Lufta në Libi bëhet edhe me goditje propagande

Më 8 janar, Kryeministri italian Giuseppe Conte ka kërkuar që të takojë bashkë dy rivalët libianë: Fayez al Sarraj, Kryeministër i Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare (GNA), dhe Khalifa Haftar, Komandant i Forcave të Armatosura Arabe Libiane (FAAL, akronimi me të cilin Haftar quan forcat e tij në mjetet arabe të informimit). GNA-ja është qeveria e njohur nga bashkësia ndërkombëtare, por faktikisht e mbështetur nga Turqia dhe Katari. Haftar gëzon mbështetjen e Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Francës dhe Rusisë.

Al Sarraj ndodhej në një takim me disa përfaqësues të Bashkimit Europian në Bruksel, pas të cilit do të detyrohej të bënte një ndalim në Romë. Por kur ka zbuluar planin e supozuar italian, ka ndryshuar itinerar dhe ka fluturuar drejt Tripolit. Mbështetësit e GNA-së e kanë lëvduar vendimin e Al Sarraj. Për një njeri si Haftar dukja është gjithçka dhe në këtë rast nuk ka bërë figurë të mirë. Për të minimizuar këtë lajm poshtërues, autorët e propagandës së Haftar kanë krijuar një perde tymi dhe kanë nisur të flasin për një arrestim të Al Sarraj me mbrritjen e tij në Tripoli. Këto thashetheme janë përhapur vetëtimthi dhe janë ndarë nga organe të ndryshme shtypi, midis të cilave “Corriere della Sera”.

Ndoshta është e vërtetë se në fund janë fitimtarët ata që e shkruajnë historinë, por për momentin në Libi historinë po e tregojnë mijëra zëra të ndryshëm, secili me përzierjen e saj të fakteve dhe gënjeshtrave, narrativat kundërshtojnë njëra tjetrën dhe lajmet false fluturojnë nga njëra anë tek tjetra.

Mesazhe universale
Sulmi i lëshuar mbi Tripolin nga Haftar, i filluar më 4 prill 2019, fillimisht ishte paraqitur si një fitore shumë e thjeshtë. Megjithatë, milicitë perëndimore, nën udhëheqjen e GNA-së, janë bashkuar për ta mbrojtur kryeqytetin dhe kanë arritur t’i ndalojnë forcat e Haftar në periferinë jugore të kryeqytetit.

Të shpërngulurit janë më shumë se 140000 dhe rreth kryeqytetit nën rrethim është krijuar një rrip territori bosh, një lloj toke e askujt. Në javët e fundit ky rrip është zgjeruar me ngadalë dhe forcat e armatosura të lidhura me GNA-në kanë shtrënguar shume familje që kishin mbetur nëpër shtëpitë e tyre të largohen për të shpëtuar jetën. Nga ana tjetër, tashmë nuk janë të sigurta as lagjet në veri të Tripolit, të goditura nga bombardime ajrore më të shpejta, më të rastësishëm dhe më kapilarë.

Kanalet televizive e afërta me GNA-në transmetojnë propagandën antiHaftar, përfshi videot e intervistave e luftëtarëve të saj të zënë robër. Këto intervista të lënë shije të hidhur: nuk arrin as t’i shtysh poshtë as t’i nxjerrësh jashtë. Robërit përziejnë rrëfime dhe brenga, duke pranuar se janë mashtruar.

E gjitha kjo të sjell në mendje kujtimet e 2011, kur në televizionet e Gedafit transmetoheshin 24 orë në 24 orë video rebelësh të zënë rob dhe, njëkohësisht, më kanalet e opozitës transmetoheshin vide ushtarësh të Gedafit të zënë rob. Risia e sotme është se gardianët u lejojnë robërve që t’u telefonojnë familjeve për t’i lajmëruar se janë zënë rob, por se janë mirë. Këtyre u shtohen videot e mercenarëve sudanezë e çadianë të zënë rob dhe të mercenarëve ukrainas e rusë që luftojnë përkrah ushtarëve të FAAL-it.

