i cili do të detyronte zhvendosjen e tyre larg zonave të qendrave të qyteteve. Grupi i deputetëve të PS dhe LSI ka arritur që të bllokojë ligjin dhe ta shtyjë hyrjen në fuqi të tij edhe për dy vjet të tjera. Shembulli më i qartë i kapjes së shtetit nga mafia e bixhozit, e cila qarkullon çdo vit shifra fitimi që arrijnë deri në 360 milionë euro. Marrëzia e fatit ishte aksioni i parë për mbylljen e lojërave të fatit të qeverisë në fillim të mandatit të saj qeverisës, ndërsa sot është prova më e qartë se si marrëzia ka kapur Ramën dhe koalicionin qeverisës.
Që nga fillimi i vitit 2014, kur ligji u bë gati për miratim, kaloi në një kalvar dyvjeçar, derisa hyri në fuqi në shkurt të 2016-s. Kur u botua në Fletoren Zyrtare, afatet ligjore për zhvendosjen e bizneseve u bënë nul, pasi ligji parashikonte zhvendosjen një muaj para se ndryshimet të hynin në fuqi. Burimet në Ministrinë e Financave në kohën kur ish-ministri Shkëlqim Cani e drejtonte atë, pohuan se grupet e interesit pranë politikës ushtruan presion për të penguar avancimin e ligjit. Zvarritja me më shumë se dy vjet që nga miratimi në qeveri derisa u botua në Fletoren Zyrtare, u shoqërua më pas me një indiferencë të thellë të qeverisë për ta zbatuar ligjin
Komisioni i Ekonomisë miratoi dje kërkesën e pesë deputetëve për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit për lojërat e fatit me dy vjet. Sipas kryetarit të Komisionit, tre janë ndryshimet kryesore që ka sjellë ky ligj.
Së pari, situata aktuale e tregut ka ngrirë, numri i sallave të kazinove elektronike apo i basteve sportive nuk do të rritet. Në rast se një pikë basti apo një sallë kazinoje elektronike do të mbyllet, ajo nuk mund të rihapet, ka thënë zoti Braçe. Ky ligj, ka thënë Braçe, duhet të mbështetet nga e gjithë administrata publike. Aktualisht, ligji i Ministrisë së Turizmit për licencimin e hoteleve me pesë yje bëhet pengesë për këtë treg.
Për sa kohë ligji i turizmit nuk do të aplikohet, i gjithë tregu do të jetë monopol i dy subjekteve ekzistuese që kanë kontrata më të gjata se sa afati që mbulon shtyrja e ligjit. Për Braçen, në rast se do të ketë vonesa në ligjin për turizmin, monopolizimi i tregut do të vazhdojë për një periudhë më të gjatë se dy vjet.
Ministria e Turizmit ka miratuar një ligj që do të sistemojë subjektet akomoduese dhe ka vendosur kriteret që përcaktojnë numrin e yjeve, mirëpo ky ligj do të kërkojë periudhën e tij. Pak kohë më parë, ministrja Ekonomi tha për “Monitor” se ligji do të kërkojë kohën e vet për aplikimin dhe zbatimin e standardeve të reja dhe në rastin më të mirë do të përmbushet brenda vitit të ardhshëm. Aplikimi i ligjit të turizmit për licencimin e hoteleve me pesë yje do të krijonte mundësinë e dhënieve të licencave të reja.
Regency Casino dhe Lotaria Kombëtare janë të licencuara dhe kanë lidhur kontrata të mbështetura në ligje të veçanta, prandaj ligji i lojërave të fatit nuk i cenon ato. Zgjidhje e kontratave me to apo dhe prekja e aktiviteteve të tyre, si për shembull, zhvendosja, do të përfundonte me arbitrazh. Duke qenë se situata ka ngrirë dhe licenca të reja nuk mund të jepen, i gjithë tregu i lojërave të fatit mbështetet te këta dy operatorë.
Së dyti, në mbështetje të sportit, turizmit dhe kulturës rritet pjesa që këto subjekte do të kontribuojnë për të rritur grantet në këto tre sektorë. Nga 0.2 pikë përqindje të xhiros totale vjetore të këtyre subjekteve do të shkojë në 0.4 pikë përqindje.
Së treti, do të rritet kufizimi për reklamat e këtyre subjekteve, ku Ministria e Financave do të përcaktojë përmasat e reja të tyre.
Në mbështetje të kërkesës së tyre, deputetët argumentuan se në situatën aktuale, aplikimi i ligjit nuk është i mundur. Së pari, prishja e kontratave dëmton buxhetin.
Së dyti, aplikimi i ligjit do të prekte direkt të punësuarit e këtij sektori.
Së treti, pavarësisht dilemave morale, shtrëngimi i situatës dhe mbyllja e aktiviteteve do të zhvillonte subjektet në të zezë apo do të zhvendoste jashtë vendit.

