Listat e zeza, kur vriteshin poetët Leka e Blloshmi

Kastriot Dervishi

Më 17 korrik 2017 mbushen 40 vjet nga ekzekutimi i poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ata bënin pjesë në radhët e familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Për këtë arsye u përfshinë në një proces agjenturialo-operativ të Sigurimit dhe më pas hetimor-gjyqësor të hetuesisë e gjykatës.
– Genc Leka (1941-1977) ishte 36 vjeç kur u ekzekutua. Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. U arrestua më 31.8.1976.
– Vilson Blloshmi (1948-1977) ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.
Çështja e trajtimit të tyre në një proces agjenturialo-operativ të centralizuar nis në maj 1975. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja “sabotimet” në kooperativë me një grup “armiqsh” që ishin familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste). Bedri Blloshmi u arrestua më 3.4.1976. Pas një hetuesie të gjatë e barbare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor.
Për vite me radhë këtë çështje e ka zbardhur me përkushtim të veçantë, Bedri Blloshmi (i dënuari i tretë i këtij procesi), vëllai i Vilsonit, i cili arriti të zbulojë vendpushkatimin e tyre, si dhe të grumbullojë një dokumentacion të bollshëm, një pjesë të së cilit e ka botuar.
Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr. 45, datë 13.6.1977, Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet burgim.
U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr. 202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme nxjerr urdhër ekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977. Nga kërkimet e bëra, nuk është arritur të gjendet procesverbali i fjalës së fundit të poetëve.
Genci dhe Vilsoni, në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977, u pushkatuan në një largësi prej rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firarit”. Një toponim i çuditshëm. Atje jo që s’ka ujë, por as zogjtë nuk duan të kalojnë andej. Mesa duket e ndjejnë erën e vdekjes. Sipas kalimtarëve, atje rrallë mund të ndodhte të dëgjohej zëri i ngjirur i qyqes. Qyqja, siç tregon një gojëdhënë, kërkon vëllanë e vrarë nga shokët në pyll. Siç duket, edhe qyqes nuk i besohet që në të tilla humnera mund të ndodhin tragjedi të tilla.

Nga dosja origjinale gjyqësore e ajo hetimore e arrestimit dhe pushkatimit të poetëve të talentuar, Vilson Blloshmi e Genc Leka, , do të japim detaje të panjohura e rrëqethëse rreth këtij krimi makabër, si u përgatit dhe u formulua akuza e “sabotimit ekonomik”, ajo e “agjitacionit e propagandës”, vendimi i partisë për dënimin maksimal të “Grupit armiqësor të Bërzeshtës”, kush mori pjesë në këtë skenar, kush dhe si u përgatitën aktekspertizat e krijimtarisë artistike, tentativa e dështuar e Sigurimit të Shtetit për t’i bërë bashkëpunëtorë në këmbim të jetës, torturat fizike e psikologjike ndaj tyre, deri në pushkatimin në mesnatë në një pyll e gjetjen e varreve nga familjarët në vitet e demokracisë.

Si u përgatit arrestimi, gjykimi dhe pushkatimi i poetëve Blloshmi e Leka
Është pranverë e vitit 1976. Kishte kohë që Partia dhe Sigurimi i Shtetit kishin vënë në shënjestër të ndëshkimit, dy poetët e rinj dhe të talentuar, Genci Lekën dhe Vilson Blloshmin. Referuar dosjes “Blloshmi-Leka” (Nr. 48) që ruhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, pjesë të së cilës ne do të botojmë në numrat në vazhdim të gazetës, gjithçka është kopsitur: Është përcaktuar grupi “armiqësor”, krerët e tij, si dhe akuzat që do i dënonin, agjitacioni e propaganda dhe sabotimi në ekonomi.

Blloshmi: “Ja pse nuk duhet të më pushkatoni!”

