Lirohet nga burgu një tjetër vrasës

Ish-shefi i sigurisë së Brendshme të burgut të Durrësit, Bledar Toçi është liruar nga burgu edhe pse mbi të rëndon akuza për vrasjen me armën e shërbimit të Dritan Haxhollit në Kavajë.

Mësohet se 3 ditë më parë, Gjykata e Kavajës i ka caktuar Toçit masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, edhe pse më parë ai ishte lënë në burg, kjo pasi ndaj tij ka rënë akuza për vrasje. Tashmë, ai akuzohet vetëm për trafik lëndësh narkotike pasi në dosje thuhet se vrasja e 41-vjeçarit ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes, duke e liruar me detyrimin për t’u paraqitur dy herë në muaj.

“Nisur nga provat e siguruara në vendngjarje dhe dëshmitë e personazheve të përfshirë, prokuroria ka dalë në konkluzionin paraprak se Bledar Toçi nuk e vrau Haxhollin për vetëmbrojtje, ndaj për këtë shkak ndaj zyrtarit të burgjeve është ngritur akuza e vrasjes me dashje”- thuhej në dosje.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur vitin që lamë pas në një banesë duplex në qytetin e Kavajës. 41-vjeçari Haxholli u vra me armën e shërbimit të efektivit të sigurisë së burgjeve Bledar Toçit, në apartamentin e Marsida Qatjas. Ngjarja ka ndodhur pikërisht kur në dhomën ngjitur flinte djali i saj 2-vjeç, që shpërtoi mrekullisht pa asnjë lëndim. Ndërsa i plagosur mbeti edhe vetë Toçi.

Fillimisht ngjarja u raportua si një krim pasioni, pasi Marsida deklaroi se ishte ngacmuar vazhdimisht nga viktima dhe prandaj kishte thirrur Toçin që ta ndihmonte. Më pas protagonistja e ngjarjes ndryshoi versionin dhe pranoi se kishte marrë rreth 20 milionë lekë të vjetra si shpërblim për të mbyllur gojën për trafikun e drogës që ndodhte në banesën e saj dhe se për ‘biznesin’ ishte në dijeni dhe bashkëshorti i saj.

Artikulli paraprakIsh-ministri: Kemi një numër të lartë vdekjesh nga Covid-19, ja pse ndodh kjo
Artikulli tjetërSkandali në Albpetrol për vjedhjen me tenderat. PD: Dokumenta dhe fakte që provojnë fallsifikimet e…