I lumtur tek Juve

Paulo Dybala largon zërat që e shohin të ardhmen e tij te Barcelona. I pyetur nga mediat italiane, argjentinasi u shpreh se është shumë i lumtur te Juventus. Sulmuesi kujtoi faktin se vetëm para 3 muajsh rinovoi kontratën me “Zonjën e Vjetër” dhe mbi të gjitha mori dhe fanellën me numrin 10. Dybala, vijoi më tej, se dëshiron të rritet te bardhezinjtë dhe nëse klubi dëshiron, është i gatshëm të qëndrojë përgjithmonë te Juve.
Trofeu i parë i sezonit në Itali qëndron në Romë falë Murgias, që në të 93-tën pak sekonda para shtesës i dha Superkupën në duar Lacios. Lacio fitoi një ndeshje të çmendur në “Olimpico”, të cilën e konsideronte të mbyllur pesë minuta para fundit, por që Juventus arriti ta hapë po aq mrekullisht sa dhe bardhëkaltërit fituan këtë trofe. Një titull që ka dhe ngjyra kuqezi falë Thomas Strakoshës, i cili që në fillim bëri pritje vendimtare për të tijtë, duke mbajtur të paprekur rezultatin për të lejuar të tijtë të ishin të qetë në fushë. Immobile dhe një herë tregoi se mbetet njeriu gol dhe jo vetëm që i vodhi një 11-metërsh Buffonit, të cilin e shndërroi po vetë në gol, por gjithashtu në pjesën e dytë shtroi rrugën e Lacios drejt trofeut me golin e 2-0.
Juventus në kërkim të golit të shpresës u përplas te Strakosha sistematikisht deri në minutën e 85-të kur Dybala mundi të dërgojë topin në rrjetë. Gjithsesi Dybala sapo kishte nisur shfaqjen e tij pasi në të 91-tën mundi të barazojë rezultatin nga pika e bardhë. Juventus mendoi se e dërgoi në shtesë ndeshjen, por 1 minutë para fundit Murgia shënoi golin më të rëndësishëm të karrierës duke i dhënë trofeun ndër duar Lacios për herë të katërt në historinë e klubit.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, nuk është i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve në Superkupën e Italisë ndaj Lazios, ku u mposhten 3:2. Ai madje e pranoi se Lazio ka qenë skuadër më e mirë dhe e ka merituar trofeun. “U treguam mendjelehtë, por Lazio e meritoi trofeun. Luajti më mirë dhe luftoi më shumë se ne. Për të paktën një orë nuk kemi luajtur futboll. Duhet të reflektojmë dhe të rikthehemi me këmbë në tokë”, tha Allegri pas ndeshjes. Ai i ka porositur lojtarët që në ndeshjen ndaj Cagliarit në Serie A duhet të rikthehen te fitoja dhe të nisin sezonin në mënyrën më të mirë.
Luciano Vietto është një objektiv real i Sampdorias. Është argjentinasi i Atletico së Madridit, ëndrra në sulm për klubin dorian, që tashmë ka bërë një hap konkret në drejtim të lojtarit. Skuadra italiane është e gatshme t’i ofrojë 16 milionë euro “Los Colchoneros” për 23-vjeçarin, por kjo shifër duket se nuk e kënaq aspak skuadrën madrilene që kërkon të arkëtojë më shumë nga shitja e Vietto-s.
Është duel në merkato mes Veronas dhe Torinos për Sadiq Umar, sulmuesin nigerian të Romës, i cili është rikthyer në Trigoria, pas huazimit te Bologna. Sipas “Tuttosport”, klubi bluverdhë është në avantazh për 20-vjeçarin, që dëshiron ta marrë vetëm në formë huazimi, ndërsa klubi granata i ofron edhe të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit për 8 milionë euro.
Kevin Strootman është plotësisht i përqendruar te sezoni i ri me Romën. Gjatë kësaj merkatoje emri i holandezit është përfolur për një kalim të mundshëm te Juventusi, por vetë 27-vjeçari sqaron se asnjëherë nuk ka biseduar me drejtuesit e bardhezinjve. Strootman është mëse i kënaqur në “Olimpico” dhe nuk sheh asnjë arsye përse të largohet nga verdhekuqtë. Mesfushori theksoi se objektivi i tij është të fitojë çdo ndeshje me Romën.

Artikulli paraprakLa Liga
Artikulli tjetër“Killing Pablo”