(Arkivat. Kërkesa në Gjykatën e Lartë). Dënimi me vdekje për dy poetët librazhdas, Vilson Blloshmi e Genci Leka, i sapokumtuar në sallën e kinemasë së qytetit, mes një auditori të përzgjedhur që duartrokiste “Rroftë Partia”, “Poshtë armiqtë!”, atë mesditë të 13 qershorit 1977 sapo është dhënë. Tashmë, në qeli të veçanta (birucat) ku rrinin, atyre u lidhen këmbë e duar, u vendoset helmeta në kokë dhe u dyfishohen rojet. Ditë, netë, javë të tëra në një gjendje të tillë të tmerrshme. Edhe e drejta për të përtypur dy kafshatë bukë, megjithëse ata nuk kishin uri e etje, nuk mund të realizohej. Edhe këtë shërbim ua kryenin policët e dubluar… Poetët, e jo vetëm ata, e kanë kuptuar se shpresa për falje jete, tashmë do të ishte vetëm një shpresë. Thuhet për çdo rast e për çdo rrethanë se, shpresa vdes e fundit…
Kështu që të dënuarit me vdekje atë mesvit të trishtë të 1977-ës, bëjnë ankimimin në Këshillin Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Kërkojnë t’u falet jeta, duke bërë dhe argumentimin se përse e kërkojnë një gjë të tillë…
Ja çfarë thuhet mes të tjerave në kërkesën e të dënuarit Vilson Blloshmi drejtuar Gjykatës së Lartë për zbutje dënimi:
“Si në hetuesi, edhe në gjyq unë e kam mohuar akuzën, nuk kam sabotuar, nuk kam agjituar për të përmbysur pushtetin…
Dënimi kapital, mendoj se nuk duhet të zbatohet kundër meje, sepse jam ende djalë i ri, me çdo mundësi për t’u edukuar nëse Gjykata e Shkallës së Dytë do ta gjejë të provuar fajësinë time, qoftë edhe duke ndenjur për një kohë të gjatë i izoluar nga jeta e lirë, me çdo mundësi për të punuar dhe për t’i shërbyer më gjatë shoqërisë”.

Tri blloqe, vepra letrare

Në vitin 2007, kur u është bërë një letër-kërkesë tjetër zyrtarëve të arkivave për herë të parë, familja arrin të sigurojë tri blloqe me dorëshkrime të Vilsonit

Blloku i parë

Blloku i parë në 82 faqe fletoreje të shkruar me stilograf nga dora e Vilsonit përmban sentenca mbi jetën dhe mbi artin nga filozofë si: Sokrati, Aristoteli, Epikur Hegeli, Paskal etj., si dhe nga shkrimtarë e njerëz të mëdhenj të kulturës perëndimore si Euripidi, Virgjili, Dante, Shekspiri, Bajroni, Shatobriani, Lamartini, Bodleri, Dostojevski etj., fragmente esesh nga E. A,POe, V.Hygo, P. Claudel, si dhe poezi si tip antologjie të vogël me autorë si Bodler, Rembo, Mallarme, Verlen, Lekont de Lili, Teofil Gotje, Francis Karko, Apolner dhe Pol Gerald, si dhe 14 poezi dhe 11 faqe me sentenca nga romani “Të mjerët”. Të gjitha këto janë shkrua në frëngjisht, në gjuhën e origjinaleve, me kaligrafi, duke respektuar shenjat e pikësimit. Në gjuhën shqipe janë shkruar sentenca nga Sami Frashëri, sentenca nga Gorki, përkthimi i një eseje të Viktor Hygoit mbi lirinë dhe domosdoshmërinë, i një fragmenti prej shtatë vargjesh nga tragjedia “Ester” të Rasinit dhe “Soneti i fundit” i Alfred de Myse.

Blloku i dytë

Blloku i dytë, që i përket vitit 1974, nis me një përmbledhje të dramës “Hernani” të Viktor Hygoit. Mendohet nga studiuesi se ky libër mund t’i ketë rënë Vilsonit në dorë përkohësisht. Ai ka lexuar dramën e Hygoit në origjinal dhe në shqip ka dhënë përmbajtjen e çdo akti dhe të çdo skene. Në këtë bllok të dytë, sipas kronologjisë kohore, vendin më të madh e zë përkthimi i rreth 600 vargjeve nga “Legjenda e shekujve” e Viktor Hygoit. Përkthimi i sonetit të Bodlerit, “Pendim i vonët” pasohet nga shtatë poezi të reja të Vilson Blloshmit, si dhe vjen një fragment i shkurtër në prozë nga romani i Lermontovit “Një hero i kohës sonë”, përkthyer nga frëngjishtja.
Gjithmonë nuk duhet harruar se gjithë sa lexonte a përkthente, shpesh, varej nga librat që i binin në dorë. Mbase përkthimi nga “Legjenda e shekujve” lidhet me patosin e Viktor Hygoit kundër tiranëve dhe tiranis