Përveç televizioneve libianeve afër me ENL-në, shume televizione emiratase dhe egjiptiane i ofrojnë një platformë propagandës pro Haftar, duke transmetuar pamje të luftëtarëve sirianë të rreshtuar nga Turqia përkrah GNA-së. Për të mos folur për ekspertët, secili me një këndvështrim ndryshe të situatës dhe analiza totalisht divergjuese njëra nga tjetra.

Lajme false dhe video të manipuluara e bëjnë të vështirë të kuptohet se ku fillon e ku mbaron e vërteta. Diskutimet e urrejtjes dhe djegëse nga njëra palë dhe tjetra kanë arritur maja të reja dhe tashmë në rrjetet sociale tema të tilla si spastrimi etnik janë bërë gjë e zakonshme. Nganjëherë shfaqen rrëfime jo vetëm midis rreshtimeve të kundërta të propagandës, por edhe brenda vetë kampit.

Si natën e 5 janarit 2020, kur një dron ka bombarduar Akademinë Ushtarake Hadaba të Tripolit, një strukturë ku kadetët i nënshtrohen një stërvitjeje formale pasi janë diplomuar në shkollën e mesme. Atë mbrëmje kadetët janë goditur nga një sulm ajror i FAAL-it gjatë procedurave të mbrëmjes. 28 kanë vdekur në vend, 2 të tjerë më pas. Të plagosurit kanë qenë disa dhjetëra. Një valë indinjate ka përshkuar Tripolin orët në vazhdim: një turmë ka dalë në rrugë por të manifestuar, duke thirrur slogane kundër Haftar, Princit emiratas Mohammed bin Zayed dhe Presidentit egjiptian Al Sisi, ndërsa shumë persona të tjerë kanë nxituar të dhurojnë gjak për kadetët.

Gjenerali Khalid al Mahjoub, Zëdhënës i FAAL-it, e ka konfirmuar sulmin në lidhje të drejtpërdrejtë televizive. E ka justifikuar masakrën duke pohuar se ka qenë i informuar se Akademia ishte bosh dhe se kadetët në realitet qenë milicë. Në rrjetet sociale një ushtri llogarishë të lidhura me Haftar i ka vënë në dyshim faktet, duke përhapur zëra që mohonin se ka pasur një sulm ajror. Disa janë shtyrë deri aty sa kanë pohuar që kadetët qenë dënuar me vdekje nga GNA-ja. Atë natë Ahmed al Mismari, në tjetër zëdhënës i Haftar, gjatë një konference për shtyp i ka shprehur ngushëllimet e tij familjeve të viktimave, duke mohuar çdo lidhje me çka ka ndodhur.

Të nesërmen GNA-ja ka botuar një video të xhiruar nga telekamerat e brendshme që konfirmonte sulmin ajror. Mbeturinat e raketave qenë koherente me ato të dronëve kinezë të përdorur nga Emiratet në Libi. Ambasada amerikane në Libi e ka dënuar sulmin dhe ia ka atribuar përgjegjësinë forcave të Haftar, ndërsa USMIL, Misioni Mbështetës i Kombeve të Bashkuara në Libi, ka abstenuar nga përmendja e Haftar dhe e Emirateve në të gjitha deklarimet e dënimit.

Si një re e zezë në qiejt e Tripolit, seria e gjatë e sulmeve të përditshme ajrore ka sjhkaktuar vdekjen e civilëve. Më 12 janar ka hyrë në fuqi armëpushimi midis palëve në luftë, por pa një përgjigje të fortë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare situata nuk do të ndryshojë shpejt.

Në të frontet propaganda përdor të gjitha instrumentat ne dispozicion për ta ushqyer zjarrin, duke hedhur në fushë një numër në rritje të rinjsh për të shërbyer si karburant. Nga njëra anë GNA-ja pën thirrje për xhihad, luftën e shenjtë kundër mercenarëve të pafe rusë, kundër tiranit të ri/të vjetër të ardhur me ushtritë e tij tribale të beduinëve primitivë dhe kundër mbështetësve të Gedafit, të kthyer për t’u hakmarrë. Nga ana tjetër bëhet thirrja për luftë të shenjtë kundër perandorit osman (Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan), i ardhur për ta pushtuar Libinë dhe risjellë në jetë lavdinë e humbur e stërgjyshërve të tij, duke u harantuar 100000 dinarë libianë (rreth 64000 euro) familjeve të luftëtarëve që vdesin në këtë luftë.

