Luksemburgu i shqetësuar për fluksin e azilkërkuesve shqiptarë

Rritja e ndjeshme të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Luksemburg si në çdo vend tjetër të Europës ka detyruar ambasadoren e Luksemburgut në Tiranë, Nadia Ernzer të zhvillojë një takim me zv.ministren e Jashtme të Shqipërisë. Në qendër të bisedimeve mësohet se ka qenë çështja e emigrantëve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian. Midis dy zyrtarëve është diskutuar për këtë fenomen, si dhe masat që duhen ndërmarrë për reduktimin e kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë. Për këtë ata kanë iniciuar një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Luksemburgut për shkëmbimin e informacionit për çështjet e migracionit dhe azilit.
Po ashtu nga burimet brenda ministrisë është mësuar se zv.ministrja Voda informoi ambasadoren Ernzer se deklarata noteriale shoqëruese që do të plotësohet nga prindërit do të përmbajë të dhëna të detajuara. Ato do t’i dërgohen vendeve të interesuara, nëse do të ketë shkelje të afateve. Ajo theksoi se reforma në drejtësi pritet të përmirësojë aftësinë ndëshkuese të organeve ligjzbatuese edhe në kontekstin e këtij fenomeni. Për ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë për të mos shkelur rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, është folur që të ketë një fushatë intensive.

Artikulli paraprakRritje drastike e faturave të çmimit të ujit
Artikulli tjetërVala e koncesioneve, 10 milionë euro dy HEC-e të reja