Lopetegui: Jam shqetësuar, kanë mposhtur kampionët

Trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui, ka folur në programin radiofonik “El Larguero de la SER” në Spanjë duke analizuar mes të tjerave dhe takimin e ardhshëm të kualifikueseve, atë ndaj Shqipërisë në Shkodër. “Më shumë se për barazimin me Italinë, tani po mendojmë për Shqipërinë. Duke qenë se ndeshja është shumë afër dhe pritshmëritë janë të mëdha, jemi 100% të fokusuar te përballja me shqiptarët”, tha Lopetegui.
“Më shqetëson gjithçka. Është një nga ekipet që është rritur më shumë. Kanë mposhtur kampionët e Europës dhe Francën. Tani luajnë për llogari të tyre në ndeshjet ndaj të mëdhenjve dhe kanë mbështjetjen e një shteti të tërë nga pas. Fusha nuk do të jetë në gjendje të mirë sepse ka rënë shumë shi”, tha ai.
Sulmuesi i kombëtares spanjolle, Diego Costa e ka humbur formacionin. Futbollisti brazilian i natyralizuar si spanjoll asnjëherë nuk e ka vënë në diskutim kualitetin në fushë, por nervozizmi dhe rreziku për të penalizuar ekipin, i kanë kushtuar jo pak.
Diego Costa nuk pati një performancë të mirë në barazimin ndaj Italisë në kualifikueset për Botërorin 2018, madje rrezikoi të përjashtohej në minutën e 66, me arbitrin që ia kurseu kartonin e dytë të verdhë, por kjo gjë nuk e ka ndalur ekipin që ta kritikojë, mes të cilëve dhe portieri Pepe Reina.
Në sfidën ndaj Shqipërisë në “Loro Boriçi”, Spanja e sheh kreun e Grupit G dy pikë larg edhe pse jemi vetëm në startin e kualifikueseve. Por një hap fals ndaj kuqezinjve mund të kushtojë shumë, e për këtë, trajneri Lopetegui po mendon një lojtar më të kontrollueshëm si Morata.

Artikulli paraprakDe Biazi flet për “AS”
Artikulli tjetërLideri i Shqipërisë