LSI: Rama po kryen grusht shteti ndaj institucioneve

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili e cilëson puç kushtetues procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Në një intervistë televizive, Vasili tha se autorët e këtij puçi do të cilësohen puçistë dhe do të akuzohen për tradhti kombëtare. Vasili tha se mazhoranca po kryen “grusht shteti” pa armë ndaj institucioneve dhe shtetit, të njëjtën rrugë, që siç tha ai, e ndoqi edhe Hitleri. “Jemi përpara një grushti shteti pa armë. Edhe Hitleri pa armë e rrëmbeu Parlamentin, shtetin, pastaj rrëmbeu armët”, tha Vasili. Sipas tij Kushtetuta nuk parashikon zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm. “Është puç kushtetues. Procedura e ndjekur nga Komisioni i Ligjeve, dëgjesat e zhvilluara janë të paligjshme. S’ka asnjë nen kushtetues që të parashikojë këtë gjë. Nëse do të vazhdojnë është dita e fundit kur në Shqipëri flitet për shtet ligjor. 60% e Kushtetutës ndryshoi në vitin 2016. Është një Kushtetutë e mbështetur nga SHBA dhe BE, të cilët e thanë haptazi konsiderojeni si Kushtetutën tonë dhe kjo Kushtetutë dhunohet ditën për diell. Reagimi do të jetë shumë i fortë. Ky prokuror do të refuzohet të njihet nga ne dhe të gjithë shqiptarët. Ata që do ta konsiderojnë këtë do të jenë puçistë, të cilët do të akuzohen për tradhti kombëtare. Çfarë do i mbrojë ligjit ky kryeprokuror, i cili ka ardhur në detyrë në shkelje me ligjin”, tha Vasili. Vasili vuri në pikëpyetje edhe ekspertizën e EURALIUS dhe OPDAT, pasi theksoi se shefi i këtij misioni në Tiranë u shkarkua për mungesë kompetence. “Rene Deville u shkarkua për inkompetencë. Isha ministër Drejtësie kur ai u shkarkua nga detyra”, tha Vasili, ndërsa duke komentuar deklaratat e ambasadorëve Lu e Vlahutin tha se “përgjegjëse për këtë çështje janë institucionet shqiptare”. Mbarimin e mandatit të Llallës, shtoi Vasili, e konstaton KLP dhe jo Kuvendi. Ai u shpreh në një mendje me kryetarin e PD, Lulzim Basha që Llalla të vijojë të qëndrojë në detyrë deri në krijimin e KLP-së.

Artikulli paraprakPD propozon moratorium marrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve
Artikulli tjetërPanariti: Tokat për Balilin me vendim qeverie