Linja 400 kw, Maqedonia ia kalon Shqipërisë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit i Maqedonisë njoftuan çeljen e procedurës së prokurimit për konsulentin që do të asistojë njësinë e menaxhimit të projektit për linjën 400 kilovolt Maqedoni-Shqipëri. Pala maqedonase ia ka dalë të jetë disa hapa para lidhur me procedurat sa i takon pjesës së saj. Referuar njoftimit të BERZH, konsulenti do të japë ndihmën e tij gjatë fazës së parë të projektit, ndërkohë që në total, puna për ndërtimin e linjës nga Manastiri (Bitola) në Maqedoni deri në kufi do të përfundojë në harkun e 40 muajve. Projekti për Maqedoninë do të financohet nga kredia e BERZH në një shumë prej 49 milionë eurosh. E ndërsa për Maqedoninë, projekti ka hyrë në fazën e përparuar të prokurimeve, Shqipëria arriti që vetëm më 9 nëntor, pra më pak se një muaj më parë të miratojë marrveshjen me KfW, Banka gjermane, e cila sikurse ka mbështetur edhe më herët, do të mbështesë edhe këtë herë ndërtimin e një linje 400 kw. Marrëveshja parashikon mbështetjen me 50 milionë euro të qeverisë shqiptare për të ndërtuar linjën me Maqedoninë (Fier-Elbasan-Qafë Thanë). Sipas marrëveshjes, gjithçka duhet të jetë mbyllur brenda 2020. Tashmë me kalimin e kësaj hallke pritet që qeveria dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të vijojnë me procedurat e prokurimit. Maqedonia mbetet i vetmi vend me të cilin Shqipëria ende nuk ka nje linjë transmetimi të lartë prej 400 kw dhe mbyllja e saj plotëson gjithë lidhjet e tjera të vendit në tregun energjetik rajonal. Problematike mbetet ndërkohë linja 400 kw me Kosovën, e cila edhe pse ka përfunduar prej kohësh nuk është vënë asnjë ditë në punë për shkak të ngërçit politik mes Serbisë dhe Kosovës.

Artikulli paraprakTë fundit në rajon dhe Europë për shpenzimet në kërkim dhe zhvillim
Artikulli tjetërÇështja “Veliera”, Gjykata cakton tre ekspertë, shtyhet edhe tre javë shqyrtimi