“Lufta” për tokën, investimet në blegtori rrezikojnë falimentin

Pas shumë vitesh në emigracion, Endrit Pepa u kthye pesë vjet më parë në qytetin e tij të Cërrikut dhe investoi në zgjerimin e aktivitetit të familjes -rritjen e bagëtive të imëta. Por planet e tij u vështirësuan nga një vendim i qeverisë shqiptare i vitit 2013, përmes së cilit u pezullua përkohësisht dhënia me qira e tokave të pandara bujqësore. Familja Pepa e kishte siguruar ushqimin për tufën e vet të bagëtive përmes marrjes me qira të 19 hektarëve tokë bujqësore në një procedurë ankandi të Drejtorisë së Bujqësisë. Pezullimi për 3 vjet i procesit shkaktoi probleme të shumta, ndërkohë që Endrit Pepa thotë se nëse kjo situatë zgjat mund ta çojë biznesin e tij drejt falimentit.
“Për 3 vjet jemi sorollatur duke marrë me qira ngastra të vogla nga fermerët e tjerë. Vitet e fundit u bë më e vështirë pasi shumë emigrantë vendosën ta punojnë vetë tokën, duke mos e dhënë më me qira. Kam 900 krerë bagëti të imta, të cilat duan ushqim”, i tha “BIRN” Endrit Pepa. Më 20 prill 2016, Këshilli i Ministrave shfuqizoi vendimin e mëparshëm dhe i rihapi rrugën dhënies me qira të tokave të pandara bujqësore. Për zbatimin e vendimit u udhëzuan Ministria e Bujqësisë dhe kryetarët e bashkive.
Por një vit më pas, blegtorët e Cërrikut vazhdojnë të vuajnë pasojat e mozbatimit të këtij udhëzimi. Në fund të vitit 2016, Drejtoria e Bujqësisë shpalli ankandin për dhënien me qira të tokave të pandara bujqësore dhe më pas e anuloi atë. Endrit Pepa i tha “BIRN” se nuk mori asnjë shpjegim për arsyet e anulimit të ankandit. “Jemi tre blegtorë të tufave të mëdha me bagëti të imta që jemi në situatë mjaft të vështirë. Shteti na ka subvencionuar të mbarështojmë bagëti, por nuk na krijon mundësitë që t’i mbajmë ato”, ankohet ai.
E kontaktuar nga “BIRN”, Ministria e Bujqësisë deklaroi se prej vitit 2014 administron mbi 18 000 hektarë tokë, subjekt i ligjit të dhënies me qira ose me koncesion. Ajo shpjegoi se në zonën kadastrale 2281 në Cërrik nuk u zhvillua ankandi, për shkak të një procesi gjyqësor të hapur mbi njërën prej parcelave. Bashkia Cërrik konfirmoi gjithashtu se është në dijeni të ankesave të Endrit Pepës, të cilat po ndiqen nga ky institucion. Drejtori për Bujqësinë në këtë bashki, Vasjar Shermadhi i tha “BIRN” se procedura e ankandit pritet të hapet sërish.
“Ne do të jemi gjithmonë të gatshëm për zgjidhjen e problemeve të blegtorëve, por këto toka nuk varen nga ne, por nga Drejtoria e Bujqësisë”, tha Shermadhi. Ndërkohë që institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, fermerët e Cërrikut ankohen se tokat bujqësore janë zaptuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa ata nuk i lejojnë as të kalojnë bagëtitë nëpër rrugë. Endrit Pepa shpjegon se në vit paguante deri në 500 mijë lekë qira për tokën, ndërsa sot ajo po shfrytëzohet pa asnjë kontratë, ndërkohë që atyre u mohohet e drejta e shfrytëzimit.
“Unë si blegtor i kërkoj shtetit të më ndihmojë të dal nga situata që jam, pasi bagëtitë i kam të izoluara. Pse shteti lejon shfrytëzimin pa kontrata të tokave dhe nuk bën procedurën e ankandit?”, pyet ai. Familja Pepa nuk është e vetmja në këtë betejë. Faik Salla, një tjetër fermer nga Cërriku ankohet se ka pasur në përdorim kullota në vendin e quajtur Radiostacioni, por i janë marrë me “urdhër nga lart”. “Kam pasur 500 krerë bagëti, tani më kanë mbetur 300. Na i morën tokat e na lanë rrugëve”, thotë me dëshpërim ai.
Zvarritja e dhënies me qira të tokave në Cërrik ka shkaktuar konflikte mes banorëve dhe atyre që ata i quajnë “zaptues”. Ndërsa luftojnë për të siguruar ushqim për tufat e tyre të bagëtive, fermerët akuzojnë gjithashtu se biznese të caktuara kanë lidhur kontratë me Drejtorinë e Bujqësisë edhe gjatë periudhës së pezullimit. Në komunikimin me “BIRN”, Ministria e Bujqësisë sqaroi se toka në fjalë ka si origjinë ish-Ndërmarrjen Bujqësore, për të cilën dhënia me qira nuk u pezulluan nga vendimi i qeverisë. Ajo shton se procedurat konkurruese për këtë tokë janë zbatuar sipas legjislacionit në fuqi.
Faik Salla tha se ai nuk aplikoi në ankand, pasi nuk sheh ndonjë mundësi se mund të fitonte. Ai apeloi për një zgjidhje nga shteti, në mënyrë që të ketë mundësi të mbajë tufën e tij të bagëtive.
“Bagëtitë tona rrezikojnë të ngordhin pasi nuk i përballojmë dot ushqimin e tyre. Kërkoj të na japë shteti tokat me qira të mbajmë bagëtitë”, përfundon ai.

