Lista serbe ankimon në Kushtetuese Trepçën

Përfaqësuesit e Listës Serbe dje e kanë dorëzuar për interpretim ligjin për gjigantin Trepça në Gjykatën Kushtetuese, i cili është miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës. Pas dorëzimit të kësaj ankese, kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiç ka thënë se me miratimin e ligjit për Trepçën janë thyer procedurat, të cilat është dashur të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
“Me miratimin e ligjit për Trepçën nuk janë respektuar interesat themelore të popullit serb, me ç’rast ky ligj është dashur të miratohet në pajtim me Kushtetutën dhe nenin 81, pika 1. Po ashtu, miratimi i ligjit për Trepçën nuk është shqyrtuar në Komisionin për Komunitete me ç’rast është shkelur neni 78 i Kushtetutës së Kosovës. Ligjit nuk i është dhënë mundësia që të shqyrtohet në Këshillin për Komunitete, kështu është shkelur neni 60 i Kushtetutës. Me të gjitha këto shkelje dhe shkelje të tjera, të cilat nuk i kam përmendur, janë shkelur të drejtat e popullit serb që jeton në Kosovë. Andaj, ftojmë në përgjegjësi Kosovën sepse ka shkelur nenin 58 të Kushtetutës që ka të bëjë me minoritetet”, ka thënë ai.
Sipas tij, dhjetë deputetë të Listës Serbe kanë shfrytëzuar rastin që në bazë të nenit 113, pika 5 të Kushtetutës, ta dërgojnë kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.
“Rreth pjesëmarrjes tonë në institucionet e Kosovës, pa dyshim se do të vazhdojmë me konsultime si brenda Listës serbe, ashtu edhe me qeverinë e Beogradit, me institucionet në Prishtinë, si dhe me të gjithë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë. Presim që ditët në vijim të zhvillojmë këto konsultime dhe natyrisht të tejkalojmë këtë sfidë, sepse duam të ftojmë në përgjegjësi përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe të gjithë përfaqësuesit relevantë këtu në Prishtinë, në mënyrë që të kemi një konsensus të gjerë që rreth çështjes së Trepçës, të mos merren ata, të cilët nuk e njohin mirë këtë materie, dhe se rreth Trepçës të insistohet ekskluzivisht në bisedime e jo të prejudikohet e drejta, statusi dhe pronësia”, tha ai.
Në ditën kur u votua ligji për Trepçën, deputetët e Listës Serbe e kishin bojkotuar këtë seancë në shenjë pakënaqësie.
Ndryshe, 93 deputetë kanë marrë pjesë në votimin për miratimin e ligjit për Trepçën. Prej tyre 79 kanë votuar “pro”, asnjë “kundër” dhe ka pasur 14 abstenime.
Nëse ligji për Trepçën nuk do të hynte në fuqi deri më 2 nëntor, gjiganti ekonomik do të mund të shkonte në likuidim sipas vendimit të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme.

Artikulli paraprakShoku i Denisit
Artikulli tjetërPse Kosova anuloi takimin e Beogradit