LSI: Koordinim të fortë me qytetarët për protestat

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se do të zhvillojë një koordinim të fortë me Partinë Demokratike dhe me qytetarë për protestat që do të nisin në muajin janar kundër rënies së shtetit të së drejtës, kundër krimit dhe trafikut të drogës në pushtet. Kreu i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili në një konferencë për mediat tha dje se, emërimi i kryeprokurorit të përgjithshëm ishte një rrëmbim që Rama i bëri institucionit të organit të akuzës.
“Aksioni ynë është në vazhdimësi, nuk fillon në janar. Vijon të jetë një aksion në rritje. Edhe më parë, ne kemi pasur takime të mëdha, konventat tona, ku mijëra njerëz kanë ndarë bashkë me ne këtë udhëkryq, ku ndodhet vendi. Ka pasur një reagim shumë të fortë lidhur me dhunimin dhe daljen e shtetit nga shinat kushtetuese, siç qe në rastin e rrëmbimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Kemi një kryeprokuror të rrëmbyer nga 69 deputetë të mazhorancës, si kurrë më parë në historinë e zgjedhjes së kryeprokurorëve në Shqipëri. Për fat të keq u zgjodh në këtë mënyrë pikërisht gjatë Reformës në Drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, ky aksion do të vijojë. Do të ketë kombinimin e arsyeshëm me të gjithë faktorët opozitarë, ku PD është faktori nga më kryesorët. Jo vetëm kaq, por edhe koordinimi me të gjithë qytetarët do të jetë i tillë, pasi në një reagim masiv, në një protestë masive, çdo qytetar që nuk i respektohen të drejtat, siç qe rasti i naftëtarëve apo dhunohet nga organet tatimore në mënyrën me çnjerëzore, selektive, dhe nga më diskriminueset për t’i shkatërruar, çdo qytetar që nuk i fiton dot të drejtat e tij në zyrat e shtetit, apo largohet nga puna për shkak të preferencave politike, edhe të supozuara në shumë raste, për të gjithë këta qytetarë që secili ka ç’të zgjidhë në sheshin e protestës, sigurisht që ka dhe do të ketë një qëndrim të koordinuar me të gjithë faktorët opozitarë”, u shpreh Vasili. I pyetur në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm dhe vijimit të Reformës në Drejtësi, Vasili tha: “Kemi pasur njëkohësisht dhe një vullnet të fortë për të mos lejuar që kjo Reformë në Drejtësi të mos deformohet në atë mënyrë të shëmtuar, siç ndodhi me Kryeprokuroren e Përgjithshme të vendit, pasi ky ishte një akt, i cili hodhi një baltë shumë të madhe mbi procesin e Reformës në Drejtësi. E filloi me këmbën më të gabuar këtë reformë dhe dha një anti-mesazh për zbatimin e drejtë të kësaj reforme. Pra kemi qenë dhe jemi për të zbatuar Reformën në Drejtësi në çdo pikë, në çdo germë, por nuk jemi për të deformuar Reformën në Drejtësi siç ndodhi me Kryeprokuroren. Në rast se do të ketë tendenca për ta deformuar, për ta futur në hullitë e paligjshmërisë, në hullitë e interpretimit antiligjor, siç u fut në rastin konkret, qofshin duke përdorur mekanizma vendas, apo të huaj, sigurisht nuk do të jemi dakord. Kurdoherë që do të zbatohet Reforma, të cilën e kemi miratuar me 140 vota, patjetër që do të jemi pjesë aktive e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Gjithashtu dhe një çështje tjetër me interes, pasi kemi parë edhe këto çështjet e fundit, që kemi ndjekur, ku Shqipëria ka pasur një sjellje në mënyrë të veçantë në politikën e jashtme, besoj nga më aventuresket që kemi parë, pasi jo thjesht dhe vetëm kemi votuar kundra Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë fare të qartë dhe kjo nuk ka vend për asnjë lloj leximi, për asnjë lloj përkthimi dhe asnjë lloj interpretimi, pasi, siç e dini, qoftë Presidenti Trump, qoftë ambasadorja amerikane në OKB u shprehën shumë qartë lidhur me pozicionin amerikan për këtë votë. Në fund të fundit, të gjithë duhet ta dinë dhe LSI konfirmon raporti me SHBA as nuk ka për të qenë pronë e asnjë kryeministri, cilido qoftë ai, kryeministri i radhës ngado që vijnë e ngado që shkojnë, dhe i asnjë ministri, qoftë ky i ekzaltuar nga e shkuara komuniste që kemi lënë pas, apo në delirin e ditëve të sotme, por ka për të qenë gjithmonë një marrëdhënie e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar me SHBA, e cila është marrëdhënie qindravjeçare dhe ka shënjuar integritetin jo vetëm territorial të Shqipërisë, por ka shënjuar dhe integritetin politik të saj dhe vendosjen në krahun më pozitiv të politikës botërore, dhe njëkohësisht në shumë raste SHBA ka qenë pasaporta e besimit të Shqipërisë në praninë e saj në shumë institucione ndërkombëtare, duke filluar nga NATO, por edhe në rrugëtimin e saj drejt Evropës dhe integrimit evropian.

Artikulli paraprakEnergjia, ERE miraton rritjen e tarifës për OST në 0.75 lekë/kwh
Artikulli tjetërHalimi: Reagimi i fortë kundër zhbërjes së shtetit, e vetmja rrugë