Lirohet ish-oficeri i SHISH që shiti informacione sekrete

Florian Bushi, ish-agjenti i SHISH, i akuzuar dhe hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se kishte shitur informacione sekrete është lënë në arrest shtëpie nga Gjykata e Fierit. Bëhet e ditur se, Prokuroria nuk arriti të provojë akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë për 35-vjeçarin, por atë të nxjerrjes së sekretit.
Për këtë arsye, dosja u transferua në Prokurorinë e Fierit, e cila e ka dërguar në gjyq dosjen. Gjatë hetimeve u faktua se raporte sekrete për hetimin e një grupi kriminal që trafikonte drogë, për të cilat kishte dijeni Bushi, u gjetën në telefonin e Ilir Memushajt. Pikërisht për këtë rast, ka përfunduar në gjyq ish-agjenti i SHISH. Por mësohet se, Florian Bushi ka deklaruar se nuk e di si kanë përfunduar informacionet në telefonin e Memushajt, pasi akses në informacion kanë patur edhe të tjerë persona.
Ilir Memushaj u arrestua disa ditë pas atentatit në Mbrostar, në Fier 8 janarin e vitit 2016, ku mbeti i vrarë Granit Kasa dhe u plagos objektivi Klement Kastrati. Sipas hetimeve, organizator dhe financues i vrasjes ishte Ermal Binjaku, i cili ende nuk është arrestuar. Shkak i krimit sipas Prokurorisë ishte një konflikt i vjetër mes të dyve. Madje sipas hetimeve të Prokurorisë Binjaku kishte mësuar se ndaj tij po përgatitej një atentat dhe për këtë arsye, ai organizoi përpara eliminimin e kundërshtarit të tij.
Gjykata e Fierit ka lënë në arrest shtëpie ish-oficerin e Shërbimeve Sekrete që u akuzua në lidhje me atentatorët e Denis Kasës në Mbrostar. Ndërkohë për këtë ngjarje nuk është kapur akoma personi që dyshohet se ishte organizatori i atentatit me një të vrarë dhe dy të plagosur.
Ish-oficeri i SHISH i akuzuar se zbuloi sekretin hetimor, duke i treguar atentatorëve lëvizjet e Denis Kasës dhe miqve të tij po gjykohet në arrest shtëpie. Burime nga Gjykata e Fierit ku po zhvillohet gjyqi i Florian Bushit thanë se i akuzuari ka kërkuar nëpërmjet avokatit të tij, ndryshimin e masës së sigurisë dhe Gjykata e ka pranuar.
Në 8 janar 2006, makina me të cilën udhëtonin Denis Kasa, Klement Kastrati dhe Elton Margariti u qëllua me breshëri kallashnikovi në Mbrostar të Fierit, duke vrarë Denis Kasën 44 vjeç dhe plagosjen e Klement Kastratit dhe Elton Margaritit. Motiv i ngjarjes ishte armiqësia e hershme mes fiseve Kastrati dhe Binjaku, pas një seri vrasjesh dhe plagosjesh mes tyre ndër vite.
Shënjestër e atentatit ishte Klement Kastrati. Po ashtu, konkurenca për tregun e drogës mendohet të ketë shtuar konfliktin mes dy fiseve. Të përfshirë në vrasjen e Kasës deri tani rezultojnë 6 persona, nga të cilët 4 po gjykohen në arrest me burg, ndërsa ish-oficeri i SHISH në arrest shtëpie. Organizatori i atentatit që dyshohet të jetë Ermal Binjaku është shpallur në kërkim policor.

Artikulli paraprakSi e lanë të kalonte kamionin me 2.2 ton drogë doganierët e Vorës
Artikulli tjetërNë gjyq ish-drejtori i Hipotekës së Shkodrës