Ligji për Gardën, Alibeaj: Është ligj me porosi, bëhet për Haki Çakon

Në drejtimin e kryetares, Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e radhës online dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mori në shqyrtim dy projektligje, nisma deputetësh. Pas miratimit të programit, kalendarit të punimeve dhe procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara, komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Gardën në Republikën e Shqipërisë”, depozituar nga deputeti Nasip Naço. I ftuar për të dhënë mendim për nismën ishte Besmir Beja, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Gjatë prezantimit të nismës, Naço sqaroi nevojën e sjelljes së ndryshimeve ligjore, si dhe paraqiti sugjerimet e tij për përmirësimin e disa çështjeve që sipas nismëtarit do të ndikojnë në rritjen e efektivitetit të punës së Gardës. Ndër të tjera, Naço sqaroi se thelbi i nismës së tij synon ndryshime për kohëzgjatjen e ruajtjes së personaliteteve të tjera dhe banesave të tyre pas përfundimit të mandatit; përcaktimin e kushteve dhe kritereve për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, me qëllim shndërrimin e këtij procesi në një proces konkurrues e meritokratik; njehsimin dhe njohjen e gradave, si dhe përcaktimin që trajtimi financiar dhe vlera e kompensimit të vendoset nga Ministri i Brendshëm dhe të zbatohet në praktikë. Naço bëri të ditur se nisma i është dërguar për mendim edhe Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, u shpreh se kjo nismë dëmton sistemin e karrierës. “Është ligj me porosi. E vetmja ndërhyrje është ajo që i referohet nenit 17, me kriteret dhe procedurën e emërimit të gardës. Kjo është një ndërhyrje thelbësore. Thelbi i ndërhyrjes është kaq i thjeshtë sa po e përshkruaj. Rregulli deri më tani ishte që drejtori i gardës do duhej të gjendej nga brenda strukturës së gardës, si një vijim logjik institucional të shkallareve të gradave dhe eksperiencës. Çdo funksionar i gardës ka të drejtën e tij, në bazë të përvojës, gradës, ta aspirojë atë nga brenda gardës. Ndërkohë propozimi, hap një derë që drejtuesi i gardës të mund të emërohet, pavarësisht se thuhet me konkurrim…etj, jashtë strukturës së gardës. Është një propozim që i jep mundësi që drejtori i gardës të vijë jashtë radhës së gardës, dyshoj unë me klientelizëm. Mediet ia kanë vënë edhe emrin, që në krye të vijë një njohje e vjetër e strukturave të policisë siç është Çako. Duket fare qartë që është ligj me porosi”, theksoi Alibeaj.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, depozituar nga deputetja Evis Kushi. Në cilësinë e nismëtares, Evis Kushi sqaroi nevojën e rishikimit të ligjit dhe nënvizoi se në kushtet e zhvillimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, arsimi profesional duhet të ketë një fokus të veçantë, me qëllim rritjen e cilësisë dhe përshtatjen me nevojat që ka tregu i punës. Ndër të tjera, Kushi argumentoi se legjislacioni aktual ka nevojë të rishikohet për të mundësuar njohjen e diplomave të përbashkëta apo të dyfishta mes shkollave profesionale vendase dhe të huaja, si dhe për të mundësuar uljen e kohëzgjatjes së studimeve në 3 vite dhe certifikimin e tyre në përfundim të studimeve, çka do të sillte integrimin më të shpejtë të të rinjve në tregun e punës. Kushi nënvizoi se për hartimin e nismës është kryer një proces i gjatë konsultimi me ekspertë të fushës dhe përfaqësues të grupeve të interesit.

Artikulli paraprakInaktiviteti shkakton 10,000 vdekje në vit në Evropë!
Artikulli tjetërShembet masivi shkëmbor, bllokohet Rruga e Arbrit