“Lufta” italiane ndaj call center

Në muajin dhjetor, Parlamenti italian kaloi në ligjin për buxhetin edhe masat shtrënguese, që synonin frenimin e delokalizimit të call center në vendet jashtë BE-së, duke e bërë të paqartë situatën me call center në Shqipëri një sektor që vitet e fundit është bërë mjaft i rëndësishëm, teksa punëson më shumë se 25 mijë persona. Kompanitë në Shqipëri kanë filluar të marrin masat. Operatorët më të mëdhenj kanë regjistruar tashmë kompani edhe në Rumani, që duke qenë brenda BE-së nuk u nënshtrohet kufizimeve të masave shtrënguese. Mbyllja e kompanive të vogla call center në Shqipëri ka filluar, të tjerë raportojnë vështirësi dhe në përgjithësi operatorët e tregut presin që deri në fund të vitit të bëhet më e qartë situata. Të tjerë kanë filluar të diversifikohen drejt shërbimeve të tjera, si web marketing apo dhe forex. Po synohet dhe tregu gjerman, por gjithsesi numri i të rinjve shqiptarë që dinë gjermanisht është shumë më i ulët se i atyre që flasin italisht. Në maj të këtij viti, 13 sipërmarrje të mëdha italiane firmosën dje një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik Carlo Calenda, në të cilin u angazhuan që 95% të shërbimeve aktuale t’i kalojnë gradualisht në Itali, si dhe të paktën 80% e vëllimeve outsourcing për kontratat e reja të kryhen në territorin italian. Këto kompani janë: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia. Aktorët e tregut pohojnë se nga 13 operatorët e sipërpërmendur, në Shqipëri kanë kontrata pesë prej tyre, Vodafone, Wind, Tim, Sky, Mediaset, Fastweb. Këto sipërmarrje vitet e fundit e kanë deleguar një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të thirrjeve telefonike tek operatorët call center në Shqipëri. Situata aktualisht mbetet e paqartë për kompanitë call center në Shqipëri. Operatorët thonë se ata janë tashmë në pritje se çfarë do t’u thonë kontraktorët. Edhe ajo pjesë e vogël e shërbimeve prej 20%, që lejohet të transferohet, sipas protokollit, vlerësohet se do të shkojë në Rumani, jo në Shqipëri.

Artikulli paraprakEuro rritet në bursa, bie sërish në Shqipëri
Artikulli tjetërKompanitë amerikane zgjedhin Maqedoninë, jo Shqipërinë