Luftë mes United e Realit për Bernardo Silvën

Quhet Bernardo Silva është 22 vjeç, luan me kombëtaren portugeze dhe mund të kthehet në një mollë sherri mes Realit të Madridit dhe Manchester United në merkaton e verës së ardhshme. Bernardo Silva po shkëlqen në këtë sezon me fanellën e Monacos dhe për lojtarin sëfundmi kanë shfaqur interes disa prej klubeve më të mëdha të Europës. Në verën e vitit 2015-të, kur Manchester United firmosi me Anthony Martial arriti edhe një paraakord me klubin nga Principata për të patur opsionin për blerjen e mesfushorit portugez në vitet në vazhdim, por tashmë që për të marrë shërbimet e lojtarit ka hyrë në garë edhe Reali i Madridit, gjërat ndryshojnë sepse do të jetë vetë Bernardo Silva, ai që do të vendosë se ku do ta vazhdojë karrierën.
Në këtë sezon 22-vjeçari nga Lisbona ka  qenë një nga më të mirët për Monacon, teksa ka zhvilluar në total 36 ndeshje në të gjithë kompeticionet, duke realizuar dhe 9 gola. Te United Bernardo Silva do të vendosej në dispozicion të bashkëkombasit të tij Jose Mourinho, i cili e pëlqen së tepërmi luzitanin dhe e ka vendosur në  krye të listës së dëshirave përsa i përket merkatos së ardhshme. Por kur në lojë është edhe një klub si Reali i Madridit çdo lojtar do të ishte në mëdyshje të madhe për të zgjedhur se ku duhet ta vazhdojë karrierën, në këtë rast nuk bën përjashtim as Bernardo Silva. Do të jetë një garë e fortë gjithsesi mes Djajëve të Kuq dhe Los Blancos për të firmosur me futbollistin portugez. Për ta blerë nga Benfica, Bernardo Silvën, Monaco ka paguar 15,5 milionë euro, ndërkohë që tashmë për ta lënë të lirë lojtarin kërkon jo më pak se 70 milionë euro.

Artikulli paraprakTjetër rekord i Realit, thyhet Murinjo
Artikulli tjetërLeipzig kthehet te fitorja, Schalke ndalet në Këln