Blloku i tretë

Ky është blloku më i vëllimshëm, pasi përmban përkthimin e plotë të novelës “Zadigu” të Volterit. Nuk dihet në ç‘rrethana i ka rënë në dorë novela, – thotë Bejko, – dhe përse mund ta ketë përkthyer Vilsoni. Në fund të përkthimit është vënë shënimi 18 prill 1970, kohë kur ai ishte ushtar në brigadë pune, aty ku shkonin fëmijët e kulakëve dhe të gjithë ata me biografi të keqe. “Nga cilësia e përkthimit mendojmë se ai është ende në kohën kur po ushtrohej në mësimin e frëngjishtes. Në vite të shërbimit ushtarak në fshatin Tale të Lezhës, sipas të thënave, ai takohej me një prift katolik, i cili e ka ndihmuar të thellohej në mësimin e frëngjishtes”. Bejko na tregon se novela “Zadigu” është në dorëshkrim dhe mbi të është punuar për ta redaktuar, dhe plotësuar në pak fjalë e fraza. Ky përkthim mendohet se vjen në shqip për herë të parë i plotë. Kemi një përkthim të “Zadig”-ut prej Vedat Kokonës te libri i Volterit, “Novelat” botuar në 1990. Këtë botim Bejko detyrimisht e ka krahasuar me përkthimin e Blloshmit dhe na tregon se tek “Zadigu” i Kokonës mungojnë tre kapituj, më saktë, hyrja në krye të librit dhe dy kapitujt e fundit.

Arkivat për poetët “armiq”/Kush ishin Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka lindën në muajin mars. Vilsoni lindi më 18 mars të vitit 1948, ndërsa Genci më 23 mars të vitit 1941. Që të dy ishin nga i njëjti fshat, nga Bërzeshta e Librazhdit, që të dy ishin poetë. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën të njëjtën vdekje dhe në të njëjtën natë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin “faj”, se kishin lindur poetë. Jeta e tyre u fik nga plumbat e xhelatëve, ndërsa trupat e njomë u flakën në të njëjtën gropë. Të dy poetët e kallur nën dhe u lanë në harresë deri në shembjen e diktaturës, ndërsa poezitë e tyre u shpallën heretike. Diktatura i groposi, por të dy poetët kishin skalitur pavdekësinë me krijimtarinë e tyre, poezinë. Ata ishin poetë të lindur dhe i këndonin bukurisë, njeriut të thjeshtë.
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ishin mësues dhe poetë të talentuar që aspironin për liri dhe demokraci, për një jetë më të mirë. Ndaj tyre u organizua një gjyq politik i inskenuar. Komiteti i Partisë së Librazhdit kishte bërë një plan masash për gjykimin dhe dënimin e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Pra, në Komitetin e Partisë merreshin vendime për pushkatimin e poetëve. Edhe diskutimet që do të bëheshin në gjyqin politik, ishin përgatitur në Komitetin e Partisë dhe aty ishin caktuar gjashtë vetë për të diskutuar ato që ishin përgatitur në Komitetin e Partisë. Në planin e masave të Komitetit të Partisë, thuhej se: “Gjykatat Popullore punojnë për të realizuar vendimet e Kongresit të 7-të të PPSH”. Akuzat ishin të rënda për “krim, sabotim ekonomik, agjitacion dhe propagandë”.
Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht dhe anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë perëndimorë, sidomos ata francezë. Akuza kryesore ndaj tij ishte poezia “Saharaja”, ku ai e simbolizon Shqipërinë të shkretë dhe pa miq e pa shokë, por Vilsoni u akuza edhe pse kishte thënë se, “që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të dish edhe gjuhë të huaja”. Regjimi nuk i donte njerëzit që dinin gjuhë të huaja. Megjithëse dinte gjuhë të huaja, ai shikohej me sy të keq nga Partia e Punës dhe qeveria komuniste. Në aktakuzë thuhej se: “Vilson Blloshmi e ka filluar që në bankat e shkollës, në Normalen e Elbasanit, veprimtarinë armiqësore”. Ai i kishte thënë një shoku në shkollë se, “vendi nuk ka literaturë të bollshme dhe njerëzit nuk marrin dije”…
…Genc Leka, ishte një mësues shembullor, por për probleme të biografisë e çuan në punë ndërtimi. Edhe pse punonte shumë, ai gjente kohë që të shkruante edhe poezi. Në aktakuzë ishte shkruar se ai ka bërë agjitacion, duke u shprehur se, “normat janë të larta dhe shpenzimet e ulëta sa mezi jetohet”. Ai u akuzua për poezi pesimiste dhe jo realiste, sipas prokurorit, “poezitë shprehnin dëshpërim”. Interpretimi i poezive e rëndoi akuzën. Edhe poezitë e natyrës cilësoheshin si politike.

Saharaja

Vilson Blloshmi

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.
E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.
Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur
Mbi dikë mallon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

Poezia e fundit

Genc LEKA

O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
……..
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.
(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën)

Artikulli paraprakTirana rekord për rritjen e taksave
Artikulli tjetërBasha: Asnjë marrëveshje me Ramën