Një e kaluar që nuk kalon
Më 6 janar 2020 televizionet proHaftar kanë transmetuar një diskutim të veçantë të Abu Zaid Dorda, një simbol i rëndësishëm i regjimit të Gedafit që deri më sot kishte qëndruar në heshtje dhe ishte harruar. Dorda qe Guvernator i Misurata në vitet ’70 dhe më pas ka mbuluar poste të rëndësishme nën Gedafin. Më pas e ndoqi këtë të fundit në rënien e tij: i arrestuar më 11 shtator 2011, ka kaluar 8 vite në burg, derikur GNA-ja nuk e ka liruar prej kushteve të tij të rënda shëndetësore, me një dekret të firmosur nga Ministri i Brendshëm i Tripolit Fathi Bashaga, në një gjest që ka do të duhej të demonstronte rëndësinë e pajtimit kombëtar midis libianëve.

Dorda ishte i dobishëm në krijimin e simboleve të rinj dhe ka arritur të bëhet një element atraksioni për shumë: nostalgjikë besnikë gedafianë dhe shumë të rinj që kontestojnë si Al Sarraj, ashtu edhe Haftar, dhe nuk dijnë se çfarë ka bërë Dorda në të kaluarën. Në diskutimin e tij Dorda u ka kërkuar njerëzve që të rreshtohen me Haftar: “Nuk ju pëlqen Haftar? Hëm, nuk po ju kërkojmë që t’i jepni vajzën për grua, por thomëni në këtë moment kush tjetër ka atë që duhet për të fituar betejën?”. Ka folur shumë për Gedafin dhe sesa besim kishte tek ai, pastaj ka treguar sërish historinë e ngjitjes së Haftar. E ka quajtur shumë herë “vëlla”, të njëjtën fjalë që përdorte për Gedafin. I tiji ka qenë një rrëfim romantik i mbushur plot me simbolizma dhe akte heroizmi.

E ka quajtur flamurin libian një copë leckë pavlerë dhe ka deklaruar se duhet të eliminohet, si në vitin 1969. Derikur libianët të bien dakord për një flamur të ri, ka vazhduar më tej ai, të gjithë duhet të luftojnë nën FAAL-in ose të shpalosin një flamur të bardhë me fytyrën e Omar Mokhtar (heroit të rezistencës libiane ndaj kolonializmit italian). Dorda ka kritikuar Al Sarraj për origjinën e tij turke, duke pohuar se ai dhe të tërë si ai nga tribu turke duhet të zhduken nga vendi. E ka përfunduar diskutimin e tij 2 orësh me këto fjalë: “Të gjithë ata që nuk mbështesin Haftar janë terroristë, agjentë të huaj apo njerëz të ngjitur pas karriges”.

Të nesërmen një brigadë salafite madkhalite që kontrollonte qytetin e Sirte ka ndryshuar rreshtim dhe i është bashkuar Haftar. Duke luftuar përkrah besnikëve gedafianë në qytet ka arritur të përzejë forcat e GNA-së. Pasi kam parë videon e banorëve të Sirtes që festonin nëpër rrugë duke thirrur emrin e Gedafit, më është dashur të mendoj sesa duhet të ketë qenë e vështirë për profetët që t’i bindnin njerëzit të reshtnin së adhuruari idhujt. Por ndoshta do më duhet të pyes nëse ia kanë arritur vërtetë apo jo.
(Khalifa Abo Khraisse është regjisor dhe skenarist libian)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakProkurorë dhe hetues nga Italia për tërmetin në Durrës, çfarë pritet të ndodhë me Gjush betonin?
Artikulli tjetërPas dënimit të dy bashkëpunëtorëve për foton 80 mijë USD me Obamën, Rama duhet të merret i pandehur