Sa janë shanset reale që fondet të përthithen nga operatorët e sektorit bujqësor

Shkaku primar dhe më i rëndësishëm përse nuk i aksesojmë këto fonde pavarësisht nevojës shpeshherë jetike që kanë bizneset bujqësore dhe fermerët ngelet informaliteti i lartë që ka zaptuar fort këtë sektor. Zbutja e këtij fenomeni ka qenë shumë pak e dukshme gjatë viteve të fundit, ku shifrat kokëforta tregojnë për një regjistrim dhe jo formalizim real të subjekteve që operojnë në bujqësi. Mospatja e dokumentacioneve ligjore dhe financiare, me raste dhe bazike, e bën të pamundur aplikimin në këto skema.
Problem tjetër ka qenë veçanërisht në skemat kombëtare burokracia e lartë për përgatitjen e dokumentacionit dhe ankesat e shpeshta të ngritura nga fermerët për pagesa nën dorë për “ndihmesat” në realizimin e dosjes të ofruara këto nga ana e administratës. Koha e shkurtër e aplikimit e vënë në dispozicion është një tjetër faktor, i cili ka penguar në aplikim ose dhe në fitimin e granteve, ky faktor përkeqësohet nëse mbajmë në vëmendje që dokumentacionet mbështetëse, të cilat tërhiqen në institucione të ndryshme publike duan një kohë të gjatë të vihen në dispozicion të aplikuesve, me vonesa dhe pengesa nga më të ndryshmet, të cilat i bën (veçanërisht) fermerët të dorëzohen ose të tërhiqen nga ideja për të aplikuar, duke vlerësuar dhe shpenzimet operacionale që ka gjatë plotësimit të dosjes së aplikimit për grant. Një tjetër problem dhe ky po aq i rëndësishëm sa të mëparshmit, është ai i pronësisë së tokës ku realizohet investimi, kusht ky i domosdoshëm, veçanërisht nëse aplikohet në skema ndërkombëtare si SARED ose IPARD. Pra, skenari për agrobiznesin nuk duket dhe aq rozë pavarësisht gjithë parave që janë në dispozicion nga kombëtarët e ndërkombëtarët, ato ngelen shumë pak të prekshme. E për sa kohë informaliteti nuk gjen zgjidhje dhe përmirësimi i procedurave administrative nuk zhvillohen me të njëjtin hap me sektorin, fondet do të rikthehen mbrapa pa mundur të aksesohen nga biznesi. Ngelet të shpresojmë që qeveria që do të vijë në pushtet ta ketë bujqësinë jo vetëm një sektor prioritar në letra, por të ndihmojë me reforma të prekshme, duke asistuar në këtë mënyrë një sektor, i cili po zhvillohet me hapa galopantë, një rezultat ky më shumë i arritur nga puna e palodhur e biznesit sesa nga efektiviteti administrativ.