Nuk preket Regency Casino

Një nga pengesat për t’u aplikuar, sipas Ervin Bushatit, një nga deputetët, i cili ka firmosur kërkesën për shtyrjen e ligjit, bëhen licencat e dhëna për Regency Casino dhe Lotarinë Kombëtare, prishja e kontratave me të cilat do ta çonte shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar dhe dëmi i shkaktuar buxhetit do të ishte i lartë.
Së dyti, Bushati argumentoi me faktin se një numër i madh të punësuarish do të prekeshin nga ky ligj. Së treti, ky ligj do të bëhej nxitës i informalitetit, duke u zhvilluar si aktivitet në të zezë. Së katërti, aplikimi i ligjit rrezikon zhvendosjen e këtij sektori jashtë Shqipërisë.
Deputetja e PD-së, Liljana Elmazi, tha se problemet e evidentuara si pengesa për aplikimin e ligjit mund të vazhdojnë të qëndrojnë deri më 2018-n dhe përsëri do të ishin motiv për shtyrjen e ligjit. Në parim, Ministria e Financave ka thënë se ka rënë dakord për ndryshimet në nenin 2 dhe jo për nenin 1, që ka të bëjë me zhvendosjen e aktivitetit të këtyre subjekteve në hotelet me 5 yje të resorteve turistike pas dy viteve, ndërkohë që kontrata 10 milionë dollarë e Regency Casino përfundon në vitin 2020.
Gjatë argumentimit të tij, Ahmetaj tha se po përpiqeshin të disiplinojnë një sektor me peshë të konsiderueshme, ku janë të punësuar 8000 punonjës direkt apo indirekt. Ahmetaj, në pozicionin e ministrit të Financave, ka thënë se dëshira e tij është që të mos humbasë asnjë prej tatimpaguesve.
Diskutimet qenë të shumta, deri në akuza për klientelizëm apo favorizim të monopoleve të lojërave të fatit.
Jorida Tabaku, deputete e PD-së, risolli diskutimet e projektligjit ku zëvendësministrja e Financave e asaj kohe, Irena Beqiraj, siguronte se nuk kishte asgjë që të bëhej pengesë e këtij ligji, mjaftonte vullneti politik, që sot mesa duket mungon, ka shtuar ajo.
Në fakt, oponencën më të fortë gjatë diskutimeve e bëri kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ku me anë të pyetjeve të tij dolën në pah disa problematika të këtij ligji.
Së pari, ligji ka hyrë në fuqi vetëm për një pjesë të tregut. Në segmentin e kazinove elektronike, ligji nuk vepron. Së dyti, taksimi i kompanive të lojërave të fatit bëhet sipas ligjit të vjetër dhe kjo sipas kryetarit Braçe është një problem që duhet zgjidhur sa më parë. Së treti, dhënia e këtyre licencave, sipas kryetarit ka bërë që tregu i lojërave të fatit, të jetë një monopol i këtyre të kompanive, që sot po bëhen shkak dhe për shtyrjen e hyrjes në fuqi të këtij ligi.
Në letrën e tyre, 5 deputetët Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha dhe Ylli Shehu, kërkuan që ligji për lojërat e fatit të hyjë në fuqi pas dy vitesh. Ata kërkojnë shfuqizimin e pikës 1 të nenit 71 të ligjit dhe ndryshimit të pikës 2 dhe 3 të këtij neni me fjalët deri më 31 dhjetor 2018.

Artikulli paraprakShqiptarët të dytët në botë për braktisjen e vendit
Artikulli tjetërVjedhja, doganave u mungojnë 36 milionë euro