Lufta ndaj terrorit, porosia u kry me GBU-43

Pentagoni thotë se forcat amerikane në Afganistan përdorën bombën më të madhe jo-bërthamore që disponon ushtria kundër një objekti të Shtetit Islamik.
Zëdhënësi i Pentagonit Adam Stump tha se kjo ishte hera e parë që një bombë e tillë, e njohur si GBU-43, përdorej në një situatë luftarake. Zëdhënësi tha se bomba përmban 11 tonë eksploziv dhe njihet si “Nëna e të gjitha bombave.”
Zoti Stump tha se bomba u hodh në një kompleks shpellash që besohet se përdoreshin nga luftëtarët e ISIS-it në qarkun Achin të provincës Nangarhar, shumë afër kufirit me Pakistanin.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u tha gazetarëve në Uashington se nuk ishte në dijeni nëse operacioni ishte miratuar nga presidenti Donald Trump, por theksoi se “ne duhet t’i mohojmë ISIS-it hapësirë funksionale, gjë të cilën e bëmë.”
Ai tha se ushtria mori të gjitha masat e nevojshme për të shmangur viktimat mes civilëve.
Bomba u hodh në përgjigje të “përdorimit në rritje të bunkerëve dhe tuneleve” nga ISIS-i, tha gjenerali John Nicholson, komandant i forcave amerikane në Afganistan.
“Ky është municioni i duhur për të reduktuar këto pengesa dhe për të mbajtur gjallë ofensivën tonë kundër ISIS-it”, tha Nicholson. Pentagoni nuk ka njoftuar se sa dëm i është shkaktuar bazës së ISIS-it apo nëse ka pasur viktima.

Artikulli paraprakKush po e kryqëzon demokracinë?
Artikulli tjetërFaqja e pare