Grantet e bujqësisë, a janë vërtet të aksesueshme për të gjithë?!

Rihapja e granteve dhe e skemave të kompensimit nëpërmjet fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare janë një mundësi e shumëpritur gjatë gjithë vitit, jo vetëm nga kompanitë që operojnë në sektorin e agrobiznesit, por kryesisht nga fermerët, të cilët i shohin ato si një mundësi për të rritur kapacitetet e prodhimit, për të modernizuar teknologjinë e mbi të gjitha, për të përmirësuar produktet dhe sigurinë ushqimore. Disa nga skemat kryesore në vend janë ato që menaxhohen nga Ministria e Bujqësisë, ku përmendim këtu skemën kombëtare, e cila menaxhohet nga AZHBR dhe skemat ndërkombëtare SARED dhe IPARD II. IPARD II është një skemë, e cila rihapet prej disa vitesh pezullimi, ajo mirëpritet veçanërisht nga kompanitë e mëdha përpunuese të agros, pasi grantet në këtë skemë arrijnë vlerat deri në 500.000 euro. Le të ndalemi të analizojmë shkurtimisht secilën prej tyre: -AZHBR – Është një skemë kombëtare e mundësuar nga Ministria e Bujqësisë, aplikimet për të cilën do të jenë të hapura gjatë këtij viti, nga data 2 deri më 31 maj 2017. Për shkak të dokumentacionit dhe procedurave të lehta të aplikimit, kjo skemë është më lehtësisht e aksesueshme nga SHBB (Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor) dhe fermerët. Fondet për të cilat mund të aplikohet nuk janë shumë të larta, ato variojnë nga 200.000-600.000 lekë dhe prekin një gamë të gjerë nënsektorësh të bujqësisë si mbarështimi i blegtorisë, akuakulturën, prodhimet në serra, kultivimin e frutave të thata, fermat organike, vreshtat, ullinjtë, etj. -SARED – Fondi i Grantit të projektit SARED bashkëfinancohet nga qeveria gjermane dhe ajo e Danimarkës, menaxhimi i saj bëhet nga GIZ në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Momentalisht është aktive thirrja e 4 për këtë fond, ku aplikimi për grante për këtë vit mund të bëhet nga data 01 mars 2017 deri më 31 maj 2017. Mbështetja financiare në këtë rast është më e lartë, ku mund të aplikohet për investimet në fermë, me vlera nga 400.000-3.500.000 lekë dhe për investimet jashtë ferme (mbledhje, përpunim, marketing) me vlera nga 700.000–10.5000.000 lekë. Kufizimet që ka ky fond janë pasi ai është i limituar vetëm në 6 rajone, përkatësisht Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë dhe aplikohet vetëm për investime në sektorin agroushqimor për 3 zinxhirë të vlerës: ripërtypësit e vegjël, frutat e arrorët dhe bimët aromatike dhe mjekësore. -IPARD II – Është një instrument për asistencë para aderimit, i përdorur nga Bashkimi Europian për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale, si dhe në përgatitjen e tyre për zbatimin e politikave dhe ligjeve të BE-së. Ky fond ka qenë aktiv me 3 thirrje deri në vitin 2014 dhe ka ndaluar së funksionuari për disa vite për shkak të përthithjes së dobët nga biznesi i këtij granti përgjatë 3 thirrjeve të para. Në fund të marsit u mblodh komiteti i monitorimit pranë Ministrisë së Bujqësisë, ku u deklarua se për sektorin e bujqësisë do të jenë disponibël deri në vitin 2020 një fond prej 95 milionë eurosh, nga të cilat 71 milionë euro financohen nga BE dhe 24 milionë euro nga qeve
ria shqiptare. Baza e këtij fondi do të jetë si dhe në vitet e kaluara, rritja e konkurrueshmërisë nëpërmjet përmirësimit të standardeve të sigurisë ushqimore. Kriteret e aplikimit do të jenë të publikuara tek “Udhëzuesi për aplikantët” ku do të jenë të specifikuara qartësisht procedurat për të qenë fitues i këtij granti, që pritet të arrijë të rimbursojë nga 50-80% të fondit të investimit.

Monitor

Artikulli paraprakYee: Nuk ka demokraci pa opozitën
Artikulli tjetërEfekti “bumerang” i pagës minimale